Uncategorized

A duhet ta falënderojmë Qeverinë për ndërtimin e rrugëve?

Bardhyl Salihu

Rrugët magjistrale që janë ndërtuar dhe po ndërtohen rishtazi në Kosovë janë shpenzimi kryesor i Qeverisë qysh prej vitit 1999. Ato i ngjajnë rrugëve Evropiane, sidomos në krahasim me të vjetrat. Mbi të gjitha, ndërtimi i tyre e ka sjellë një formë optimizmi tek qytetarët për përmirësimin e infrastrukturës dhe ekonomisë në përgjithësi. Mirëpo, pavarësisht prej nevojës së rrugëve, pamjes estetike të tyre dhe përmirësimit të gjendjes infrastrukturore në Kosovë, a duhet ta falënderojmë Qeverinë për ndërtimin e tyre?

Gjëja e parë që duhet të merret nën konsideratë është që nevoja e një shpenzimi nuk do të thotë automatikisht që ai patjetër duhet të ofrohet nga Qeveria. Nuk ka dyshim që përmirësimi i infrastrukturës është i nevojshëm për zhvillimin e ekonomisë, por kjo nuk është nevoja e vetme. Kësaj i bashkëngjitet edhe nevoja për kapital, fuqi punëtore, përgatitje profesionale, sipërmarrës të suksesshëm, siguri, mbrojtje të pronës private, etj. Pra, përpos infrastrukturës, ekzistojnë edhe mijëra faktorë tjerë që janë të rëndësishëm për funksionimin e ekonomisë. Nëse pajtohemi me paradigmën që çka do që është e rëndësishme duhet të ofrohet nga shteti, s’kemi përfundim tjetër përpos socializmit. Virtyti kryesor i tregut është prirja e tij për t’i përmbushur kërkesat e konsumatorëve. Në çdo fushë ku nuk ka intervenim shtetëror, sipërmarrësit do të përkujdesen për ofrimin e shërbimeve dhe të mirave, jo nga altruizmi por nga mundësia për të përfituar. Infrastruktura nuk është klasë e të mirave që dallon nga shërbimet e përditshme, edhe ajo mund të ofrohet nga bashkëveprimi i sipërmarrësve dhe konsumatorëve në treg.

Së dyti, çdo shërbim shtetëror shpenzon pothuajse dyfish më shumë mjete për t’u realizuar se sa po të realizohej nga sipërmarrësit privatë. Arsyet për këtë janë të qarta: burokratët qeveritar nuk i përdorin paratë e tyre por paratë e huaja (të taksapaguesve). Si rrjedhim, nxitja e tyre për t’i shfrytëzuar ato në mënyrë sa ma racionale është pothuajse joekzistente. Arsyeje tjetër është që Qeveria e ka një fond pothuajse të pakufizuar të të ardhurave nëpërmes sistemit të taksave, kurse sipërmarrësit janë të kufizuar vetëm në atë që mund ta përfitojnë nga konsumatorët, huat apo emetimi i aksioneve. Kostot nuk janë të përcaktuara në formë fikse, ato mund të negociohen. Mirëpo, atëherë kur një individ (në këtë rast burokrati) është indiferent ndaj kostove, ato do të jenë sa më të larta. Kostot duhet patjetër të merren parasysh sepse përfundimi i një projekti nuk është kriteri i vetëm që vlen. Ti mund ta blesh një makinë për 1 trilion Euro dhe të thuash që e arrite cakun, por e ke bërë atë në mënyrën më jo-ekonomike. Edhe ndërtimi i rrugëve duhet të vlerësohet nëpërmes prizmit të kostos. Në këtë kuptim, taksapaguesit kanë paguar një çmim shumë të lartë për ndërtimin e rrugëve se sa do ta paguanin sipërmarrësit privatë, të cilët pastaj do të vareshin nga të ardhurat prej konsumatorëve.

Së treti, kualiteti i rrugës duhet të merret parasysh gjithashtu. Në Kosovë rrugët janë ri-ndërtuar disa herë gjatë 12 viteve të fundit pikërisht për shkak se kanë qenë të kualitetit të dobët. Qeveria jo vetëm që është joefikase në ndërtimin kualitativ të rrugëve, ajo as që ka nxitje që ato të jenë sa më të mira. Në fakt, është e njohur prirja e Qeverisë të ndërtoje rrugë të dobëta të cilat do të mund të ri-ndërtohen e nga të cilat do të vidhen më shumë para. Në anën tjetër, sipërmarrësi privat do të mundohet të ndërtojë një rrugë sa më kualitative sepse tek e fundit ajo është pronë e tij. Mbi të gjitha, do të ishte tejet jo-profitabile sikur ai ta arnonte rrugën çdo muaj sepse edhe do të jepte imazh të keq edhe do ta pengonte trafikun nga i cili merr të ardhura. Qeveria nuk i ka këto konsiderata: ajo i ndërtoi rrugët në mënyrën më të ngadaltë duke i shkaktuar pengesat më të mëdha në trafik. Në një situatë të tillë, sipërmarrësi privat do të humbiste mundësinë e përfitimeve kështu që është në interesin e tij t’i ndërtoj rrugët sa më shpejtë që është e mundur, por gjithmonë duke gjetur një balancë midis kualitetit dhe efikasitetit.

Së fundmi, mekanizmi i çmimeve është i rëndësishëm. Çmimet janë reflektim i ofertës dhe kërkesës, dhe në ato fusha ku çmimet zëvendësohen me kritere tjera (si koha e pritjes, mosha, etj) ose zbriten në zero, një kërkesë shumë e madhe nxitet kundrejt një oferte të kufizuar. Problemi i kongjestionit në Kosovë është rezultat i mungesës së çmimeve për rrugë. Ideja e të paguarit në rrugë mund të duket trishtuese, por ata të cilët mendojnë se nuk janë duke paguar për to janë nën iluzione. Në jetë nuk ka drekë falas, të gjitha duhet të paguhen. Edhe rrugët janë paguar nga taksat. Po qe se rrugët moderne do të ishin me çmime, këto çmime jo vetëm që do ta rregullonin numrin e pjesëmarrësve në komunikacion (tani gjithkush i përdorë rrugët, pati s’pati nevojë), por edhe do të ishin më të lira se sa taksat që u shpërdoruan dy herë në pagesën e kostove të rrugës. Ndër tjera, rrugët do të paguheshin vetëm prej atyre që i përdorin, jo prej të gjithë popullatës që paguan taksa.

Është e rëndësishme që rrugët të ndërtohen e infrastruktura të përmirësohet, por kjo s’do të thotë që Qeveria duhet ta bëjë këtë. Ajo është joefikase dhe e pamoralshme për shkak se nuk ka nxitje t’i ndërtoj rrugët me kualitet apo shpejt, kurse i detyron të paguajnë edhe përdoruesit edhe jo-përdoruesit. Alternativa më e mirë do të ishte ajo ku Qeveria i mbron të drejtat pronësore dhe e len tregun të lirë t’i ofrojë ato shërbime për të cilat konsumatorët kanë nevojë. Përderisa Qeveria e merr përsipër ndërtimin e rrugëve, ajo do ta ngulfat nismën private ashtu siç bënë në fushat tjera ku është e përfshirë.