Etjon Basha
(në vazhdën e shkrimeve 1,2,3,4)

Vizita e së Dielës së shkuar të Papës në Shqipëri i dha rast shumëkujt të krenohej me traditën e tolerancës fetare që mbizotëron në Shqipëri. Mes atyre që krenohen ka pasur çuditërisht edhe nga ata nostalgjikë të regjimit socialist që kanë pretenduar që një pjesë jo e vogël të tolerancës së sotme fetare është krijuar, me apo pa dashje, nga fushata e egër e luftës ndaj fesë në të cilën u angazhuan Hoxha&co. (ironikisht, pikërisht ajo fushatë që u dënua ashpër gjatë vizitës së papës) Argumenti thelbësor duket të jetë ky: brezi i lindur nën regjimin socialist është dukshëm më pak fetar se brezi paraardhës. Nëse ky brez, i cili ruan sot tolerancën fetare, do të ish rritur thjesht në ndikimin e prindërve dhe nuk do i qe nënshtruar fushatës anti-fetare socialiste, pretendohet që Shqipëria do qe shumë më pak tolerante sot.