ekonomi

A është papunësia problemi më serioz ekonomik i Shqipërisë? (pjesa 1 nga 2)

Etjon Basha

Shënim: nga koha e botimit të këtij shkrimi, opinioni im mbi çështjen e papunësisë në Trojet Shqiptare ka ndryshuar dukshëm nga sa jepet më poshtë. Sot nuk do mbroja më idenë që papunësia është thjesht problem i pagave të ulëta, por ka një element të qenësishëm “papunësie jo-vullnetare” çka përbën realisht një problem madhor për mirëqenien e Shqiptarëve. Zhvillimi i vijuar i botëkuptimit ekonomik i përmban dhe rreziqe të tilla.  Megjithatë, postimi nuk do të largohet nga blogu (Dhjetor 2016).

Është thuajse e pamundur të përzihesh në ndonjë farë debati ekonomik për ndonjë farë kohe dhe të mos dëgjosh, herët ose vonë, që papunësia është problemi më i madh i ekonomisë Shqiptare.  Analistët dhe mediat i bëjnë jehonë këtij besimi të madh që thuajse kushdo e ndan. Dhe a nuk kanë të drejtë shqiptarët të ankohen për këtë kancer bashkëkohor, që po cënon mirëqenien e qindra mijëra ose dhe miliona shqiptarëve sot?

Aspak! Papunësia nuk është aspak problemi më serioz ekonomik i Shqipërisë, sot për sot. Madje do ngulja këmbë që nuk përfshihet as ndër dhjetë më seriozët.

Si mund të flasim kështu? Le ta analizojmë këtë çështje të rëndësishme në detaj.

1)     Ç’do të thotë papunësi?

Është e habitshme, (ose ndofta jo dhe aq) që shumë pak prej atyre që mendojnë se papunësia është tragjedia ekonomike shqiptare e dinë se si përkufizohet papunësia. Në pak fjalë, dikush konsiderohet i papunë nëse është i gatshëm të punojë në punët që ofrohen, me pagën dhe kushtet që ofrohen në treg e megjithatë nuk punësohet dot.

2)     Sa është papunësia reale në Shqipëri.

Shifrat zyrtare të papunësisë flasin për norma dyshifrore, 13-17% në varësi të vitit.  Kjo shifër do ishte alarmante dhe kështu siç është, por shumëkush beson se në fakt, papunësia reale në Shqipëri është shumë më e lartë! Jo rrallë kam dëgjuar hamendje vetjake prej 30-50%! Cili prej këtyre vlerësimeve është më afër realitetit?

Asnjëri! Në fakt papunësia reale në Shqipëri është shumë më e ulët se 13%. Unë personalisht do hamendësoja diçka rreth 5%-it.

Para se të largohen nga postimi duke menduar se këtu jemi jashtë realitetit dhe nuk  e kemi idenë për gjendjen reale në Shqipëri, lejomëni të sqarohem.

3)     Shkalla e punësimit dhe shkalla e papunësisë

Hamendjet ‘popullore’ të një papunësie prej 30-50% në fakt janë pjesërisht të sakta – madje të nënvlerësuara –  nëse i referohemi shkallës së punësimit, dhe jo papunësisë. Në ekonominë shqiptare shkalla e punësimit mundet shumë mirë  të jetë 50-70% (pra 30-50% e forcës së punës nuk punësohet); por të jesh jashtë tregut të punës nuk është njësoj me të qenit i papunë! Ndryshimi mes këtyre dy treguesve është jetik: papunësia është e pavullnetshme, punësimi është vullnetar!

Nëse i rikthehemi pikës 1 ku përkufizuam punësinë, do vëmë re që papuni është i gatshëm të pranojë kushtet që ofrohen në tregun e punës, e megjithatë nuk punësohet dot. Dhe nëse si punëdhënësi ashtu dhe punëmarrësi bien dakord për kushtet e punës, e sërish nuk arrijnë të lidhin marrëveshje punë mes tyre, duhet të kuptojmë që një palë e tretë i pengon: kjo palë e tretë nuk ka kush të jetë veç shtetit.

Nga ana tjetër shkalla e punësimit tregon se ç’përqindje e forcës së punës është aktualisht në marrëdhënie pune. Por pjesa që nuk është në marrëdhënie pune, jo domosdoshmërish është e papunë: ndofta kjo pjesë e popullsisë dëshiron të mbetet jashtë tregut aktual të punës?

