10 ekonomistët më të mirë të të gjitha kohërave

Etjon Basha dhe Bardhyl Salihu

4. David Ricardo (1772 – 1823)

Rikardo është njëri prej ekonomistëve kryesor, në mos kryesori, i periudhës së klasicizmit. Kontributet e tij janë aq të mëdha sa që po të nxirreshin nga fjalori i shkencës do ta lënin ekonominë një errësirë të ngjashme me antikitetin. I njohur për gabime fatale aq sa për kontribute marramendëse, Rikardo megjithatë e vlen të jetë njëri prej pesë ekonomistëve më të mirë të të gjitha kohërave. Familja e tij ishte me prejardhje portugeze dhe u vendos ne Angli pasi emigroi nga Holanda. Në moshën 21 vjeçare, Rikardo iku nga shtëpia me të dashurën e tij duke shkaktuar kështu një indinjatë të madhe në familje—babai e shpronësoi nga trashëgimia kurse e ëma nuk i foli kurrë më. Ashtu si Kontijoni, edhe Rikardo u bë i pasur në një moshë kryesisht të re duke spekuluar në bursë. Gjatë Betejës së Vaterlos, Rikardo prognozoi që Franca do të humbiste dhe investoi shumë në letra me vlerë (anglisht: securities) nga Britania. Kjo e bëri Rikardon aq të pasur sa që ai u tërhoq nga biznesi në moshën 42 vjeçare.

Deri vonë Rikardo nuk ishte i interesuar në ekonomi, por ashtu si Kontijonit, talenti i tij në biznes i ndihmoi shumë për ta parë botën më ndryshe. Në vitin 1817, Rikardo shkroi librin e tij kryesor të quajtur Principet e Ekonomisë Politike dhe Taksimit (Principles of Political Economy and Taxation (1817)). Ky libër që ndikoi shumë në shkencën e ekonomisë mund të thuhet se i përmbledh mendimet kryesore të tij.

Kontributi më i madh i Rikardos mbetet padyshim teoria e përparësive krahasuese. Aplikimi kryesor i kësaj teorie u bë në fushën e tregtisë ndërkombëtare, por kur fillon ta lexosh e kupton që ajo është baza e gjithë shkëmbimit shoqëror. Teoria e Rikardos nuk gjen përdorim vetëm kur studiohen masat proteksioniste si tarifat, por edhe kur analizohet shkëmbimi i thjeshtë në mes individëve në çfarëdo rrethana që ata gjinden. Teoria e përparësive krahasuese fillon duke e pranuar që njeriu sipas natyrës së tij ka aftësi dhe kërkesa të ndryshme të cilat i ka zhvilluar gjatë jetës. Duke qenë kësisoj, njeriu specializohet, d.m.th koncentrohet, në një fushë të caktuar të cilën di ta bëjë më së miri sepse ajo fushë i garanton atij prodhueshmërinë më të madhe dhe si rezultat përfitimet më të mëdha. Pra, duke u udhëhequr nga motivi i përfitimit, njerëzit në shoqëri pozicionohen në fusha të ndryshme të ndarjes së punës duke u bazuar në përparësitë e tyre në krahasim me individët tjerë.

Efekti shoqëror i kësaj është i njëjtë me efektin individual—rritet numri i të mirave dhe shërbimeve të prodhuara, bien çmimet dhe njerëzit bëhen më të pasur sepse mund të blejnë më shumë. Nga kjo e vërtetë e pamohueshme nuk është vështirë të nxirret përfundimi që atëherë kur njerëzit i shmangen përparësive krahasuese dhe mundohen t’i kryejnë ato punë të cilat nuk dinë t’i bëjnë më së miri prodhueshmëria e tyre do të bie. Pra, atëherë kur bukëpjekësi dëshiron të bëhet edhe rrobaqepës edhe murator, ai nuk do të jetë në gjendje të prodhoj numrin e bukëve që e arrinte kur prodhonte vetëm bukë. Por në të njëjtën kohë, atij do t’i duhej shumë e shumë kohë ta prodhoj sasinë e nevojshme të rrobave apo të kryej punët e muratorit. Në fund të fundit, ai nuk do të mund ta bënte këtë me të njëjtin kualitet të cilët e bëjnë rrobaqepësit apo muratorët e specializuar. Esenca është që shoqëria përfiton nga prodhueshmëria vetëm atëherë kur secili individ e merr rolin e tij në ndarjen e punës duke i ndjekur përparësitë krahasuese, e jo duke tentuar të zhvillojë jetë autarkie duke prodhuar gjithçka vet e duke u izoluar nga të tjerët.

Aplikimi i teorisë së përparësive krahasuese nuk ndryshon nëse i fusim kufijtë në mes shteteve në diskutim. Kufijtë mund të kenë rëndësi politike apo historike, por në shkencën e ekonomisë ata s’kanë asnjë rol të rëndësishëm sa i përket shkëmbimit shoqëror. Shkëmbimi shoqëror sipas Rikardos i sjellë të njëjtat përfitime sikur po të bëhej lokalisht, në baza regjionale apo edhe në mes shteteve. I vetmi dallim—dallim pozitiv—do të ishte që në mes shteteve mundësia për specializim do të rritej edhe më shumë dhe kësisoj prodhueshmëria dhe llojshmëria e të mirave dhe shërbimeve do të zgjerohej. Pra, sa më i madh që është shkëmbimi shoqëror, aq më i madh bëhet shumëzimi i efekteve pozitive që rrjedhin nga tregtia. Ky është përfundim logjik i cili mund të demantohet vetëm atëherë kur propozimi që 2+2 bëjnë 4 demantohet.

