Etjon Basha
Pas një maratone të gjatë debatesh, më në fund u miratua skema e re e tarifimit të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë, pas së cilës çmimi do unifikohet në një fashë të ndërmjetme mes dy çmimeve që ngarkoheshin më parë (për konsumin deri në 300kW e për pjesën mbi ketë konsum).
Qeveria shqiptare ka qenë e palëkundur dhe e bindur në mbrojtjen e kësaj reforme, duke sjellë shumë argumente se përse një çmim unik është shumë i parapëlqyer ndaj një çmimi të shkallëzuar. Mes të tjerash, atyre që argumentonin që struktura e vjetër qe ndërtuar për ti ardhur në ndihmë familjeve me të ardhura të kufizuara, duke ngarkuar një çmim më të ulët për konsumin “thelbësor”, Qeveria u kundërpërgjigjej që skema ishte kthyer në mënyrë abuzimi e nuk ndihmonte aspak familjet e varfra, por mundësonte bizneset apo përdoruesit e tjerë të mëdhenj të ulnin faturimi me lloj-lloj manovrash.
Më tej, argumentohet që çmimi i ri do nënkuptojë që vetëm rreth 35% e familjeve Shqiptare do paguajnë më shumë për energjinë, ndërsa pjesa tjetër do paguajë po aq ose edhe më pak në krahasim me çmimin e shkallëzuar (ajo që harrohet të përmendët është që pikërisht 35%-i më i varfër do paguajë më shumë).
Ajo që nuk i paska shkuar ndër mend askujt deri më sot është që mbarë debati nuk është veçse një pasqyrimi saktë i debatit të vjetshëm mbi taksën e progresive, por me palët në kahe të kundërta!