E pra, teza ime është që vetëm  5% e forcës së punës në Shqipëri mund të quhet me plot gojën e papunë, ndërsa 50-70% quhet e punësuar. “Kusuri” përbëhet nga ata që janë jashtë tregut të punës sepse nuk pranojnë të punojnë me kushtet (paga, profesioni, oraret) që ofrohen sot për sot në tregun e punës.

4)     Testi praktik

Për një test të shpejtë të kësaj teze, mendoni për të njohurit tuaj që konsideroni ‘të papunë’. Pyesni veten: a do pranonin të punësoheshin si kamerierë? Arkëtarë? Shoferë? Përgjigja, në përvojën time, është ‘sigurisht që jo’ në shumicën e rasteve.  Shumica e atyre që e konsiderojnë veten të papunë në Shqipëri nuk pranojnë të punësohen në tregun aktual të punës. Pagat janë tepër të ulta, kushtet tepër të këqija, punët tepër ‘të papërshtatshme’, shefat ‘mafiozë’, etj.

Nuk ka asgjë të keqe me zgjedhjen për të mos u përfshirë në tregun e punës kur kushtet e tij nuk na kënaqin. Kjo është veç shprehje e lirisë së punësimit që në Shqipëri së paku punëmarrësit e gëzojnë akoma. Por ama nëse shumica e ‘të papunëve’ parapëlqejnë të jetojnë  siç munden me para nga të afërmit në emigracion derisa të gjejnë punën që ju përshtatet (lexo: kurrë), fenomeni në asnjë mënyrë nuk mund të quhet ‘papunësi’.

5)     Testi teorik 1: rendi publik

A mund ta mbështesim këtë analizë vetëm mbi anekdota personale? Sigurisht që jo.

Në fakt arsyeja thelbësore që më shtyn të mendoj se papunësia reale në Shqipëri nuk ka se si të jetë mbi 5% është që rendi publik ruhet në qytetet Shqiptare.

Mendoni për një çast se çdo të thoshte një normë papunësia dyshifrore për 20 vite rresht: do të thoshte që për 20 vjet, një e gjashta  e popullsisë do ishte jashtë çdo lloj marrëdhënieje ekonomike me shoqërinë, nuk do përfshihej në ndarjen e punës. Kombinimi i vështirësisë ekonomike me mosinteresin për mirëqenien shoqërore (nëse nuk marr gjë nga shoqëria, sigurish humbas interesin në mirëqenien e saj) do nënkuptonte një shoqëri shumë  të paqëndrueshme. Po të shtojmë që zakonisht këta të papunë do përfshinin kryesisht meshkujt e rinj, pra pjesën fizikisht më të fuqishme dhe historikisht me agresive të shoqërisë, do duhej patjetër që revolucionet të kishin ndjekur njëri tjetrin në Shqipëri, ose së paku krimi të sundonte rrugët.

Por asnjë nga këto fenomene nuk ndodh. Rendi publik në Shqipëri është dukshëm më solid se në shumë qytete të mëdha jashtë kufijve, dhe kriminaliteti  mbetet në caqet ku nuk cënon ndarjen e punës.  Ato shqetësime që shfaqen herë pas here, shkaktohen nga arsye kulturore, dhe jo ekonomike.

Por a nuk ruhet rendi publik nga forcat e rendit? Gjithë bota e pa se sa të pafuqishme ishin ”forcat e rendit” për të vepruar kur ndarja e punës në shoqëri thyhej në Londër para pak kohësh, apo në Greqi vijimisht. Për një shembull Shqiptar, mjafton të kujtojmë muajt e 1997-ës, kur ndarja e punës thuajse rreshti. Ku ishin forcat e rendit atëherë? Jo, rendi publik është pasojë e ndarjes së punës, jo e punës së policisë. Policia më së shumti arrin të fitojnë meritën për ruajtjen e rendit, por realisht ajo është e pafuqishme të veprojë kur situata e kërkon.

Që këtu mund të themi me siguri që papunësia në Shqipëri nuk ka se si të jetë 13-17% , e jo më 30-50% siç pretendohet, pasi vendi ynë nuk i përngjan jo më ndonjë vendi afrikan, por as lagjeve më ‘shik’ të metropoleve perëndimore.

(vijon…)