A është papunësia problemi më serioz ekonomik i Shqipërisë? (pjesa 2 nga 2)
Etjon Basha
Shënim: nga koha e botimit të këtij shkrimi, opinioni im mbi çështjen e papunësisë në Trojet Shqiptare ka ndryshuar dukshëm nga sa jepet më poshtë. Sot nuk do mbroja më idenë që papunësia është thjesht problem i pagave të ulëta, por ka një element të qenësishëm “papunësie jo-vullnetare” çka përbën realisht një problem madhor për mirëqenien e Shqiptarëve. Zhvillimi i vijuar i botëkuptimit ekonomik i përmban dhe rreziqe të tilla. Megjithatë, postimi nuk do të largohet nga blogu (Dhjetor 2016).
6) Testi Teorik 2: emigracioni

Shqipëria është gjendur dy herë brenda 20 viteve të fundit në kushtet e papunësisë reale masive: pas rënies së sistemit ekonomik socialist, dhe në 1997-ën. Në të dy këto raste ndarja e punës në shoqëri mori fund, dhe një pjesë e madhe e popullsisë aktive u gjend jashtë tregut të punës kundër vullnetit të saj dhe të punëdhënësve.
Në këto kushte papunësia reale masive nisi të shkaktonte trazirat që parashikuam më sipër: rendi publik u shkatërrua në mënyrë spektakolare dhe forcat e tmerrshme të sigurisë së regjimit socialist nuk kishin fuqi të vepronin.
Situata do kish vijuar e tillë (mendoni Shqipërinë në kushtet e 97-ës vijimisht!) nëse nuk do ishte lejuar emigrimi masiv, që riktheu popullsinë në nivele optimale, dhe zhduku papunësinë masive. Janë dy nga ngjarjet më të shënuara në historinë bashkëkohore shqiptare që askush nuk ndaloi fluksin e emigrantëve në 91-shin dhe 97-ën. Nëse flota italiane ose ushtria greke do kishin bllokuar kufirin shqiptar në ato muaj jetikë, sot Shqipëria realisht do ishte tmerri që shumëkush e beson të jetë jashtë shtetit.
Nga përvoja historike dhe analiza teorike pra, do prisnim që papunësia masive, nëse realisht do ekzistonte, do shfaqej së paku në emigrim masiv, në mos në trazira civile. Por ja që as emigrim masiv nuk shohim më. Megjithëse kushtet për të lëvizur sot janë më të lehta se kurrë për shqiptarët, sërish nuk kemi largime biblike. Madje, ndofta në pak muaj rikthimi i një pjese të emigrantëve shqiptarë në Greqi do mund të sjellë, për herë të parë në shumë kohë, një fluks neto migrativ pozitiv për Shqipërinë.
Edhe në testin e emigrimit, teza që papunësia në Shqipëri qenka masive dhe endemike dështon dukshëm.
7) Shqipëria ka pagë minimale. Si mund të mos shkaktojë ky ligj papunësi?
Që ligjet e pagës minimale shkaktojnë papunësi, kjo është vënë në dukje prej kohësh, dhe në fakt nuk diskutohet më fare mes ekonomistëve. Atëherë si ka mundësi që papunësia të jetë kaq e ulët në Shqipëri, megjithëse paga minimale jo vetëm ekziston, por ritet herë pas here?
Përgjigjja është se ligji i pagës minimale nuk zbatohet me rigorozitet. Gjithashtu fakti që sindikatat shqiptare nuk janë të fuqishme në krahasim me homologet e huaja (së paku deri më sot) sigurisht që ka ndihmuar.

Sigurisht në Shqipëri ka papunësi – ndonëse jo në nivelet katastrofike që mendohet – dhe kjo papunësi nuk ka se si të shkaktohet veçse nga masat e gabuara të shtetit, kryesore mes të cilave është paga minimale. Është pra fat i madh për ekonominë shqiptare që fuqia e shtetit dhe sindikatave për të zbatuar ligjin e pagës minimal është e kufizuar, pasi dëmi, në formë trazirash të vijueshme publike ose emigrimi masiv (dhe, si pasojë, një vendi të nënpopulluar) mund të ishte shumë, shumë më i madh.
8) Me kaq shumë persona jashtë tregut të punës, a nuk po shpërdorojmë burimet tona?
Mund të arsyetohet që pak rëndësi ka ndryshimi mes papunësisë të pavullnetshme dhe papunësisë vullnetare, e cila realisht është tejet e lartë: a nuk po shpërdorojmë burimet tona të kufizuara, duke mbajtur kaq shumë veta larg tregut të punës? Përse të mos i detyrojmë të punësohen?
Majtistët nuk e kanë për gjë të kalojnë debatin nga ‘ndihma’ ndaj një grupi (“të papunët”) tek detyrimi i pastër i po këtij grupi. Po kështu, sapo majtistët kuptojnë që ‘të papunët’ në fakt nuk janë aspak të tillë, por zgjedhin të mbeten jashtë tregut të punës, kalojnë pa problem nga thirrjet për të ndihmuar këtë shtresë, tek thirrjet për ta detyruar për tu përfshirë në punë. Dhe në fakt, a nuk humbet Shqipëria nga mospunësimi I këtyre personave, qoftë vullnetar?
Problemi me këtë linjë arsyetimi është që synimi i një sistemi ekonomik nuk është maksimizimi i prodhimit, por maksimizimi i dobisë së përgjithshme (sipas rregullit Pareto). Individët në shoqëri janë qëllime në vetvete, jo mjete. Nëse prodhimi rritet duke kthyer gjithkënd ne skllav – sepse punësimi i detyruar është skllavëri – kjo nuk përbën ‘përmirësim’ të situatës, por përkeqësim. Nëse të ‘papunët’ do vlerësonin më shumë prodhimin që do lindte nga punësimi sesa kohën e lirë, do punësoheshin vetiu. Kështu, punësimi i detyruar do ulte mirëqenien, e nuk do e rriste atë. Struktura aktuale e punësimit, po të eliminojmë efektet e ndërhyrjes shtetërore me rregullime dhe tatime, është optimal për të maksimizuar mirëqenien.
Si përfundim, mund të themi që pretendimi që papunësia është problemi i parë ekonomik në Shqipëri as që i afrohet realitetit. Nga njëra anë, norma reale e papunësisë, jo vetëm nuk arrin 30-50% sa besohet, por as 13-17% sa jepet në shifra zyrtare nuk është. Po të gjykojmë nga mungesa e trazirave të vijueshme dhe/ose emigrimit masiv, norma reale e papunësisë duhet të jetë rreth 5%-it, e shkaktuar nga zbatimi i kufizuar i Kodit të Punës dhe ndërhyrjeve të tjera shtetërore në tregun e punës. Nga ana tjetër, nëse norma e punësimit është relativisht e ulët kjo nuk përbën ‘humbje’ për ekonominë, por maksimizon mirëqenien në kushtet aktuale. Në çdo rast, shqiptarët kanë sfida ekonomike shumë më të mëdha përpara tyre, dhe mund ti lejojnë vetes të harrojnë tërësisht papunësinë e kufizuar që ekziston, derisa këto probleme më të mëdha të zgjidhen.

2 thoughts on “A është papunësia problemi më serioz ekonomik i Shqipërisë? (pjesa 2 nga 2)”