Uncategorized

A e shkaktoi derregullimi financiar krizën ekonomike?

Bardhyl Salihu

Derregullimi—zvogëlimi i rregullave kufizuese të shtetit mbi tregjet—është shpjegimi më i përhapur për shkaqet e krizës ekonomike. Edhe pse sot në ShBA ekzistojnë 115 agjenci rregullative kurse prej viteve ’80 për çdo derregullim janë shtuar katër rregulla tjera, ky shpjegim megjithatë është bërë material për kundërshtarët e kapitalizmit dhe tregut të lirë. Sipas kundërshtarëve prandaj, kapitalizmit i duhet rregullim i fortë nga shteti në mënyrë që “ekseset” e tij të mos shkaktojnë kriza ekonomike.

Por fakti që ky shpjegim është i përhapur nuk e bën atë të drejtë, sikurse nuk e bëri pranimi i gjerë idenë që bota është e rrafshët. Një analizë e mirëfilltë tregon që ideja që derregullimi financiar e ka shkaktuar krizën jo vetëm që është faktualisht e gabuar, sepse një derregullim i tillë nuk ka ndodhur kurrë, por madje nuk përkon me atë që ka ndodhur para dhe gjatë krizës.

Reagani dhe miti i derregullimit

Tregimi mbi derregullimin i ka fillet tek mandati presidencial i Ronald Reagan në vitet ‘80. Përkrahësit e Reaganit e ruajnë me krenari imazhin e tij si mbështetës i tregut të lirë dhe derregullimit, pa e pranuar që idetë e tij kanë qenë më shumë retorikë se sa realitet.

Së pari, pjesa dërrmuese e derregullimeve të Reaganit s’kanë pasur fare të bëjnë me sistemin financiar por me fusha të ndryshme të ekonomisë. Madje, “shembujt më të spikatur të derregullimit si eliminimi i kontrollit dhe racionimit mbi naftën dhe benzinën, bashkë me derregullimin e kamionëve e linjave ajrore, u nisën të gjitha nga administrata e presidentit Carter dhe përfunduan në kohën e Reaganit mjaftë sa për t’i marrë ai meritat”. Kështu shkruan ekonomisti Murray Rothbard në një artikull ku bën vlerësimin e plotë të miteve të Reaganit. Ndërkohë, “derregullimet tjera që ishin premtuar, si largimi i kontrolleve mbi gazin natyror dhe eliminimi i Departamentit të Energjisë, nuk u realizuan kurrë”, përfundon Rothbard.

Por kur kritikët i referohen Reaganit, ata e kanë fjalën për një ligj të veçantë dhe kryesorin në fushën financiare gjatë periudhës së tij. Fjala është për ligjin të cilin Kongresi e aprovoi në vitin 1980 e që quhej “Ligji për Derregullimin e Institucioneve Depozituese dhe Kontrollin Monetar”. Duket sikur kritikët e kapitalizmit janë hutuar nga fakti që ligji përmbanë fjalën “derregullim” në të. Mirëpo ta keni parasysh: fjala derregullim nuk nënkupton ndryshim por zvogëlim të rregullave. E çfarë bëri ky ligj sa i përket zvogëlimit të rregullave?

Së pari ligji i detyroi të gjitha bankat që të harmonizohen me rregullat e bankës qendrore—Rezervës Federale. Pra, ligji nuk i dha bankave liri por i rregulloi ato duke i detyruar të veprojnë sipas diktateve të një institucioni shtetëror.

Së dyti, ligji u kërkoi bankave të paguajnë një shumë të quajtur “Fed Float” për t’i kryer këmbimet bankare në mes tyre dhe institucioneve depozituese, pra duke e rregulluar tutje veprimtarinë bankare.

