Uncategorized

10 ekonomistët më të mirë të të gjitha kohërave

Etjon Basha dhe Bardhyl Salihu

8. Frédéric Bastiat (1801 – 1850)

Bastia u lind në një familje tregtarësh dhe pronarësh tokash. Në moshë të herët u punësua në një sipërmarrje eksporti, ku hasi për herë të parë me efektet praktike te rregullimeve qeveritare mbi tregtinë. Trashëgimi i pronave të familjes në moshën 25 vjeçare i dha mundësi të përqendrohej në fushën e tij më të hershme të interesit: studimet ekonomike.

Megjithëse iu kushtua gjatë studimeve ekonomike, Bastiati si ekonomist i botuar shfaqet vetëm në vitet e fundit të jetës së tij të shkurtër. Sidoqoftë stili unik dhe qartësia e mendimit i kanë siguruar pavdekësinë veprave të tij.

Ndër veprat e tij më të njohura është përmbledhja Sofizma Ekonomike (Economic Sophisms (1845, 1996)), një seri parabolash dhe esesh satirike ku përdoret gjerësisht teknika e reductio ad absurdum, zhvillimi i një argumenti deri në përfundimin e tij logjik për ti nxjerr në pah defektet. Veçanërisht e njohur është eseja satirike “Peticioni i qirixhinjëve” (Candlemakers’ petition (1845)), që trajton peticionin fiktiv që një esnaf qirixhinjësh i drejton Asamblesë së Përgjithshme Franceze ku kërkohet instalimi i një pajisjeje vigane mbi mbarë vendin për të penguar dritën e diellit që aq padrejtësisht konkurron me qirixhinjtë e varfër dhe shkatërron mijëra vende pune që përndryshe do lindin në industri.

Me po të njëjtën qartësi Bastiati diskuton atë që ai e quan “iluzioni i dritares së thyer”, një trajtesë që i shkon shumë përshtat kejnsianistit bashkëkohor, e shkruar një shekull para se kejnsianizmi të kish lindur. Bastiati sjell situatën ku një fëmijë thyen dritaren e një dyqani të vogël. Gjithkush e qorton fëmijën dhe shpreh keqardhje për pronarin dyqanit, të cilit do i duhet të shpenzojë për të zëvendësuar xhamin e thyer. Në skenë del ‘analisti’ ama, dhe argumenton që, në fakt, fëmija ka bërë mjaft mirë duke thyer xhamin, pasi tashmë dyqanxhiut do i duhet të shpenzojë para për të zëvendësuar xhamin. Kjo shumë do nxisë prodhimin e punësimin për xhamaprerësin, të cili pastaj do të ketë më shumë të ardhura e të cilat do t’i shpenzoj tek këpucëtari, i cili pastaj do t’i shpenzoj tek dikush tjetër e kështu me radhë duke e “rritur” mirëqenien e gjithkujt. Por, thotë Bastiati, kjo “analizë” është jashtëzakonisht mendjeshkurtër pasi fokusohet vetëm në “efektet e dukshme”, duke lënë mënjanë tërësisht ato “të padukshme”. Nëse xhami nuk do ish thyer, dyqanxhiu do kish shpenzuar këtë shumë për diçka tjetër, ndofta konsum vetjak, ndofta investim në sipërmarrjen e tij. Tani që dyqanxhiu nuk i ka ato para sepse duhet ta riparoj xhamin, të gjithë ata që do të përfitonin nga shpenzimi i tij janë të privuar. Në fund, prodhimi i përgjithshëm i ekonomisë do të zvogëlohet sepse do të investohet në riparim të dëmeve e jo në krijim shtesë të pasurisë.

Ky mësim, i cili më vonë u morr dhe u përdor si thelb nga gazetari dhe gjysmë-ekonomisti i zgjuar Henry Hazlitt në librin e tij Ekonomia në Një Mësim (Economics in One Lesson (1946)), shërben sot si gjemb i madh në ideologjinë kejnsianiste. Njëra ndër bazat e këtij sistemi është ideja që konsumi e rrit mirëqenien sepse e vë në funksion paranë. Si rezultat, prodhueshmëria e disa aktiviteteve ekonomike as që merret parasysh: e gjithë ajo çka është e rëndësishme është vet aktiviteti pa marrë parasysh a është produktiv a vetëm harxhim i burimeve të pamjaftueshme. Jo vetëm Kejnsi, por edhe kejnsianistët modern kanë propozuar që shteti ta “stimuloj” ekonominë nëpërmes shpenzimeve të mëdha fiskale në infrastrukturë apo edhe duke shkuar në ekstreme aq të mëdha (siç ka bërë Paul Krugman) duke thënë që vet lufta dhe shkatërrimi në masë i bënë mirë ekonomisë sepse e vë në lëvizje shpenzimin për riparim i cili pastaj krijon vende pune. Natyrisht, Bastiati duke u fokusuar në pasojat e përgjithshme dhe ato që nuk shihen nga syri i lirë, e kuptoi herët që aktiviteti ekonomik është i rëndësishëm dhe prodhimi i cili nuk i shërben ndokujt është thjesht harxhim i burimeve ekonomike. Natyrisht, vlera e një aktiviteti ekonomik përcaktohet prej konsumatorëve.

