10 ekonomistët më të mirë të të gjitha kohërave
Etjon Basha dhe Bardhyl Salihu
3. Richard Cantillon (1680-at – 1734)
Kontijoni i takon një grupi aq të vjetër të ekonomistëve sa që nuk kemi fotografi të tij. I lindur në Irlandë, ai emigroi në Francë në moshë të re dhe gjeti punë atje. Vite më vonë, pasi që bleu të gjitha aksionet e një banke e cila kishte qenë pronë e kushëririt të tij dhe duke i shfrytëzuar lidhjet dhe kontaktet që i kishte krijuar gjatë periudhës së tij më të hershme në Spanjë, Kontijoni e shëndrroi bankën në një biznes të suksesshëm. Po në këtë periudhë, ai ju bashkëngjit si partner biznesi merkantilistit të njohur, John Law, i cili ishte në krye të kompanisë Mississippi Company e cila më vonë do të shkaktonte flluskën e famshme spekulative. Shteti i Francës i dha Llaut monopolin mbi shtypjen e parave i cili e shpërdoroi këtë duke i dhënë para investitorëve që të blejnë aksione në kompaninë e tij. Gjatë kësaj periudhe, Kontijoni u pasurua shumë duke i blerë aksionet e kompanisë Mississippi Company dhe duke i shitur ato me një çmim më të lartë më vonë. Kur kompania falimentoi pasi flluska shpërthej, shumë investitorë të cilin i kishin humbur paratë e mbajtën Kontijonin përgjegjës dhe e ndoqën atë deri në fund të jetës së tij.
Talenti në biznes i dha Kontijonit një pikëpamje më të qartë mbi veprimin njerëzor dhe ekonominë në përgjithësi. Nga shumë manuskripte të tij, vetëm Ese mbi Natyrën e Tregtisë në Përgjithësi (Essai sur la Nature du Commerce en Général) i ka mbijetuar kohës. E shkruar në vitin 1730 dhe botuar në frëngjisht në vitin 1755, eseja nuk pati ndikim shumë të madh derisa u zbulua nga ekonomisti i mirënjohur anglez William Stanley Jevons në shekullin e 19-të, vepër të cilën Xhevonsi e quajti “djepin e ekonomisë moderne”. E ndikuar shumë nga njëri prej ekonomistëve të parë me ideologji laissez-faire, William Petty, eseja e Kontijonit nuk mbeti një ese e thjeshtë por u bë trajtimi i parë sistematik i shkencës së ekonomisë.
Që në fillim, metodologjia të cilën Kontijoni e përdori aty ishte e veçantë dhe dallonte dukshëm nga shkrimtarët merkantilist të kohës. Kontijoni e shihte ekonominë si shkencë e cila e studion marrëdhënien e shkaqeve dhe pasojave; marrëdhënie të cilën Kantilloi e përshkroi duke përdorur fjalën “natyrale”. Ai po ashtu ishte njëri ndër të parët i cili e përdori kualifikimin ceteris paribus për t’i izoluar faktorët tjerë jashtë konsiderimit të modeleve të tij, modele të cilat ishin formulime pioniere të kohës. Kjo metodologji e studimit i përngjan asaj të zhvilluar nga Mengeri e cila e ka për synim shpërbërjen e fenomeneve komplekse nëpërmes studimit individualist.
Në fushën e teorisë monetare, Kontijoni edhe pse besonte që të mirat e kanë një vlerë “të brendshme” (teori objektive e vlerës), drejtë së cilës gravitojnë çmimet, Kontijoni megjithatë i bëri disa përjashtime dhe dekada para se teoria të formulohej dha shenja të teorisë subjektive të vlerës. Duke ndërtuar mbi teorinë sasiore të parasë së John Locke, Kontijoni e shpjegoi më qartë efektin e inflacionit (rritjen në sasinë e parave në qarkullim) në çmime. Kontijoni tha që hyrja e parave të reja në treg nuk ndodhë në mënyrë të barabartë por shpërndahet ndryshe-ndryshe dhe ata të cilën i marrin paratë të parët kanë fuqi blerëse më të madhe sepse mund të blejnë para se çmimet të rriten. Ky observim është dëshmi shtesë që paraja nuk është “neutrale”, por që rritjet në sasinë e saj i ndryshojnë në mënyrë jo-proporcionale çmimet—fenomen i cili sot njihet si Efekti i Kontijonit.
