Uncategorized

A e dëmtojnë subvencionet tregtare Kosovën?

Bardhyl Salihu

Njëri prej miteve kundër tregtisë së lirë i cili sillet shpesh vërdallë është ai që subvencionimi i produkteve të cilat i importon Kosova e dëmtojnë ekonominë e saj. Propagandues i këtij miti është për shembull artikulli i botuar në gazetën ZËRI (në rubrikën e opinioneve) nga z. Abaz Reçica. Arsyetimi vijon përafërsisht kështu: meqë produktet që i importon Kosova subvencionohen nga Shtetet të cilat i eksportojnë, ato mund të shiten më lirë dhe si rezultat i krijojnë konkurrencë “të padrejtë” prodhuesve vendorë. Duke qenë se prodhuesit vendorë nuk mund të garojnë me produkte kaq të lira, prodhimi vendor dekurajohet dhe ekonomia e Kosovës dëmtohet. Kjo në teorinë ekonomike kryesore njihet si “damping”.

Mbaje syrin mbi konsumatorin

Ekonomisti legjendar Murray Rothbard shkruan që sekreti i përballjes me dogmat anti-tregtare si kjo është ta mbash syrin gjithmonë mbi konsumatorin. Arsyeja? Proteksionistët e humbin toruan plotësisht dhe i japin prodhuesit rëndësi më të madhe në ekonomi se sa konsumatorit!

Ata duhet të ndalen dhe ta pyesin veten: për çfarë arsyeje zhvillohet i tërë prodhimi ekonomik? Pse lodhen sipërmarrësit t’i kombinojnë faktorët e prodhimit—fuqinë punëtore, lëndën e parë, dhe mjetet kapitale—për të prodhuar produkte finale? Natyrisht përgjigja është: për konsumatorët.

Konsumatorët janë ata që e kanë, në shprehjen e ekonomistit W. H. Hutt, “sovranitetin” mbi ekonominë. Ata i përgjigjen pyetjeve ekonomike se çka duhet të prodhohet, sa, dhe për kënd. Ata, me fuqinë e tyre për të blerë apo për të abstenuar nga blerja, e dirigjojnë tërë prodhimin ekonomik.

Sipërmarrësit të cilët prodhojnë produkte që i plotësojnë kërkesat e konsumatorëve shpërblehen me përfitim; të tjerët duhet të përballen me humbje. Kësisoj, asgjë në ekonomi nuk mund të prodhohet pa “lejen” e konsumatorëve. Në kundërshtim me dokrrat majtiste, sipërmarrësit janë shërbëtorë e jo eprorë të konsumatorëve. Nuk është habi që të gjithë qytetarët e një vendi janë konsumatorë kurse vetëm një pjesë e vogël sipërmarrës.

Është totalisht e pa-logjikshme, pra, që prodhuesve tu jepet më shumë rëndësi se konsumatorëve në zinxhirin ekonomik të rëndësisë. Kjo do të ishte sikur ti jepej më shumë rëndësi automjetit se sa udhëtarit të cilit automjeti i shërben për të lëvizur. Pra, sa herë që dogmatikët anti-tregtarë flasin për konkurrencën e “padrejtë” ne duhet t’i ndalim dhe t’i pyesim: “Por, a përfitojnë konsumatorët?”

Konsumatorët përfitojnë nga çmimet e lira

Falë subvencioneve të Shteteve tregtuese, konsumatorët në Kosovë janë në pozitë për të blerë produkte më të lira. Subvencionimi që Serbia, Bosnja, apo cilido Shtet tjetër i bënë produkteve që importohen në Kosovë i mundëson tregtarët t’i shesin këto produkte më lirë. Çmimet e lira, natyrisht, janë gjithmonë të mirëseardhura për konsumatorin. Ato e mundësojnë atë ta shpenzoj një pjesë më të vogël të ardhurave dhe ta mbajë pjesën tjetër për produkte tjera. Ato e mundësojnë atë të blejë më shumë dhe ta rrisë mirëqenien e tij. Me fjalë tjera, analiza e sofistikuar ekonomike nuk është e nevojshme për ta kuptuar që çmimet e lira janë gjithmonë në përfitim të çdo konsumatori.

Por, a e dini se kush janë humbësit e vërtetë nga kjo marrëveshje? Taksapaguesit serbë! Janë pikërisht ata nga të cilët Shteti i Serbisë e mbledh plaçkën për ta financuar skemën e subvencioneve. E tërë marrëveshja është një transfer gjigant i pasurisë prej taksapaguesve serbë tek konsumatorët e Kosovës, e realizuar natyrisht nëpërmes tregtarëve nga vendet respektive.

Ata që dyshojnë në këtë dhe që prapë i mbesin besnik mendimit që serbët e jo shqiptarët përfitojnë nga kjo lloj tregtie me Serbinë, ftohen t’i pyesin taksapaguesit serbë nëse e dëshirojnë vazhdimin e kësaj skeme. Nëse është e vërtetë që kjo e dëmton ekonominë e Kosovës kurse e lulëzon atë të Serbisë, ata do të thonë po patjetër. Por, besoj se edhe injorantët më të mëdhenj deri më tani e kanë kuptuar që privimi i konsumatorëve të Kosovës nga çmimet më të lira duke i penguar produktet e subvencionuara është akt absurd dhe anti-ekonomik.