Uncategorized

10 ekonomistët më të mirë të të gjitha kohërave

Etjon Basha dhe Bardhyl Salihu

9. Anne-Robert-Jacques Turgot (1727 – 1781)

Lindur në Francë, Turgoja konsiderohet si pasues i shkollës së “fiziokracisë”. Atij iu dha një edukim më së shumti teologjik, në të cilën studenti i ri shkëlqeu duke i hapur vetes mundësinë e një karriere premtuese në hierarkinë fetare, të cilën ai megjithatë nuk e ndoqi duke parapëlqyer përfshirjen në radhët e shërbimit civil francez. Gjatë gjithë jetës Turgoja shfaqi interes në një sërë fushash, që nga historia, letërsia, filologjia dhe shkencat natyrore dhe pjesën më të madhe të kohës së tij të lirë e kalonte duke lexuar e shkruar mbi këto fusha. Që mes detyrimeve profesionale dhe interesave të tij të shumtë Turgoja jo vetëm gjeti mundësinë të shkruante edhe mbi ekonominë, por dhe të jepte kontribute të jashtëzakonshme në këtë fushë megjithëqë duke shkruar shumë shkurt (vepra e tij më e njohur Mendime Mbi Krijimin dhe Shpërndarjen e Pasurisë (Reflections on the Formation and Distribution of Wealth (1766)) është vetëm 53 faqe e gjatë), është dëshmi e erudicionit dhe mendjemprehtësisë së pazakontë të tij.

Kontributet e tij në shkencën ekonomike janë të shumta. Të shpërndara në vepra akademike dhe shkrime enciklopedike, gjenden diskutime mbi marrëdhëniet reciproke në tregun lirë, pamundësinë e ndikimit pozitiv të shtetit në këto marrëdhënie, një diskutim (pararendës i Hayek-ut) mbi shpërndarjen e informacionit në treg, diskutim të teorive merkantiliste dhe proteksioniste mjaft të përhapura atëherë (si dhe sot), një trajtim thuajse të plotë të marrëdhënies mes sipërmarrjes, fitimeve, çmimeve dhe kostove, trajtim i konceptit të kostos oportune si dhe një teori të kursimit, normave të interesit si fenomen jo-monetar dhe vlerës së parasë si produkt i ofertës dhe kërkesës për para.

Vlen të veçohet kryesisht analiza e ndërtuar në artikullin e  vitit 1769 “Vlera dhe Paraja”, që mbeti  pabotuar për dekada. Në këtë artikull Turgoja përdor një metodologji shumë të veçantë në trajtimin e probleme të vlerës së të mirave: duke u nisur nga situata ekonomike me të cilën do përballej një individ i vetëm në një ishull, Turgoja nxori përfundime që nuk varen nga situata në fjalë apo specifikat e rastit, por gjejnë zbatim të përgjithshëm në gjithë sferën e veprimit njerëzor. Ky studim ekonomik me vonë u quajt “ekonomi e Kruzos”, duke iu referuar karakterit të njohur novelist Robinson Kruzo që mbeti i vetëm në ishull kur anija e tij u fundos, gj që e la të vetëm me natyrën.

Individi i Turgosë përballet me nevojat e mbijetesës dhe duke hetuar rreth tij nis të diskriminojë mes të mirave të ndryshme që gjen në natyrë në bazë të shërbimeve të cilat ai mendon se mund të nxirren prej tyre: ushqimi nga një pemë frutore, streha nga një guvë, etj. E njëjta e mirë mund të përdoret për disa funksione, disa prej të cilave janë dukshëm më urgjente se të tjerat.

Duke qenë se burimet në dispozicion—më së paku koha dhe energjia që duhet për të përpunuar të mirat që gjenden në natyrë—janë gjithnjë të kufizuara, individit i duhet të zgjedhë ato që në këtë kohë dhe me këtë energji të kufizuar i sigurojnë kënaqjen e nevojave më urgjente. Kështu natyrshëm këto të mira, nga më e nevojshmja tek më e parëndësishmja, gjejnë vend në shkallën e preferencave të individit e cila qëndron në bazë të zgjedhjes.

