Uncategorized

10 ekonomistët më të mirë të të gjitha kohërave

Etjon Basha dhe Bardhyl Salihu

6. Friedrich A. Hayek (1899 – 1992)

Hajek, i lindur në Vjenë, është padyshim përfaqësuesi më i njohur i Shkollës Austriake. Fitues i çmimit Nobel për Ekonomi në vitin 1974, Hajeku është në të njëjtën kohë edhe njëri prej ekonomistëve që ka kontribuar më së shumti si për formësimin e teorisë së përgjithshme ekonomike ashtu dhe në fusha veçanta.

Pas përvojës së tij të hidhur në Luftën e Parë Botërore, Hajeku vendosi të merrej me studimin e shkaqeve që quan tek ajo dhe njëkohësisht të “punonte për një botë më të mirë”. Në vitin 1921 dhe 1923 ai kreu doktoraturën në degën e juridikut dhe shkencat politike në Universitetin e Vjenës. Hajeku madje u fut thellë në disa fusha që kishin shumë pak të bëjnë me kontributet e tij të ardhshme në shkencën e ekonomisë, fusha në të cilat Hajeku studioi qelizat e trurit për një periudhë të caktuar.

Pasi iu rekomandua Ludwig von Misesit nga Friedrich von Wieser, Hajekut iu caktua një post në institutin e sapoformuar austriak të kërkimeve për ciklin e biznesit. Ishte po këtu momenti në të cilin Hajeku u formësua dhe e shtjelloi më tej teorinë e Misesit mbi shkakun e cikleve të biznesit. Vepra në të cilën Hajeku i shtjelloi më së miri mendimet e tij mbi këtë temë ishte Çmimet dhe Prodhimi (Prices and Production (1931)) dhe më vonë Teoria e Pastër e Kapitalit (The Pure Theory of Capital (1941)).

Pasi morri një vend pune në universitetin prestigjioz London School of Economics, Hajeku ndikoi tek shumë ekonomistë anglez duke i larguar ata nga tradita Marshalliane drejtë principeve të Shkollës Austriake. I konvertuari kryesor ishte Lionel Robbins, i cili është ndër ekonomistët e rrallë jashtë Shkollës Austriake i cili i paraqiti shkaqet e ciklit të biznesit ashtu si austriakët. Po në këtë periudhë, Hajeku debatoi ashpër edhe me John Maynard Keynes në lidhje me ciklet e biznesit dhe teorinë e kapitalit në përgjithësi.

Përafërsisht në këtë periudhë Hajeku u përfshi në debatin mbi kalkulimin ekonomik dhe sistemin ekonomik të socializmit. Në dallim me Misesin i cili tha që socializmi dështon përshkak të mungesës së çmimeve të tregut që mund të rrjedhin vetëm nga prona private, e cila nuk ekziston në socializëm, Hajeku e ofroi një argument tjetër. Ai tha që roli i bashkëveprimit në treg është tejet i rëndësishëm për shpërndarjen e njohurisë në ekonomi. Kjo njohuri, e cila në vete ngërthen informata për kërkesat apo nevojat e individëve në shoqëri, shpërndahet nëpërmes mekanizmit të çmimeve të cilat natyrisht rrjedhin nga tregu. Mungesa e çmimeve të tregut i lë burokratët në errësirë sa i përket përmbushjes së nevojave të konsumatorit. Çdo përcaktim i çmimeve në formë arbitrare do t’i bënte ato të pavlefshme sepse nuk do ta reflektonin realitetin ekonomik.

Ky argument është pothuajse tërësisht produkt i kontributeve të Hajekut në procesin e tregut dhe rregullit spontan, për të cilin ai lavdërohet nga të gjithë ekonomistët anembanë. Mirëpo, ekonomisti i shquar Hans-Hermann Hoppe ka thënë që ky argument është i pavlefshëm, madje konfuz, dhe se i vetmi argument i drejtë është ai i Misesit i cili e dëshmon dështimin socialist duke e bazuar argumentin në mungesën e pronës private, e jo në mungesën e njohurisë.

Hajeku megjithatë ka lënë gjurmë të thella në luftën kundër socializmit dhe kolektivizmit me dy libra tejet të veçantë: Pohimi Fatal (The Fatal Conceit (1941)) dhe i madhi Rruga Drejt Robërisë (The Road to Serfdom (1944)). Shumë politikanë, sidomos ata të cilët kishin jetuar në regjime totalitare dhe e kishin lexuar librin fshehtazi, u ndikuan fuqishëm nga shkatërrimi që Hajeku i bëri kolektivizmit dhe socializmit në përgjithësi. Me një mendjemprehtësi të veçantë, Hajeku e analizoi procesin e kalimit nga një shoqëri përgjithësisht e lirë në një robëri në ato rrethana kur principet e lirisë lihen anash dhe shtetit i jepet mundësia për të intervenuar në ekonomi. Të shkruar në periudhën pas nazizmit e fashizmit, dhe në periudhën kur në Bashkimin Sovjetik eksperimenti socialist po linte miliona të vdekur, Pohimi dhe Rruga nxorën në dritë shumë politikanë të motivuar për liri si Margaret Thatcher, Ronald Reagan, apo rishtazi çekun Vaclav Klaus.

Pas Luftës së Dytë Botërore, Hajeku u largua nga kontributet ekonomike dhe filloi të merrej më shumë me çështje politike dhe etike. Në librin e tij Themelimi i Lirisë (The Constitution of Liberty (1960)), Hajeku tentoi ta ndërtonte një sistem normativ mbi të drejtat e njeriut dhe ta shtjelloj idenë e tij mbi një shoqëri ideale. Koncepti i tij i “dhunës” u kritikua shumë nga Murray Rothbard dhe në tentim për t’ju përgjigjur kësaj dhe kritikave tjera, Hajeku shkroi vite më vonë librin (3 vëllime) Ligji, Legjislacioni dhe Liria (Law, Legislation and Liberty (1973)). Kontributet e Hajekut në këto fusha u lanë anash duke u cilësuar shumë inferiore në krahasim me kontributet e tij në ekonomi.

Edhe pse është simbol i Shkollës Austriake, Hajeku nuk është përfaqësues i denjë i saj për shkak se mendimet e tij shpeshherë binin ndesh me principet e saj. Ekonomisti Walter Block e kritikoi qëndrimin e “butë” të Hajekut kundrejt idesë së lirisë, kurse Hans-Hermann Hoppe e quajti atë social-demokrat duke i cekur një sërë fushash në të cilat Hajeku ka propozuar që shteti të ndërhynte. Përkundër Misesit, Hajeku bëri kompromis të madh dhe kjo ishte arsyeja pse ati iu dha çmimin Nobel vetëm vdekjes së Misesit. Megjithatë, kontributet e Hajekut mbesin tejet të rëndësishme edhe për austriakët edhe për ekonomistët e rrymës kryesore. Hajeku bëri atë që e bëri Friedmani: i nxiti praktikisht shumë individë të punonin në drejtim të lirisë dhe ndriçimit të principeve ekonomike.