Uncategorized

10 ekonomistët më të mirë të të gjitha kohërave

Etjon Basha dhe Bardhyl Salihu

7. Milton Friedman (1912 – 2006)

Ekonomisti i shquar amerikan, bashkëthemelues i shkollës ekonomike të Çikagos, u lind në Nju Jork dhe ndoqi studimet kryesisht në profilin matematik, formim që la shenjë veçanërisht në metodologjinë e studimeve të tij.

Në vitet e Depresionit të Madh në ShBA, Fridmani i ri, ndonëse me simpati Kejnsianiste, e shihte me dyshim programin New Deal të Presidentit Ruzvelt. Ai miratonte disa nga programet e qeverisë, kryesisht programet e punësimit, por shihte masat e caktimit të çmimeve minimale dhe kartelizimit si jo efektive. Në vitet e fundit të jetës Fridmani pranoi që, në fakt, asnjë pjesë e programit ekonomik të Ruzveltit nuk kishte qenë efektiv në nxjerrjen e vendit nga kriza.

Në vitet ’50-të Fridmani do i rikthehej analizës ekonomike Kejnsianiste dhe do ta kundërshtonte. Njëri prej kontributeve Fridmaniste është kritika e kurbës së Philipsit, idesë Kejnsiane që ekziston një kontradiktë në mes inflacionit dhe papunësisë. Sipas Philipsit, rritja e shkallës së inflacionit do t’i ulte rrogat reale dhe kështu do ta bënte punësimin më të lehtë, duke quar në uljen e shkallës së papunësisë. Kur në fillim të  viteve ’70-ta ekonomia amerikane po vuante edhe nga hiperinflacioni edhe nga papunësia e madhe, situatë e cilat njihet me termin stagflacion, Fridmani dhe ekonomistë tjerë që ishin kritikë të kësaj ideje që tani kishte gjetur vdekjen u lavdëruan shumë.

Kur ishte fjala për masat kundër krizave ekonomike, Kejnsianizmi si ekonomi e depresioneve i jepte më shumë rëndësi politikave fiskale të shtetit sesa atyre monetare. Arsyeja për këtë ishte besimi i Kejnsit në atë që ai e quante “grackë të likuiditetit”, situatë që i referohej mosbesimit të bankave në dhënien e kredive gjatë krizave e që si rezultat krijonte mungesë të likuiditetit në treg edhe atëherë kur Banka Qendrore i mban normat e interesit në zero. Roli i Fridmanit në këtë kuptim ishte ta kundërshtonte retorikën fiskale dhe ti jepte më shumë rëndësi asaj monetare. Si rezultat, lindi njëra prej veprave kryesore të tij të quajtur Historia Monetare e Shteteve të Bashkuara, 1867-1960 (A Monetary History of United States 1867-1960 (1963), bashkautorësi me Anna Schwartz). Në këtë vepër, Fridmani kontribuon në forma të ndryshme.

Kontributi i tij i parë është ai historik, kontribut në të cilin Fridmani me ideologjinë e tij tipike pozitiviste synon ta analizoj “sasinë e parave në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. Pas këtij kontributi empirik, Fridmani bënë një kthesë të madhe në mendimin ekonomik: i shpjegon shkaqet e Depresionit të Madh jo si mungesë të besimit në anën e  investitorëve e konsumatorëve por si rezultat direkt i “kontraktimit të sasisë së parave në qarkullim”. Faji, sipas Fridmanit, i mbetet tërësisht Bankës Qendrore në Amerikë të njohur si Federal Reserve, e cila gjoja i kishte mbajtur normat e interesit shumë të larta duke i zënë frymën likuiditetit bankar i cili veç ishte vënë në vështirësi nga tërheqja e depozitave nga konsumatorët për shkak të frikës. Ky ishte kontribut kolosal sepse e zhvendosi debatin e Depresionit të Madh nga mendimi Kejnsianist në idenë që sistemi monetar kishte qenë shkaktar i krizës, gjë e cila shumë dekada më vonë i dha shkasë Ben Bernanke, Kryetarit të Federal Reserve, t’i kërkoj falje Fridmanit e t’i premtoj që Banka Qendrore nuk do t’i ulë kurrë normat e interesit në një situatë të tillë falë “mësimit” tij.