Megjithatë, duke jetuar në periudhën e merkantilizmit, Rikardo e dinte që një shpjegim i tillë, sado korrekt, nuk do të pranohej lehtë. Në këtë pikë shfaqet kontributi kryesor i teorisë së përparësive krahasuese: individët nuk përfitojnë nga shkëmbimi vetëm atëherë kur edhe ata kanë diçka të shesin, por edhe atëherë kur tjetri e ka përparësinë absolute ndaj tyre. Pra, edhe nëse individët e shtetit A janë më të specializuar në prodhimin e verës dhe automobilave, shkëmbimi i tyre me individët e shtetit B dhe përfitimi i dyanshëm prapë do të vlente! Individët e shtetit A mund të kenë përparësi absolute ndaj individëve të shtetit B, por ata prapëseprapë do të kenë përparësi krahasuese në mes prodhimit të verës dhe automobilave. Si rezultat, koncentrimi i tyre në prodhimin e asaj që e bëjnë më së miri, le të zëmë automobilave, dhe blerja (shkëmbimi) e verës nga individët e shtetit B do të qonte në prodhueshmëri edhe më të madhe se sa ajo situatë ku individët e shtetit A i prodhojnë edhe verën edhe automobilat. Në të njëjtën kohë, individët “inferiorë” të shtetit B do të përfitonin nga prodhimi i verës dhe shkëmbimi i saj, duke e hedhur poshtë kështu idenë primitive që shkëmbimi është lojë me shumë zero ku përfiton njëra palë në dëm të tjetrës.

Rikardo nxori një përfundim të qartë kristal: çdo herë që ndarja e punës pengohet nëpërmes tarifave, kuotave apo akcizave, të gjitha palët do të dëmtohen—edhe ato me përparësi absolute edhe ato “inferiore”. Është e vërtetë që shtetet në të cilat individët prodhojnë më shumë do të jenë më pak të prekura nga bllokadat ekonomike se sa shtetet në të cilët prodhimi është më pak i zhvilluar. Megjithatë, ky është problem i cili duhet t’i atribuohet zhvillimit ekonomik si i tillë e jo të “trajtohet” nëpërmes politikave proteksioniste të cilat vetëm sa e përkeqësojnë. Mësimi i Rikardos është shumë i nevojshëm sot në Kosovë për t’ju kundërpërgjigjur thirrjeve të disa “analistëve” që Kosova duhet t’i “mbrojë” industritë vendore duke e rritur proteksionizmin. Kur pseudo-ekonomistët i anashkalojnë mësimet elementare si këto të Rikardos, shkenca njëmend bie në errësirë të antikitetit.

Por siç u tha edhe në fillim, përkundër madhështisë së tij Rikardo është gjithashtu i njohur për gabime fatale. Teoria e përparësive krahasuese është kontributi i tij kryesor, por në librin e tij Rikardo fillon me teorinë e tij të vlerës. Duke shkruar më shumë se gjashtë dekada para se ajo të shkatërrohej, teoria standarde e vlerës e cila pranohej nga të gjithë ekonomistët klasikë ishte teoria objektive e vlerës. Sipas ekonomistëve të kohës, vlera rrjedh nga vetë objekti i cili po vlerësohet dhe është pjesë e tij e pandarë. Nga ky klasifikim, vlera u nda më tej në dy kategori: në atë të teorisë së punës dhe në atë të kostove të prodhimit. Rikardo ishte përkrahës i dyjave dhe u mundua t’i kombinoj në një. Sipas Rikardos, vlera e të mirave përcaktohej prej kostos së prodhimit të tyre; pra një automobil kishte vlerë aq sa është shpenzuar për ta prodhuar. Megjithatë, Rikardo nuk e anashkaloi teorinë e punës por thjeshtë i vëri disa parakushte para se ajo të pranohej si e tillë, kushte të cilat më vonë në libër i pa si të pa-arsyeshme dhe i largoi. Jo vetëm që klasikët e humbën toruan kur folën për vlerën, por ata edhe e ngatërruan atë me çmimin—proporcionin e shkëmbimit në mes dy të mirave.

Këto observime mund t’ju dukën të parëndësishme apo së paku jo aq tragjike sa ne themi. Por, konsideroni që e gjithë shkenca e ekonomisë bazohet në teorinë e vlerës kur i studion fenomenet tjera, sepse të gjitha këto fenomene duhet të rrjedhin nga vlera që individi ia përcakton të mirave apo shërbimeve. Ekonomizimi për të cilin flitet aq shumë në ekonomi është në fakt krahasimi në mes vlerave të ndryshme që njeriu e bënë. Pra, teoria objektive e vlerës e vëri ekonominë në një trajektore e cila qonte në qorrsokak dhe nga e cila nuk do të dilte për shumë vite. Më vonë kur Karl Marx u shfaq në skenë, ai e ndërtoi të gjithë sistemin e tij ekonomik mbi teorinë objektive të vlerës, përkatësisht teorinë e punës së vlerës, të cilën Rikardo e zhvilloi më së shumti. Shumë ekonomistë nuk kanë ngurruar ta quajnë Rikardon trampolinën me të cilën tmerri i “shkencës” Marksiste e kaploi botën.

One thought on “10 ekonomistët më të mirë të të gjitha kohërave

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *