Uncategorized

A kemi me të vërtetë drejta?

Bardhyl Salihu

Një pyetje e tillë mund të duket shumë filozofike, por nuk është edhe aq. Thjesht merreni një shembull praktik nga jeta e përditshme: nëse Shteti vendos njëanësisht sa një individ duhet të paguaj taksa nga paga e tij, kush është pronari i vërtetë i pagës? Nëse pronësia definohet si kontroll i plotë mbi përdorimin e pronës, atëherë del të jetë që Shteti është pronari i vërtetë i saj. Duke e përcaktuar njëanësisht se sa individi duhet të paguaj taksa, Shteti nuk po e përcakton masën e konfiskimit por pjesën të cilën i mbetet individit.

Askush nuk mund të argumentoj me sinqeritet që individi është pronar i pagës së tij përderisa ai nuk e ka edhe ndikimin më të vogël për ta përcaktuar se sa i mbetet “nën pronësi” e sa konfiskohet nga Shteti. Përderisa Shteti e përcakton masën e konfiskimit njëanësisht, ai është pronari i vërtetë e jo individi i cili e ka fituar pagën me mundin e vet. Kjo nuk vlen vetëm për të hyrat, por për të gjitha format e pronës të cilat mund të taksohen. Përfundimi i tmerrshëm është që ne nuk kemi të drejta sepse e gjithë prona “jonë” mbetet nën kontrollin tonë vetëm përderisa Shteti na gëzon mëshirë.

Nga ky observim i thjeshtë rrjedh edhe çarja kolosale në mes sektorit privat dhe atij publik. Të drejtat pronësore mund të kontestohen në veprimtarinë private, por ekzistenca e tyre asnjëherë nuk vihet në dyshim. Veprimtaria private është plotësisht legjitime përderisa nuk shkelen të drejtat e tjetrit. Madje jo vetëm kaq, në mënyrë që në sferën private të ketë çfarëdo marrëdhënie, nevojitet aprovimi i palës tjetër. Sektori privat, pra, në kuptimin etik së paku, është sistem i harmonisë.

Në sektorin publik, në anën tjetër, norma e ditës është dhuna dhe detyrimi. Asnjë aktivitet shtetëror nuk mund të realizohet pa detyrim ose shkelje të drejtave. Edhe ato aktivitete paqësore (si shërbimet publike) mund të realizohen vetëm pasi që dhuna të jetë përdorur për mbledhjen e taksave për t’i financuar ato. Duke e komentuar këtë çarje, ekonomisti i famshëm Joseph Schumpeter shkroi që “fërkimi apo antagonizmi në mes sferave private dhe publike është intensifikuar prej faktit që shteti jeton nga të ardhurat e prodhuara dhe të destinuara për sektorin privat, të cilat është dashur të largoheshin nga ai nëpërmjet forcës politike.”

Pjesërisht për t’ju përgjigjur këtij problemi është krijuar modeli i demokracisë. Në demokraci, individi “gëzon” të drejta sepse me votën e tij e përcakton trupin politik i cili ndër tjera do të marrë vendime në lidhur me taksat ndaj tij. Por, ky sistem i sundimit të shumicës, sado tërheqës, ka dështuar edhe në teori edhe në praktikë.

Së pari, demokracia nuk e garanton të drejtën e plotë të individit për të vendosur mbi përdorimin e pronës së tij. Ajo thjeshtë i jep atij mundësinë të zgjedh në mes sunduesve. Së dyti, demokracia nuk i jep atij mundësinë të bëjë zgjidhje të personalizuara, siç i bënë ai kur vendos t’i blej produktet e dëshiruara në sektorin privat. Ai është i detyruar të pranoj pako të vendimeve të cilat përfshijnë të mira e të këqija të cilat ai nuk mund t’i ndaj. Së fundi, procesi demokratik nuk është gjithmonë tërësisht funksional sepse shpesh sabotohet nga grupet e korruptuara të interesit duke sjellë rezultate krejtësisht në kundërshtim me kërkesat e shumicës.

Për t’i mbrojtur të drejtat elementare nuk nevojiten sisteme jofunksionale si demokracia. Nevojitet zvogëlimi i shkeljeve të Shtetit ndaj individit sa më shpejtë dhe sa më shumë që është e mundur. Nevojitet zvogëlimi i sektorin publik në favor të atij privat. Vetëm atëherë mund të themi sinqerisht që kemi drejta.