Ndoshta kontributi më i plotë që mund të nxirret nga kjo vepër është ajo që më vonë do ta bënte shkollën e Cikagos dhe Fridmanin shumë të njohur në sferën e parasë: politika e njohur si monetarizëm. Duke e rehabilituar teorinë sasiore të parasë, Fridmani tha në fjalët e tij të famshme që “inflacioni është kurdo dhe kudo fenomen monetar”. Deri në atë periudhë, e sidomos me insistimin tragjik Kejnsian, ishin përhapur ide të ndryshme që inflacioni nuk shkaktohej patjetër nga rritja e sasisë së parasë por më shumë nga shkaqe tjera si “spekulimi”. Fridmani në princip ishte kundër ekzistencës së një banke qendrore, por ai kurrë nuk e shpalosi këtë princip fuqishëm, duke e përmendur vetëm në raste të rralla. Nisur nga përvoja e tij praktike në fushë, ai e besonte të pamundur stabilizimin e ciklit të biznesit me mjete monetare pasi vonesat  e efekteve të masave të Bankës Qendrore do bënin që rezultatet  të dukeshin pasi kriza të kish kaluar, duke dhënë efektin e kundërt në ekonomi. Megjithatë, monetarizmi i Fridmanit kishte për qëllim dhënien e këshillave mbi politikat monetare tani që një bankë qendrore ekzistonte.

Nisur nga analiza e Fridmanit, lind ideja e tij për rritjen e sasisë së parave me një normë konstante e të njohur vjetore prej k% (“rregulli Fridmanist i k përqindëshit”), çka do ishte shumë më pak destabilizuese për ekonominë se ndërhyrjet sporadike dhe të paparashikueshme të çdo Banke Qendrore. Sipas Fridmanit, qëllimi ideologjik i të cilit ishte koncepti i “stabilitetit të çmimeve”, kjo përqindje do të duhej të ishte e barabartë me Prodhimin e Brendshëm Bruto (real) në mënyrë që inflacioni të mbetej afër zeros.

Fridmani thuajse personalisht ideoi, mbrojti dhe popullarizoi idenë e tij të një regjimi monetar ndërkombëtar të kurseve të luhatshme të këmbimit. Sistemi monetar botëror i pas Luftës së Dytë Botërore qendërzohej tek Dollari amerikan (marrëveshja e Bretton Woodsit), ndaj të cilit gjithë monedhat e tjera qëndronin të fiksuara në vlerë.  Ky sistem, Fridmani vuri në dukje, ishte garant i shpërndarjes së krizave financiare, nga një vend në tjetrin. Nëse çdo valutë do luhatej lirshëm ndaj të tjerave, si çdo mall tjetër në treg, sistemi ekonomik ndërkombëtar do bëhej më i qëndrueshëm, krizat do mbeteshin të lokalizuara tek vendi origjinator, dhe përgjegjshmëria e Bankave Qendrore do rritej. Secili nga parashikimet e Frdimanit (me përjashtim të qëndrueshmërisë së kurseve) u vërtetua me adoptimin e pjesshëm të sistemit të tij. Rothbardi ka vënë në pah që sistemi Fridmanist përbën një regres ndaj sistemit të standardit të arit në fuqi gjatë shekullit të 19-të, pasi fragmentarizon ekonominë monetare globale. Megjithatë, po të krahasohet me sistemin ekzistues në atë kohë, kurset luhatëse Fridmaniste janë një zhvillim i dukshëm, dhe një hap më afër idealit Hajekian të një konkurrence të plotë monetare.

