Uncategorized

A nënkuptojnë “përfitimet” e PTK-së që ajo s’duhet te privatizohet?

Bardhyl Salihu

Duke aluduar në “përfitimet” e saj, kundërshtarët e privatizimit te cilët e valëvisin flamurin e kuq thonë se PTK-ja duhet të mbetet pronë shtetërore. Kjo kompani është kompani “profitabile”, “strategjike” dhe është “pronë e Kosovës”, thonë ata—privatizimi nënkupton largimin e saj nga kontrolli dhe përfitimi i “popullit.”

Së pari, jam mjaftë skeptik me raportin e PTK-së i cili raporton “përfitime”. Ndoshta të hyrat janë më të mëdha se shpenzimet, por sa para janë marrë nga buxheti për ta zbutur këtë bilanc?  E nëse s’besoni që ndërmarrjet apo shteti i falsifikojnë raportet, atëherë ua propozoj filmat Enron (2000) dhe Greqia (2010).

Së dyti, ekonomistët dhe përkrahësit e tregut të lirë dhe pronës private nuk thonë që çdo ndërmarrje publike (shtetërore) kushtimisht do të pësoj vetëm humbje dhe asnjëherë përfitime. Edhe pse jam skeptik, është e mundshme që PTK-ja përkundër menaxhimin të dobët të ketë bërë përfitime njëmend. Kujtoni që PTK-ja prej pasluftës e deri në hyrjen e operatorit të dytë (IPKO-së) e kishte rrugën plotësisht të hapur dhe u plasua në treg pa konkurrencë fare. A ju kujtohen çmimet stratosferike? Pastaj, në ekonomi ekziston një koncept që quhet “efekti i rrjetit” (ang. network effect) dhe nënkupton që vlera e shërbimeve dhe produkteve rritet me rritjen e numrit të përdoruesve. Shembull klasik është telefoni; sa më shumë individë që e përdorin aq më shumë ka vlerë. Pra, efekti i rrjetit është arsyeja kryesore pse PTK-ja u etablua shumë më herët se telefonitë tjera dhe tërhoqi numrin më të madh të konsumatorëve të cilët hezitonin të kalonin tek operatorët që erdhën më vonë e në të cilët kishin pak bashkëbisedues. Për shembull, unë kam kaluar nga PTK në IPKO vetëm për shkak se PTK-ja më kërkonte çmim enorm për ç’bllokimin e kartelës, kurse më vonë i jam ri-bashkangjitur PTK-së pikërisht për shkak të efektit të rrjetit sepse më shumë shokë e shoqe e përdornin Valën. Pra, përfitimet e PTK-së duhet t’ju atribuohen faktit që ajo s’kishte konkurrencë në periudhën kur e tërhoqi numrin më të madh të konsumatorëve, e jo që Shyqyri Haxha është biznesmen i fortë.

Së treti, më përparimin e teknologjisë, edhe teknologjia e telefonisë është bërë më e lirë dhe më e thjeshtë për t’u operuar. Kjo shihet qartë kur në vendin më të varfër të Evropës ekzistojnë katër operatorë. Kjo do të thotë që PTK-ja nuk e ka aq të vështirë teknikisht të operoj me sukses e të nxjerr përfitime simbolike edhe  nën menaxhim joefikas.

Së katërti, logjika prapa privatizimit ende qëndron edhe përkundër përfitimeve. Mos harroni që ndryshe nga IPKO dhe Z mobile, PTK-ja s’ka nevojë t’i shërbej konsumatorëve që të ketë të hyra sepse duke qenë pronë shtetërore ka të drejtë mbi burimet buxhetore. Pra, atëherë kur IPKO dhe Z mobile heqin djersë për t’i shërbyer konsumatorëve—burimit të vetëm të ardhurave të tyre—PTK-ja në kohë të telasheve mund t’i tërheq disa nga taksat për ta mbuluar humbjen. Ky është dallim kolosal, sepse jo vetëm që ja heq PTK-së zinxhirët e përgjegjësisë që i vendos tregu mbi ndërmarrjet private, por edhe i dëmton konsumatorët të cilët në të njëjtën kohë janë taksapagues. Mos harroni që PTK-ja është monopol që do të thotë edhe IPKO edhe Z mobile duhet të përballen me një konkurrencë e cila nuk është fer.

Së pesti, jo vetëm monopoli i PTK-së por i gjithë tregu i telefonisë mobile është i mbrojtur nga licencat shtetërore të cilat e kufizojnë ardhjen e konkurrentëve të rinjë dhe si rezultat i dëmtojnë konsumatorët duke ua larguar atyre mundësinë e shërbimeve më kualitative dhe çmimeve më të ulëta që këta konkurrentë do ta sillnin. Për shembull, idiotësia e Qeverisë së Kosovës e ka penguar ardhjen e teknologjisë 3G në Kosovë (së paku për momentin), teknologji moderne e internetit e cila do t’i shërbente konsumatorëve dhe do ta modernizonte komunikimin. Si rezultat i licencave dhe mungesës së tenderit, Qeveria i ka larguar disa investitorë potencialë me të cilët personalisht kam bashkëpunuar e të cilët kanë mundur ta sjellin këtë teknologji. Licencat s’janë asgjë tjetër përveç pengesa burokratike nga të cilat përfitojnë politikanët e dëmtohen konsumatorët.

Por çka në lidhje me thirrjet e të kuqve të cilët thonë se privatizimi është shitje e “pasurisë së Kosovës”? Pikë së pari, “Kosova” është një term fiktiv e abstrakt i cili shërben si metaforë për t’ju drejtuar qytetarëve të cilët jetojnë aty. “Kosova” s’mund të ketë në pronësi asgjë sepse nuk është njeri; vetëm qytetari apo individi mund të jetë pronar. Thënia që PTK-ja është “pasuri e Kosovës” është aq qesharake dhe e pakuptueshme sa thënia që Hashim Thaçi është pasuri e Kosovës.

Në anën tjetër, kjo aludon që gjithçka që është private nuk i shërben qytetarëve apo nuk është pasuri e tyre. Shikoni përreth dhe do ta shihni që numri enorm i të mirave që ju shërbejnë janë produkt i firmave inovative private! Nëse besoni në idiotizmin e “pasurisë së Kosovës” atëherë ju takon të tregoheni “patriotë” dhe t’i hidhni këto të mira nga dritarja e të kërkoni nacionalizimin e plotë të ndërmarrjeve që e gjithë prona private të shëndrrohet në “pasuri të Kosovës”. Po pra, ta sillni socializmin, sepse këtu përfundon arsyetimi logjik i atyre që besojnë në gjepura të tilla.

Përkundër procesit të korruptuar që do të ndodhë, PTK-ja duhet të privatizohet sepse një dëm i madh që shuhet është më i mirë se një i mesëm që mbetet përgjithmonë. Me këtë duhet të përcillet largimi i licencave telefonike dhe pengesave të tjera të cilat e zvogëlojnë konkurrencën e i dëmtojnë qytetarët e Kosovës edhe si konsumatorë por edhe si prodhues potencialë nëse dëshirojnë të garojnë në treg. Ka ardhur koha që shteti i Kosovës të koncentrohet në shërbimet e mbrojtjes, policisë dhe gjyqësisë—e jo të përfshihet në menaxhimin socialist të ndërmarrjeve shërbimi i të cilave mund të ofrohet pakrahasim më mirë nga sektori privat.