Së treti, ligji e rriti shumën e depozitave të garantuara nga shteti nga $40,000 sa kishte qenë atëherë në $100,000. Kjo do të thotë që ata të cilët kanë depozita në bankë deri në atë shumë do të mbrohen nga taksapaguesit në rast se banka falimenton. Një garancë e tillë nga shteti i shtynë bankat të ndërmarrin më shumë rreziqe me paratë e depozituesve kur japin hua sepse nëse bëjnë gabime ato nuk mbeten përgjegjëse për humbjet. Ky nuk është derregullim fare por rregullim mbi taksapaguesin i cili falë detyrimit shtetëror duhet t’i vuaj pasojat e gabimeve të bankave, siç ndodhi në kohën e krizës kur taksapaguesit u detyruan t’u japin bankave plot $700 milliard.

Së katërti, ligji ia largoi fuqinë ekzekutive Bordit të Rezervës Federale për t’i përcaktuar normat e interesit në llogaritë e kursimeve. Edhe pse ky përbën një derregullim të vërtetë, de fakto Rezerva Federale gjithmonë i përcakton normat e interesit nëpërmes monopolit monetar kështu që ky ndryshim nuk ka pasur efekt dosido.

Derregullime të mirëfillta kanë qenë lejimi i institucioneve depozituese të ofrojnë llogari rrjedhëse si dhe lejimi i bankave të bashkohen. Por është e paqartë si lejimi i institucioneve depozituese të veprojnë si banka dhe brenda kornizave rregullative që vlejnë për bankat mund të ketë shkaktuar krizë ekonomike. Kurse lejimi i bashkimit bankar ka qenë prapë mjaftë problematik në praktikë sepse Departamenti i Drejtësisë dhe Komisioni Federal i Tregtisë kanë vlerësuar shpesh dhe padrejtësisht që ato janë në kundërshtim me konkurrencën e lirë.

Në përgjithësi pra, Reagani vetëm e ka mbajtur status quo-n duke e larguar një rregull e shtuar një tjetër. Është plotësisht e paqartë si këto ndryshime, apo më mirë të themi mos-ndryshime, kanë shkaktuar krizën 27 vite më vonë.

Clintoni dhe Ligji Gramm-Leach-Bliley

Edhe kryetari i simpatizuar në trojet shqiptare, Bill Clinton, nuk i ka ikur kritikave për rolin e tij në derregullimin financiar dhe shkaktimin e krizës ekonomike, përkundër pikpamjeve të tij centriste si Demokrat.

Clintoni akuzohet të ketë kontribuar në krizën ekonomike me propozimin e kongresistëve Republikanë—të quajtur Gramm-Leach-Bliley—të cilin e nënshkroi në ligj në vitin 1999. Qëllimi i Gramm-Leach-Bliley ishte ta bëj të ligjshme konsolidimin e tri llojeve të aktiviteteve biznesore, respektivisht, atyre bankare (dhënien e huave dhe pranimin e depozitave), investuese (shitblerjen e instrumenteve financiare si bonot dhe aksionet), si dhe ofrimin e shërbimeve të sigurimit.

Në vitin 1933, në dendësinë e Depresionit të Madh, këto tri aktivitete u rregulluan të bëhen ndaras nga ligji i famshëm Glass-Steagall. Gramm-Leach-Bliley e anuloi këtë nen rregullativ të Glass-Steagall duke ia rikthyer kompanive mundësinë t’i kryejnë tri aktivitetet biznesore bashkërisht. E këtu na qenka problemi sipas përkrahësve të idesë që derregullimi financiar e ka shkaktuar krizën.

Por nëse vërtetë qenka kështu, atëherë pse përjetoi ShBA plotë 10 kriza ekonomike nga viti 1933 kur bankat nuk u lejuan t’i kryejnë këto aktivitetet bashkërisht deri në vitin 1999 kur ky kufizim u largua? A nuk do duhej t’i eliminonte rregullimi i Glass-Stegall krizat ashtu siç synoi të bënte? E nëse Glass-Steagall nuk arriti ta përmbushte funksionin e tij, çfarë faji ka ligji Gramm-Leach-Bliley që e anuloi atë nen që nuk ishte funksional dosido?

