Uncategorized

10 ekonomistët më të mirë të të gjitha kohërave

Etjon Basha dhe Bardhyl Salihu

2. Murray N. Rothbard (1926 – 1995)

Rothbardi është ekonomisti më i kompletuar i të gjitha kohërave. I pa-kompromis dhe rigoroz, ai tundi fuqinë e logjikës deri në përfundimet e saja të skajshme, përfundime të cilat shumë i konsideruan si radikale apo “joreale”. I lindur në një familje hebreje në Bronx të New York-ut, Rothbardi kreu universitetin dhe studimet post-diplomike në moshën 20 vjeçare në degën e matematikës në Columbia University. Gjatë viteve të 50-ta, Rothbardi ndoqi seminarin e Mises kur ai ishte në Universitetin e New York-ut dhe u ndikua përfundimisht nga libri i tij Veprimi Njerëzor (Human Action (1949, 1998)). I thirrur nga një fond për ta shkruar një libër më të thjeshtë i cili e shpjegon atë të Mises në mënyrë që t’i shërbej studentëve të ri, Rothbardi devijoi nga caku dhe përfundoi në veprën e tij kryesore të quajtur Njeriu, Ekonomia, dhe Shteti (Man, Economy, and State (1962)).

Në librin e tij, Rothbardi i ndërtoi teoritë e tij ekonomike kryesisht mbi mësimet e Mises dhe ato të anëtarëve tjerë të Shkollës Austriake. Besimtar i palëkundur i logjikës, Rothbardi e forcoi argumentin që nga metodologjia austriake e studimit të shkencës mund të nxirren të gjitha ligjet ekonomike nëpërmes deduksionit logjik. Kontributet e tij në ekonomi nuk janë shumë të veçanta nga austriakët tjerë por nganjëherë janë më mirë të argumentuara dhe shpesh herë të ndjekura deri në përfundimet e tyre të skajshme. Për shembull, kur Mises shkroi që edhe në treg të lirë mund të ekzistonte “monopoli”, Rothbardi e demantoi duke e aplikuar mirë teorinë e formimit të çmimeve dhe duke treguar se në treg të lirë është e pamundur të dallohet “çmimi monopolist” nga “çmimi i konkurrencës”. Ose kur Mises shkroi që mund të vendoste taksë neutrale e cila nuk jep rezultate ndryshe nga ato tregut, Rothbardi e quajti atë mit dhe argumentoi që çdo taksim patjetër i ndryshon parametrat ekonomikë.

Ndoshta kontributi kryesor i Rothbardit, i cili mund të veçohet më së shumti, është përsëri aplikimi i vazhdueshëm i teorive nëpërmes të cilave arriti tek përfundimi që kalkulimi ekonomik nuk është i pamundur vetëm në socializëm por edhe në një situatë ku ekziston vetëm një firmë e vetme e cila i ka nën pronësi të gjithë faktorët e prodhimit. Për shkak se në një situatë të tillë nuk do të kishte treg për mjetet kapitale, kalkulimi do të ishte i pamundur dhe si rezultat burimet do të rezervoheshin në mënyrë joefikase. Nga kjo, Rothbardi e rafinoi teorinë e monopolit duke shtuar që në treg të lirë ekziston një pikë optimale pas së cilës do të ishte kundërproduktive për firmat të zgjeroheshin. Kjo sepse zvogëlimi i tregut të mjeteve kapitale do t’i bënte informatat që vijnë nga çmimet e një tregu të tillë ta pasqyrojnë problemin e pamjaftueshmërisë më dobët. Si rezultat, rezervimi i këtyre faktorëve në divizione të ndryshme të firmës do të bëhej arbitrar dhe joefikas. Në treg të lirë, të gjitha firmat do të garonin për më shumë hise por vetëm deri në një pikë të caktuar sepse prapa saj përfitimet do të uleshin si rezultat i problemit të kalkulimit ekonomik të mjeteve kapitale.

Kontributi tjetër i Rothbardi është përshkrimi i detajuar i pasojave të intervenimit shtetëror. Duke e ndarë intervenimin në tri kategori, ai i shpjegoj pasojat e taksave, të përcaktimit të çmimeve (si pagave, ato të mirave konsumuese e kapitale, rentave, normave të interesit, etj.), të rregullacioneve e licencave të cilat e kufizojnë konkurrencën ekonomike, etj. Tipologjia e Rothbardit i eliminoi pothuajse përfundimisht hapësirat dhe papajtueshmëritë e Misesit në kritikën e tij ndaj intervenimit. Duke e ndjekur logjikën e tij, Rothbardi pyeti se pse duhet t’i lëmë tregut nën kontroll disa të mira e shërbime kurse t’i lëmë të tjerat (si policinë e gjykatat, të cilat gjithashtu janë shërbime) nën kontrollin e shtetit. Nëse pajtohemi që tregu i lirë është superior në ofrimin e disa shërbimeve, atëherë logjikisht mund të vijmë në përfundim që tregu është superior në ofrimin e çfarëdo shërbimi.