Edhe pse monetarizmi është kontributi kryesor i Fridmanit, ai megjithatë nuk njihet për këtë kur është fjala te publiku. Në sytë e publikut, përmende tregun e lirë dhe shumë prej tyre do t’i bie ndërmend Fridmani. Duke e ndërtuar ideologjinë e tij të lirisë mbi bazat utilitariste, Fridmani vazhdoi me kontribute tjera jashtë sferës monetare si analiza e efekteve negative të çmimeve maksimale apo minimale, kufizimit të konkurrencës me anë të licencimit (për të cilën u citua shumë nga austriakët), lidhja mes sistemeve politike dhe atyre ekonomike, etj. Shumica e këtyre mendimeve  Fridmaniste përmblidhen në veprën Kapitalizmi dhe Liria (Capitalism and Freedom (1962)), vepër e botuar edhe në gjuhën shqipe, dhe Të Lirë Për të Zgjedhur (Free to Choose (1980)).

Fridmani mund të konsiderohet edhe si njëri prej ekonomistëve më me ndikim në botë dhe pa dyshim ekonomisti më me ndikim në listën tonë. Përfshirja e tij në politikat shtetërore dhe tentimi i tij për ta aplikuar sistemin laissez-faire nuk u kufizua vetëm në ShBA. Në periudhën e viteve ’70-ta, Fridmani udhëzoi disa ekonomistë nga shkolla e Cikagos në hartimin e planit ekonomik për Kilin në periudhën kur Pinoçeti ishte në fuqi. Programi i tij i uljes drastike të shpenzimeve shtetërore për të vënë nën kontroll deficitin dhe kufizimit maksimal të shtypjes së parasë, masa që kujtojnë kryqëzatën kundër-merkantiliste të Turgosë në Francë, pati sukses në ndalimin e hiperinflacionit që po treste ekonominë vendase dhe kishte varfëruar shumicën dërmuese të popullsisë. Masa të tjera në frymën Fridmaniste të këshilltarëve të qeverisë kiliane në pak vite e kthyen Kilin nga një vend të varfër në atë që sot konsiderohet si vendi më i pasur, i zhvilluar dhe i lirë i Amerikës Latine. “Terapia e shokut”, term me të cilën u njohën në botë masat Fridmaniste në Kili, janë edhe sot e kësaj dite seria e vetme masave që kanë dhënë efekt në ngritjen e një vendi të botës së tretë në rangun e vendeve të zhvilluara. Masa të ngjashme, por të reduktuara, u kopjuan më vonë për reformimin ekonomik të Evropës Lindore post-komuniste. Ndonëse këto masa denigrohen nga thuajse kushdo sot si të tepruara dhe jo-graduale (mend për ndonjë postim në të ardhme në lidhje me “terapinë e shokut” në Shqipëri), një pakicë ekonomistësh me të drejtë e kritikojnë programin Fridmanist si tepër gradual. Vendet që kanë ndërtuar dhe programet më të rrepta në vitet ‘90-të, si Estonia, kanë shënuar dhe zhvillimin më të shpejtë, arsyetohet nga këta ekonomistë.