Edhe nëse i lëmë këto kontradikta anash, prapë mbetet tejet e paqartë pse bankat do të ndërmerrnin rreziqe të pakontrolluara vetëm pse i kanë konsoliduar disa aktivitete biznesore që më parë ishin të ndara. Një analogji do të ishte të thuhej që kompanitë që prodhojnë automobila nuk duhet t’i prodhojnë të gjitha pjesët në një vend por duhet patjetër me ligj të detyrohen ta ndajnë prodhimin në mënyrë që industria të mos pësoj krizë!

Në fakt, si rezultat i ndarjes ekonomike të punës, edhe nëse të gjitha aktivitetet biznesore të çfarëdo lloji (financiare apo tjera) bëhen veçmas, këmbimi në mes kompanive dhe konsumatorëve prapë ndodhë. Bankat komerciale ofrojnë kredi për bankat investuese, të cilat shesin bono për kompanitë e sigurimit, të cilat blejnë bono si investim për fondet e trusteve pensionale. Këmbimi i parasë dhe instrumenteve financiare rrjedhë njësoj, sado të izoluara të jenë aktivitetet.

Kriza u karakterizua me rrezik të pakontrolluar si rezultat i sinjaleve të gabuara, por është plotësisht e paqartë se si ndarja e aktiviteteve biznesore do t’i korrigjonte këto sinjale. Madje, fleksibiliteti që Gramm-Leach-Bliley i dha kompanive i zbuti efektet negative të krizës sepse falë tij ato shpejtë u ristrukturuan për tu mbrojtur nga humbjet e mëdha.

E vendet e rregulluara?

Nëse derregullimi qenka problemi e rregullimi zgjidhja, le të shohim nëse vendet tjera me rregullim të madh financiar i kanë shpëtuar krizës. Madje, le t’i ulim kriteret, le të themi që edhe nëse kanë pësuar krizë, a ka qenë rregullimi financiar megjithatë ndihmesë për zvogëlimin e pasojave negative?

Shembulli parë që na vije ndërmend është Evropa. Në Evropë asnjëherë nuk ka qenë kryetar Reagani, kurse një ligj i tillë si Gramm-Leach-Bliley kurrë nuk u aprovua. Si djep i social-demokracisë me shtetin e saj social, në Evropë ka rregullime edhe për formën se si duhet të duken bananet.

E si ja doli Evropa me krizën, që natyrisht ndodhi? Jo vetëm që Bashkimi Evropian dështoi ta parandalojë e t’i zvogëloj pasojat e saj, kriza madje doli jashtë proporcioneve dhe u shëndrrua në një krizë tjetër të borxheve sovrane. Sot burokratët evropianë nxitojnë nëpër samite ekonomike për tu përballur me pasojat e recesionit të cilin menduan se e kishin sanuar mirë me fashën e rregullacioneve.

Përfundim

Në ShBA pra nuk ka pasur derregullim fare por rregullim të sektorit financiar. Në periudhën 2001 deri në 2008 janë futur në fuqi plotë 9 rregulla që përfshijnë edhe kërkesat kapitale të Bazelit të cilat i dhanë nxitje të fuqishme bankave t’i shesin kontratat hipotekare (të shtëpive) e t’i ri-blejnë si instrumente financiare të mbuluara nga to. Prej viteve ’80 shpenzimi federal (i përshtatur për inflacion) në fushën e rregullimit financiar është rritur trefish, kurse sektori bankar përbën një kartel gjigant të kontrolluar drejtpërdrejtë nga Rezerva Federale (banka qendrore). Të gjitha këto masa ishin të pafuqishme për ta parandaluar krizën, por e pakta që duhet të bëjnë është ta nxisin dike të dyshoj në fuqinë mitike të rregullimit dhe kapitalizmit si shkaktar.