Uncategorized

Fillimi i fundit për Euron

Bardhyl Salihu

Evropa është zyrtarisht në krizë dhe udhëheqësit e vendeve anëtare janë nën presion nga të gjitha anët. Në Britani, kryeministri David Cameron po përballet me një rebelim të anëtarëve të partisë së tij (Konservatore) për shkak të qëndrimeve pro-evropiane. Cameron u zgjodh nga britanikët euroskeptikë me premtimin që ai do të organizonte referendum mbi anëtarësinë e vendit në BE, premtim të cilin se ka mbajtur.

Sot në Bruksel, ndërkohë, udhëheqësit politik janë takuar për ta diskutuar krizën e borxheve sovrane që e ka kapluar Evropën. Në tavolinë janë tri tema kryesore: “rikapitalizimi” i bankave, rritja e fondit të “shpëtimit” për vendet në krizë, si dhe “ristrukturimi” i borxhit grek.

Çka janë këto dhe çka është duke ndodhur? Si çdo nismë tjetër politike, edhe kjo është kamufluar me terma politikisht korrekt të cilët synojnë ta fshehin realitetin ekonomik prej publikut. Politikanët dëshirojnë ti zbatojnë masat e tyre pa u penguar nga ata të cilët duhet të paguajnë për to: qytetarët e BE-së.

Për shembull, “rikapitalizimi” i bankave nuk është asgjë tjetër veçse transfer i parave nga taksapaguesit evropianë tek bankat evropiane. Në çdo rrethanë një transfer i tillë do të quhej hajni, por kur kjo hajni mbështjellët me termin “rikapitalizim” dhe institucionalizohet atëherë gjithçka është në rregull.

Fondi i “shpëtimit” është gjithashtu krijim politik për t’i nxjerrë nga kriza shtetet që kanë qenë të papërgjegjshme në veprimtarinë e tyre fiskale. Shtetet të cilat falë sistemit të dështuar të Bashkimit Monetar Evropian kanë arritur t’i akumulojnë deficitet epike në dëm të gjeneratave të ardhshme të cilat duhet ta përballojnë barrën e borxhit.

Së fundi, “ristrukturimi” i borxhit grek është term tjetër simpatik për dështimin e Qeverisë greke për t’i paguar kreditorët e saj. “Ristrukturimi” do të thotë që një pjesë e mirë e kreditorëve do të mbesin pa u paguar kurse një pjesë tjetër do të paguhet vetëm pjesërisht me kushte të veçanta.

Nuk ka dyshim që gjendja në Evropë është e zymtë. Inflacioni është në rritje, papunësia në Spanjë ka eksploduar, kurse pasiguria e bizneseve është bërë norma e ditës. Monedha e Euros ka filluar ta shoh fillimin e fundit të saj.

Si erdhi deri këtu?

Zhvillimi i krizës së borxheve është proces i gjatë dhe kompleks i cili është shkaktuar nga disa faktorë, mirëpo kryesorit janë sistemi monetar dhe mentaliteti socialist i disa shteteve anëtare.

Sistemi monetar evropian është i strukturuar në mënyrë të tillë që Banka Qendrore Evropiane i pranon bonot e qeverive të vendeve anëtare si hipotekë për kredi. Duke qenë kështu, bankat komerciale janë hedhur hovshëm në treg për të blerë bono shtetërore në mënyrë që ti depozitojnë ato si hipotekë, të marrin kredi, dhe të përfitojnë prej normave të ulëta të interesit.

Kjo i ka shkaktuar dy pasoja të mëdha: në njërën anë e ka financuar shpenzimin qeveritar duke i rritur deficitet dhe duke kontribuar në krijimin e iluzionit që sado që qeveritë shpenzojnë llogaria nuk do të vijë fare; kurse në tjetrën ka kontribuar në rritjen e sasisë së parave në qarkullim që e ka shkaktuar rritjen e çmimeve.

Ky sistem pervers, megjithatë, nuk mjafton për shkatërrimin e Euros më pak se 10 vite pasi që u vë në fuqi. Jo, këtu ka rol edhe mentaliteti socialist i qeverive si ajo e Greqisë, Spanjës, Italisë, Portugalisë, etj., të cilat kanë menduar se mund të shpërndajnë benificione të majme tek qytetarët në mënyrën më të papërgjegjshme. Është absurde që një qytetar grek ka pensione 82% të pagës kurse një qytetar gjerman, prodhimtaria e të cilit është shumë më e madhe, ka vetëm rreth 40%. Këto anomali janë produkt i premtimeve iluzionare të socializmit i cili tenton ta sjell parajsën në tokë nëpërmes shtetit.

Pasojat për Kosovën

Meqë qytetarët e Kosovës janë mbajtës të monedhës së Euros, edhe ata do të preken prej problemeve të saj. Çdo zhvlerësim i Euros do të thoshte varfërim për Kosovën sepse e ulë fuqinë blerëse të monedhës. Kursimet veniten, kostoja e jetës rritet, kurse bizneset përballen me problemin e njëjtë të pasigurisë që mbretëron tani në Evropë.

Zëvendësimi i Euros me një valutë tjetër do të nënkuptonte zhvlerësim gjithashtu, përveç nëse Kosova e adopton ndonjë standard të komoditeteve si ai i arit. Meqë diçka e tillë është pothuajse e pamundur, ekziston rreziku që sistemi monetar i ardhshëm i Kosovës të bie në duart e klasës politike me pasoja të tmerrshme për të ardhmen.

Qytetarët e Kosovës janë në mëshirën e udhëheqësve evropianë. Tani për tani, udhëheqësit evropianë nuk janë të gatshëm ti lënë të dështojnë bankat të cilat kanë bërë gabime, ti lënë të dështojnë qeveritë socialiste të cilat kanë bërë shpenzime qesharake, si dhe ti likuidojnë investimet dhe borxhet e këqija në Eurozonë. Kjo do të ishte e dhimbshme por e nevojshme, madje e pashmangshme.

Vetëm ndryshimet e menjëhershme e rrënjësore mund ta shpëtojnë Euron nga shkatërrimi. Ato po mungojnë, kështu që ky është fillimi i fundit për Euron kurse fundi i fillimit të stabilitetit që Euro i ka dhënë Kosovës.