Sa i përket tregtisë së jashtme, Kontijoni mbajti qëndrim të kundërt me merkantilistët e kohës por qëndrim i cili i huazoi disa koncepte nga ata. Për shembull, Kontijoni gjithashtu besonte që tregtia është shkëmbim me shumë zero nga e cila përfiton njëra palë në dëm të tjetrës—slogani aq i gabuar i merkantilizmit. Kontijoni e ndërtoi një model nëpërmes të cilit u shpreh që kombet me sasi të madhe të parave në qarkullim kanë më pak fuqi konkurruese se sa kombet me sasi të vogël të parave në qarkullim. Duke mos besuar që tregjet ndërkombëtare gravitojnë drejtë ekuilibrimit, Kontijoni propozoi që shteti të tërhiqte rezerva të parave, akt i cili do t’i ulte çmimet dhe do ta bënte kombin më konkurrues ndaj të huajve kur ishte nevoja. Kontijoni gjithashtu kontribuoi me një teori të interesit e cila është shumë e përafërt me atë që sot ekonomistët e pranojnë si të drejtë—oferta dhe kërkesa për hua e përcakton normën (kontribut i cili shpesh i atribuohet David Hume). Duke thënë që paratë e kursyera ndikojnë pjesërisht në normën e interesit, Kontijoni megjithatë tha që paratë e shpenzuara nuk kanë ndonjë efekt, deklarim i cili është i ngjashëm me teorinë e preferencave të likuiditetit të formuluar nga John Maynard Keynes.
Kontribut tjetër i rëndësishëm ishte përdorimi i fjalës “sipërmarrës” (anglisht: entrepreneur) dhe shpjegimi i rolit të tij në ekonomi. Kontijoni nuk ishte i pari i cili e përdori konceptin, Jean-Baptiste Say ishte, por që të dy e shihnin sipërmarrësin në mënyra të ndryshme. Përderisa Sei e shihte atë si “planifikues” (në kuptimin e menaxherit), Kontijoni e shihte atë më shumë si bartës të rrezikut dhe pasigurisë që ekziston në ekonomi (fushë e cila nuk u diskutua pothuajse fare deri kur u shfaqën veprat e Ludwig von Mises, Frank Knight dhe John Maynard Keynes). Me këtë paradigmë, Kontijoni e klasifikoi shoqërinë në dy klasa: ata individë të cilët kanë të hyra fikse dhe ata të cilët kanë të hyra të ndryshueshme. Sipërmarrësi i përket kategorisë së dytë sepse sipërmarrësit i paguajnë kostot e prodhimit por të hyrat nuk i kanë të sigurta për shkak të natyrës spekulative të kënaqjes së dëshirave të pasigurta të konsumatorëve. Në këtë kuptim, kur të tjerët e shihnin sipërmarrësin si forcë përçarëse, Kontijoni e shihte atë si forcë e cila sjellë ekuilibër në treg duke i përmbushur kërkesat e konsumatorëve.
Kontijoni mund të shihet edhe si paraardhës i teorisë së famshme të kostove të transaksionit të zhvilluar nga ekonomisti anglez Ronald Coase në vitin 1937. Duke u marrë me teorizimin hapësinor, Kontijoni e shpjegoi se si kostot e transportimit ndikojnë në vendosjen e fabrikave, tregjeve dhe qendrave të popullsisë dhe kështu sugjeroi që individët gjithmonë mundohen t’i ulin këto kosto. Kjo teori ekonomike e hapësirës e shpjegoi vendndodhjen gjeografike të tregjeve dhe përcaktimin e kostove të ndryshme në mes tyre. Kontribut tjetër i rëndësishëm i Kontijonit mbeten idetë e tij mbi popullsinë dhe rritjen e saj. Ai tha që popullsia mund të rritet vetëm atëherë kur ka kushte ekonomike të përshtatshme. Ai i ceki tri faktorë të cilët e përcaktojnë madhësinë e popullsisë: burimet natyrore, teknologjia, dhe kultura. Kësisoj, teoria e Kontijonit ishte jo vetëm e kundërt me atë të Thomas Maltus, por ishte edhe më moderne në kuptimin që i merrte parasysh një numër më të madh të faktorëve në vlerësimin e shkaqeve për rritjen e popullsisë.
Kontijoni vdiq në vitin 1734 në një zjarr në shtëpinë e tij në Londër. Ideja më e pranueshme është që Kontijoni nuk vdiq në fatkeqësi por u vra. Figura e tij misterioze u bë edhe më legjendare kur njëri prej biografëve të tij shkroi që Kontijoni e kishte simuluar vdekjen e tij për t’i ikur kërcënimeve të atyre të cilëve u kishte borxhe dhe më vonë u paraqit në Surinam me emrin Chevalier de Louvigny. Sot—dekada pas studimit dhe diskutimit të tij nga ekonomistë si Joseph Schumpeter, Friedrich A. Hayek apo Murray N. Rothbard—figura e Kontijonit e sidomos kontributi i tij ekonomik është ndriçuar më mirë se kurrë më parë. Eseja e tij brilante është baza e shumë koncepteve në shkencën e ekonomisë të cilat kanë ndryshuar por të cilat ia kanë borxh Kontijonit themelet dhe nxitjen. Është Kontijoni, e jo Adam Smith, ai i cili duhet të shihet si formuluesi i ekonomisë moderne.