Rezultat i rigorozitetit të Rothbardit ishte formulimi i nocionit të “anarko-kapitalizmit”, një sistem shoqëror pa shtetin. Termi anarkizëm nuk u përdor për shkak se shumë anarkistë janë gjithashtu sindikalistë; e shohin tregun e lirë dhe formimin e korporatave në mënyrë elitiste ashtu si shtetin. Në fakt, Rothbardi thotë që forma më e pastër e kapitalizmit është anarkizmi, ai sistem ku shteti nuk ekziston dhe të gjitha shërbimet ofrohen në mënyrë vullnetare. Rothbardi e përshkroi pjesërisht funksionimin e një sistemi të tillë në librin Fuqia & Tregu (Power & Market (1970)) kurse pjesën tjetër në librat e tij të cilët kaluan nga fusha e ekonomisë në atë të politikës ekonomike, filozofisë dhe etikës si Për Një Liri të Re (For a New Liberty (1978)) dhe Etika e Lirisë (The Ethics of Liberty (1982)). Rothbardi është ekonomisti më i kompletuar ndonjëherë sepse i kombinoi njohuritë e tij të shkëlqyeshme të ekonomisë me një sistem normativ të drejtave natyrale pronësore mbi të cilat teoria e lirisë u ndërtua. Duke qenë i mendimit se shkenca e ekonomisë ishte wertfrei (pa gjykime), ai argumentoi që një ekonomist mundet vetëm t’i përshkruaj pasojat e procesit të tregut apo intervenimit në të. Ekonomisti qua ekonomist, pra, nuk është në pozitë të japë vlerësime normative se cila politikë duhet të ndiqet pa një teori të kompletuar të etikës dhe drejtave individuale. Duke e kundërshtuar utilitarizmin dhe idenë që Shteti është një organ i “nevojshëm” për kryerjen e disa funksioneve “jetike”, Rothbardi e ndërtoi argumentin e tij të lirisë individuale dhe ia bashkëngjiti argumenteve ekonomike. Rezultati ishte radikal, intrigues dhe, si të themi, i drejtë!

Në kapacitetin e tij si historian i shkëlqyer Rothbardi ishte enciklopedi me diapazon të gjerë mbi historinë e mendimit ekonomik. Kontributi më i madh i tij në këtë sferë ishte sfidimi i idesë që ekonomia fillon me klasikët duke thënë që kontribuuesit e parë të shkencës ishin Skolastikët si Thomas Aquinas dhe më vonë Fiziokratët në Francë. Rothbardi madje e sulmoi egërsisht idenë që Adam Smithi është i ati i ekonomisë moderne dhe formuluesi i idesë laissez-faire duke thënë që ekziston një “hapësirë shume e madhe në mes reputacionit të Smithit dhe kontributit tij të vërtetë në ekonomi”, e madje duke e konsideruar atë si plagjiat të ideve të ekonomistëve të mëhershëm. Rothbardi nuk është i vetmi i cili e konsideron Smithin tejet të mbivlerësuar; ekonomisti dhe historiani i shkëlqyer Joseph Schumpeter gjithashtu ka thënë që “Pasuria e Kombeve nuk përmban asnjë ide analitike, princip, apo metodë që ka qenë krejtësisht e re në vitin 1776.” Mendimit i bashkëngjitet edhe Misesi kur thotë që nga Smith “nuk mund të mësosh asgjë që nuk di për ekonominë”.

Rothbardi nuk ishte në mesin e shumë ekonomistëve të cilët jetuan mbi 90 vite dhe vdiq kryesisht i ri në moshën 68 vjeçare në New York City. Kontributi i tij në ekonomi dhe formulimi i teorisë së lirisë është sot thelbi i libertarianizmit modern i cili i zmbrapsë politikanët e intervencionistët edhe nga pikëpamja ekonomike edhe nga ajo etike. E gjitha kjo falë Rothbardit dhe karakterit tij tejet të guximshëm i cili ishte plot integritet, humor dhe besim në të ardhmen e lirisë.