Vepra e tij më e njohur, dhe ndër të paktat vepra në këtë listë që është botuar në shqip, është Ligji (The Law (1850, 1996, 1998)) ku Bastiati parashtron idenë e tij për një shtet minimal, që kufizohet në mbrojtjen e pronës vetjake dhe rendit. Në dallim të dukshëm me Adam Smithin, dhe traditën ekonomike angleze në përgjithësi, Bastiati nuk shihte dallime mes “punës produktive” dhe asaj “joproduktive” jashtë kërkesave të konsumatorit. Për të, për sa kohë një aktivitet prodhimi, ose punë çfarëdo zhvillohej nga individë të lirë, aty shprehej vlera që produkti përfundimtar i kësaj pune do kishte. Dhe duke theksuar konsumin si qëllimin e fundit të çdo lloj prodhimi dhe shkëmbimi, dhe jo prodhimin në vetvete siç bënin ekonomistët e traditës angleze, për Bastiatn ishte e qartë që çka do që kishte vlerë për konsumatorin nuk mund kurrsesi të konsiderohej “jo-produktive”.

Po ashtu si Turgoja, dhe Bastiati pati rast të vinte në zbatim parimet e tij duke u përfshirë në instanca drejtuese. Gjatë pjesëmarrjes së tij në Revolucionin e vitit 1848, Bastiati fitoi një vend në Asamblenë e Përgjithshme Franceze si dhe postin e nënkryetarit të Komisionit të Financave, pozitë që shfrytëzoi për të luftuar taksat e larta, ndërhyrjen e shtetit në ekonomi dhe inflacionin.

Vepra e tij madhore Harmonitë ekonomike (Economic Harmonies (1850, 1996)) mbeti e papërfunduar kur Bastiati vdiq në mënyrë të parakohshme prej tuberkulozit. Admirimi më i madh këtij mendimtari vigan të lirisë individuale dhe tregut iu bë prej pasuesit të tij Michel Chevalier, i cili nënshkroi marrëveshjen e famshme anglo-franceze të tregtisë së lirë më 1860 me mendimtarin e shquar liberal Richard Cobden.

Bastiati erdhi në vijim të një tradite të fortë dhe jashtëzakonisht rezistente të liberalizmit në mendimin ekonomik francez. Që prej Restoracionit Burbon në 1815 dhe veprës së Xh. B. Sei, tre breza akademikësh, ekonomistësh dhe gazetarësh francezë mbrojtën me vendosmëri parimet e lirisë individuale, tregut dhe të harmonisë së interesave mes kombeve. Kulminimi i kësaj tradite erdhi me bashkëpunëtorin e Bastiatit, ekonomistin belg Gustave de Molinari, i cili qe mendimtari i parë në histori që zhvilloi parimet liberale deri në përfundimin e tyre logjik duke mbrojtur idenë e ofrimit të shërbimeve “publike” nga firma private: Molinari qe origjinatori i anarko-kapitalizmit.

Paraqitja e tezës revolucionare të Molinarit para ekonomistëve të tjerë frankofonë të traditës liberale qe një episod i veçantë: askush nuk mbështeti idenë e tij, madje vetëm dy nga të pranishmit e diskutuan atë pak a shumë seriozisht. Vetë Bastiati u mjaftua duke u shprehur që konkurrenca pa një autoritet suprem (shteti) ishte e pa-konceptueshme. Shumëkujt një qëndrim i tillë mund ti duket i habitshëm, veçanërisht nga ekonomisti që më mirë se kushdo diti të zhvillonte idetë deri në përfundimin e tyre llogjik, dhe që vetë qe shprehur për po këtë “autoritet suprem”, se shteti nuk ishte veçse “ mashtrimi i madh, me anë të së cilit gjithkush kërkon të jetojë në kurriz të gjithkujt”.