Uncategorized

1997: me ç’moral kërkohen dëmshpërblime?

Etjon Basha

Le ta sqarojmë që në fillim që këtu nuk dua të diskutoj mbi falimentimin e ‘skemave piramidale’ që pretendohet të kenë shkaktuar trazirat e vitit 1997. Nuk kam informacion të mjaftueshëm e nuk mund të komentoj mbi operimin e këtyre shoqërive, shkaqet e falimentimit/likuidimit e tyre, nëse ky proçes ishte i pashmangshëm ose jo, ose në përgjithësi mbi bilancin e vitit 1997 (i cili për mua mbetet një veprim i mirë i marrë për qëllimet e gabuara dhe i përfunduar në dështim të përgjithshëm).

Ajo që më intereson këtu është ajo që na ka mbetur sot nga ato ngjarje: pretendimet për dëmshpërblim të qytetarëve që kanë humbur gjithë kursimet e tyre, shumëkush edhe shtëpinë, në këto skema. Sërish, këtu nuk më intereson fare nëse firmat ishin mashtruese që në fillim, nëse u mbështetën nga pushtetarët e kohës apo nga kjo apo ajo qeveri e huaj. Për të trajtuar vetëm cilësinë morale të pretendimeve për dëmshpërblim do të supozojmë që firmat piramidale ishin kompani tërësisht private që kishin për qëllim që në ditën e parë të vidhnin sa më shumë para e të zhdukeshin më vonë. Pra, do supozojmë si të vërtetë atë që besohet nga shumëkush sot.

Në këto kushte, a u lind e drejta për dëmshpërblim qytetarëve që humbën aq shumë nga këto firma mashtruese? Aspak! Përkundrazi pretendimi i mirëpranuar për të përfituar dëmshpërblim është dëshmia më e qartë që publikut të gjerë në Shqipëri i mbetet ende shumë rrugë për të pranuar realisht idealin e pronës private.

Fakti i thjeshtë dhe i pakundërshtueshëm eshët ky: firmat ‘piramidale’ në Shqipëri operonin si shoqëri anonime! Kjo do të thotë që mes këtyre kompanive dhe klientëve të tyre ishte në fuqi një kontratë e pashkruar e ndërtuar, në vija të përgjithshme, si më poshtë: “Unë, klient i shoqërisë XY, pranoj të heq dorë nga çdo detyrim që shoqëria mund të këtë kundrejt meje, në masën që ky detyrim kalon shumën Z”, ku kjo “Z”  është shuma e kapitalit të shoqërisë. Çdo herë që hyjmë në transaksione me një shoqëri anonime (ose me përgjegjësitë kufizuar) pranojmë të heqim dorë nga çdo borxh për sa kohë borxhi kalon kapitalin e shoqërisë: ky është parimi përkufizues i një shoqërie të tillë: përgjegjësia e kufizuar!

Me c’të drejtë, pra, kërkojnë ish-klientët e këtyre firmave të rimarrin një pjesë të humbjeve sot? “Firmat na garantonin x% kthim mujor në kontratë,” thuhet shpesh, “pra duke mos na paguar kanë shkelur kontratën!”. Sigurisht, por ky detyrim ekzistonte vetëm për aq kohë sa shoqëria zotëronte kapital. Në çastin që shoqërisë i përfundon kapitali (si në rast falimentimi), çdo detyrim i tillë zerohet. E tillë ka qenë marrëveshja e klientit me shoqërinë, marrëveshje tërësisht vullnetare nga të dy palët.

Në këtë pikë të debatit, kam vënë re që shumëkush tundohet të thotë që teknikalitetet ligjore me emrat dhe format e kompanive nuk kuptoheshin nga shumica dërmuese e klientëve në firmat ‘piramidale’. E çfarë pastaj? Cila gjykatë e botës që punon me dy fije mend në kokë, do pranonte injorancën si mbrojtje ligjore? “E dija që pistoleta qëllonte plumba plasteline, pra nuk jam fajtor për vrasjen e Filanit”, “Nuk e dija që ky ishte bar miu kur ia hodha burrit në çaj, pra nuk jam fajtore për vdekjen e tij”, “Nuk dija që duhet ta ktheja këtë borxhin pas një viti sepse nuk di të lexoj dhe kontratën e përdora si letër higjenike!”. Cili do i pranonte këto mbrojtje si të vlefshme? E pra, “nuk e dija” nuk është mbrojte.

Mbrojte mund të përbënte fakti që këto komani mund të mos kishin afishuar prapashtesat “sh.a.” ose “sh.p.k.” në emrat e tyre, duke e mbajtur ‘të fshehtë’ identitetin e tyre si shoqëri anonime (në këto kushte kontrata implicite e përgjegjësisë së kufizuar nuk do ishte aspak implicite por inegzistente). Mirëpo secila nga firmat piramidale e afishonte hapur statusin e saj si shoqëri më përgjegjësi të kufizuar. Nëse klienti nuk dinte se çdo të thoshte ky term, epo ky nuk mund të jetë kurrsesi faji i kompanisë. Secili duhet të paguajë vetë çmimin e informimit të tij, si dhe pasojat e mos-informimit në masën që informimi do ishte i arsyeshëm për kushtet në fjalë. Besoj se pak kush mund të vë në dyshim që të dish se në ç’lloj shoqërie po depoziton kursimet e jetës kualifikohet si “masë e arsyeshme”.