Megjithatë, edhe përkundër sukseseve të tij të cilat janë të mëdha në drejtimin e lirisë individuale dhe zhdukjen e injorancës ekonomike, Fridmani ka hasur në kritika dhe vështirësi të mëdha kur është trajtuar nga ekonomistë dhe veçanërisht ekonomistë të shkollës austriake. I njohur në kritikat e tij ishte Mërei Rothbard i cili e kundërshtoi Fridmanin jo vetëm në ekspertizën monetare por në të gjitha sferat tjera në të cilat ai kishte kontribuar. Kjo kritikë mund të thuhet se përmblidhet në artikullin e Rothbardit të shkruar në revistën The Individualist në vitin 1971 në të cilin Rothbardi e sulmon ashpër Fridmanin duke thënë se ai jo vetëm që nuk klasifikohet tërësisht si përkrahës i tregut të lirë, por edhe mund të cilësohet si etatist i cili e përkrah status-kuon qeveritare. Duke pasur parasysh që austriakët janë shumë më “konsistent” (apo siç njihen nga të huajt: “radikalë”) në zbatimin e principeve ekonomike, është e kuptueshme që liberalizmi klasik i Fridmanit i cili bënte shumë lëshime për shtetin do të haste në një kritikë të tillë. Në përgjithësi, Fridmani u kritikua për ri-sjelljen e argumenteve të shuara të ekonomistit amerikan Irving Fischer, të cilin Fridmani e konsideronte si “ekonomistin më të mirë amerikan të të gjitha kohërave”. Rothbardi pohoi se Fridmani e ka bërë thjeshtë ripërtrirjen e argumenteve të Fisherit, të cilat madje Fisheri i ka thënë edhe më qartë se Fridmani. Kritika e parë e Rothbardit ishte vetë metodologjia pozitiviste e Fridmanit, markë e shkollës së Çikagos, e cila i kishte quar ata në përfundime të gabuara si idetë që “konkurrenca e përkryer” mund të arrihej vetëm nga një politikë e ashpër e drejtuar nga shteti kundër “monopolit”. Kritikë tjetër ishte ndarja e shkencës së ekonomisë në mikro dhe makro-ekonomi, ndarje e cila ishte e panevojshme dhe vetëm sa e legjitimonte në formë pseudo-shkencore ndërhyrjen e shtetit në ekonomi.. Kritikë tjetër ju bë asaj që Fridmani e quante “’funksionin e ofertës’ së mirëqenies”, ku fliste për idetë e tij në lidhje me krijimin e një takse negative në të hyra sipas të cilës ata të cilët kishin të hyra më të vogla se një nivel i caktuar nuk do të paguanin taksa por do të merrnin subvencione si ndihmë sociale. Kritika e Rothbardit nuk u përqendrua aq shumë në taksimin negativ të të ardhurave sa u përqendrua në pikën e lartpërmendur të “funksionit”, në të cilin Rothbardi i merr shembull shqiptaro-amerikanët në vitet ’70-të në Nju Jork dhe insistimin e tyre për të mos pranuar ndihmë sociale sepse sipas një citimi “shqiptarët nuk kërkojnë lëmoshë dhe pranimi i ndihmës sociale është sikur të kërkosh lëmoshë”. Qëllimi i Rothbardit këtu ishte ta theksoj elementin kulturor kur bie fjala te ndihma sociale. Ndër të tjera, Rothbardi natyrisht e kritikoi edhe monetarizmin në të cilin ai tha atë që është standarde për ekonomistët austriakë, që Fridmani e kishte gabuar rrugën duke kërkuar “stabilitetin e çmimeve”. Ndryshimi i çmimeve është fenomen natyral i ekonomisë i cili duhet të lihet të ndodhë; problemi me ndryshimin e papritur dhe ekstrem nuk shkaktohej nga tregu por nga tentimi për ta planifikuar paranë. Prandaj, zgjidhja për “stabilitetin e çmimeve” nuk vije nga ndonjë politikë specifike por nga kthimi në para të forta dhe tek rezervat 100% në depozita.

Në vitin 1976, Millton Fridmani u nderua me çmimin Nobel për ekonomi. Gazeta britanike The Economist ka shkruar për të që ai “ishte ekonomisti më ndikimin më të madh në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të…dhe ndofta të mbarë shekullit”.  Ndonëse me mangësi teorike, vepra e Fridmanit ndikoi praktikisht në përmirësimin e jetës për miliona njerëz sot. Duke kthyer vështrimin pas në kohë, në atë që çereku i fundit i shekullit 20-të mund të kishte qenë nën ndikimin e vijuar të Kejnsit e jo të Fridmanit, nuk mund veçse ti japim me atij vendin e 7-të në listën tonë.