Por individit nuk i duhet të zgjedhë thjesht midis të mirave që plotësojnë nevojat e tij më urgjente, por dhe mes përdorimit të tashmë dhe atij të ardhëm të burimeve: atij i duhet të zgjedhe normën e tij të kursimit. Në këtë analizë Turgosë nuk i shpëton, si autorëve francezë para tij, ideja se vlera e çdo të mire është subjektive dhe nuk mund të gjendet një “vlerë të drejtë” e një malli më shumë nga mund të gjenden dy individë me të njëjtën shkallë preferencash. Duke shtuar që kjo vlerë subjektive nuk është as e pandryshueshme e as e njëjtë për gjithë njësitë e një të mire, Turgoja vë në dukje që vlera e një të mirë bie teksa sasia e saj rritet. Kësaj teorie vetëm koncepti i njësisë margjinale, i cili u zhvillua dekada më vonë, i mungon për të shpjeguar plotësisht fenomenin e vlerësimit ekonomik.

Me këtë sistem tashmë të ngritur, Turgoja vendos në ishullin tij një individ të dytë, dhe natyrshëm mes këtyre dy individëve lind nevoja për tregti, bazuar në po ato shkallë individuale të vlerësimit të të mirave natyrore dhe faktit të pashmangshëm të burimeve të kufizuara. Madje as fakti se sasia e kërkuar e ajo e ofruar mundet të barazohen vetëm në një çmim të vetëm ‘tregu’ nuk i shpëton analizës së tij. Së fundmi Turgoja shton edhe dy individë të tjerë, tashmë dy prodhues në konkurrencë me njëri-tjetrin, dhe vijon analizën e ndikimit të konkurrencës në prodhim në shkallët e vlerës të çdo individi.

Kjo analizë jo vetëm është gjithëpërfshirëse dhe jashtëzakonisht e mprehtë, por e ndërtuar siç është nga një situatë gjenerike dhe duke proceduar bazuar vetëm më hapa logjikë dhe universalë, ajo gjen zbatim në çdo fushë dhe situatë. Turgoja edhe këtu behej pararendës i arritjeve të mëvonshme të shkollës austriake të ekonomisë, veçanërisht metodologjisë unike të kësaj shkolle mendimi.

Sikur të mos mjaftonin ko kontribute, Turgoja, në përfundim të një karriere të suksesshme në shërbimin civil francez, mbajti postin e Ministrit të Financave në Francë në periudhën 1774-76. Në këtë kohë të shkurtër, ai arriti të vinte në zbatim masa drakonike për të vënë nën kontroll deficitin e jashtëzakonshëm buxhetor që Franca kishte në ato kohë. Ndonëse këto masa patën sukses të dukshëm, deficiti mbeti ende tepër i madh për ti lejuar Turgosë të propozonte konsolidimin e të gjitha taksave në një taksë të vetme mbi tokën.

Masat e tij të tjera, kryesorja mes së cilave ajo për liberalizmin e tregtisë së jashtme, hasën rezistencë të madhe nga qarqet e kohës, dhe vetëm mbështetja personale e Luigjit të XVI siguroi kalimin e disa prej tyre. Përfundimisht as kjo mbështetje nuk mjaftoi për të siguruar vijimësinë e tij në postin e ministrit të financave, dhe dy vjet pas emërimit Mbreti kërkoi dorëheqjen e tij.

Kështu te figura e Turgosë gërshetohen eruditi, ekonomisti i mprehtë dhe administratori praktik, tipare që u bashkuan në një ndër përpjekjet më të guximshme për të reformuar sistemin ekonomik merkantilist. Pikërisht shpërthimi i deficitit buxhetor do vinte në punë serinë e ngjarjeve që mendohet të kenë shkaktuar, vetëm një dekadë pas largimit të tij nga posti i ministrit, Revolucionin Francez dhe ekzekutimin e Luigjit të XVI.

Turgosë i takon vetëm vendi i 9 pasi, me gjithë kontributet e tij të shumta, ndikimi i tij në ekonomistët e mëpasshëm u kufizua nga ngritja e Adam Smithit në piedestalin e “babait të ekonomisë”, ndonëse kontributet e Smithit nuk janë të krahasueshme me ato të Turgosë, dhe në shumë fusha (si teoria e çmimeve) analizat e Turgosë qëndronin shumë herë më sipër se ato të Smithit. Shumë nga kontributet e tij mbetën në harresë dhe u deshën të ri-zbuloheshin nga shkolla austriake e ekonomisë në shekullin e XX.