“Po firmat gëzonin mbështetjen publike të qeverisë!” Mund të keni vënë re që këtu nuk jemi fansa të mëdhenj të qeverisë (çdo qeverie) dhe mund t’ju siguroj që personalisht besoj që shteti shqiptar (dhe ca të tjerë) kanë të bënë shumë më tepër më krizën e vitit ’97 nga ç’pranohet sot. Por këto konsiderata nuk kanë pikë rëndësie në këtë rast, dhe  i mësipërmi është argumenti më i mangët që është hedhur ndonjëherë kundër shtetit në historinë e gjatë të argumenteve të sakta anti-shtetërore!

Le të zëmë që Beni luajti dhe fitoi në një kazino (ose në ndonjë bast të madh sportiv, nëse dëshironi). Tani, Miri duke parë se si Beni shleu kredinë e shtëpisë me fitimet e kazinosë, do të luajë dhe ai, dhe pyet Benin “të luaj apo jo?”. Beni, duke mos e pasur haberin fare të ligjeve të statistikës i këshillon mikut të tij të luajë, e të luajë sa më shumë pasi kështu dhe ai do mund të fitojë shumë. Kur Miri humbet gjithë shumën e luajtur në kazino, a mund të mbahet fajtor Beni për këshillën e keqe? Vetëm nëse Miri ka paguar Benin për një këshillë që rezultoi (qëllimisht) e pasaktë mund të pretendohet kthimi i pagesës, por aspak i shumës së luajtur! Në asnjë rast një këshillë që rezulton e gabuar, qëllimisht ose jo, nuk mund të sjellë detyrime ligjore (detyrimet morale janë tjetër gjë). Këshilla mbetet këshillë, dhe nuk transferon përgjegjësi tek këshilluesi. Pra, vetë fakti që Qeveria e kohës mbështeti publikisht firmat ‘piramidale’ nuk sjell në asnjë mënyrë detyrimin për dëmshpërblim nga ana e qeverisë! Për sa i përket vlerësimit moral, ai i mbetet gjithkujt.

Por edhe sikur këto argumente të binin poshtë një për një, edhe sikur vetë qeveria me duart e saj të kishin vjedhur paratë e taksapaguesve (siç ndodh për ditë) në 1997-ën, sërish sot askush nuk do mund të pretendonte dëmshpërblim. Pasi ‘qeveria’ ose ‘shteti’ nuk ekzistojnë! Paratë që kanë ia marrin taksapaguesve. Pushtetin që kanë ia marrin shoqërisë. Asgjë nuk e kanë të tyren. Thuajse çdo herë pra, që pretendohet dëmshpërblim për këtë ose atë gafë të qeverisë, ajo që po thuhet është që një grup njerëzish duhen vjedhur për ti kthyer një pjese të një grupi njerëzish që janë vjedhur para tyre një fraksion të asaj që u është vjedhur!

Ç’faj kam unë personalisht që qeveria shqiptare vodhi Filanin në filan vit, me shumë mundësi para se unë vetë të kisha lindur? Me c’të drejtë morale pra, kërkohet te përjetësohet vjedhja, të përsëritet gabimi i së shkuarës duke u transferuar, pa u shlyer kurrë, nga brezi në brez? Po sikur ne që po tatohemi sot për të dëmshpërblyer ata që humbën në 1997-ën të pretendojmë vetë dëmshpërblim nesër? Me c’të drejtë mund të na mohohet kjo kërkesë, nëse palës së parë i është pranuar? Po ata që do tatohen për të na dëmshpërblyer ne? Po ata pas tyre? Po të ndjekim këtë rrugë, duket qartë që mbarë ky arsyetim mbahet veç në vizualizimin e ‘qeverisë’ si një individ me paratë e tij. Ja që kjo nuk është e vërtetë dhe ‘dëmshpërblimi’ në realitet nuk është gjë tjetër veç një luftë brezash e institucionalizuar (ish-pronarët të ehqin konkluzionet përkatëse).

Së fundmi, mund të themi që shembulli i kazinosë që sollëm pak më sipër nuk është marrë më kotë, pasi situata e firmave ‘piramidale’ ngjante, nga ana ligjore, me dikë që luan në kazino. Ajo që ndodhi është që dikush vuri disa para për të fituar një kthim (të lartë!), kundrejt kushtit që çdo detyrim mbi shumën e kapitalit të shoqërisë do zerohej. Pra, mund të fitohej shumë, ose mund të humbej një pjesë ose deri dhe e gjithë shuma e vënë: kumar i pastër! (ose investim në bursë, për ata që kanë dijeni mbi këtë treg) Po cili do ishte ai që mund të dilte nga kazinoja, të të shihte në sy e të të kërkonte ty, një të panjohuri të plotë që thjesht po kalon andej, ti kthehesh paratë e humbura?

Për aq kohë sa një pjesë jo e vogël e popullsisë do mund të kërkojë pa iu dridhur qerpiku zhdëmtim për rrezikun që vetë pranoi të marrë përsipër, e do mund ta bëjë këtë a u turpëruar fare e madje duke gjetur miratim në çdo media dhe tavolinë bisede në vend, një greminë  e madhe do vijojë të egzistojë mes mendësisë së përgjithshme në Shqipëri dhe idealit të tregut e të pronës private, që me aq fanfarë e shpallëm këtu e 20 vjet më parë.