A nënkuptojnë “përfitimet” e PTK-së që ajo s’duhet te privatizohet?
Bardhyl Salihu
Duke aluduar në “përfitimet” e saj, kundërshtarët e privatizimit te cilët e valëvisin flamurin e kuq thonë se PTK-ja duhet të mbetet pronë shtetërore. Kjo kompani është kompani “profitabile”, “strategjike” dhe është “pronë e Kosovës”, thonë ata—privatizimi nënkupton largimin e saj nga kontrolli dhe përfitimi i “popullit.”
Së pari, jam mjaftë skeptik me raportin e PTK-së i cili raporton “përfitime”. Ndoshta të hyrat janë më të mëdha se shpenzimet, por sa para janë marrë nga buxheti për ta zbutur këtë bilanc? E nëse s’besoni që ndërmarrjet apo shteti i falsifikojnë raportet, atëherë ua propozoj filmat Enron (2000) dhe Greqia (2010).
Së dyti, ekonomistët dhe përkrahësit e tregut të lirë dhe pronës private nuk thonë që çdo ndërmarrje publike (shtetërore) kushtimisht do të pësoj vetëm humbje dhe asnjëherë përfitime. Edhe pse jam skeptik, është e mundshme që PTK-ja përkundër menaxhimin të dobët të ketë bërë përfitime njëmend. Kujtoni që PTK-ja prej pasluftës e deri në hyrjen e operatorit të dytë (IPKO-së) e kishte rrugën plotësisht të hapur dhe u plasua në treg pa konkurrencë fare. A ju kujtohen çmimet stratosferike? Pastaj, në ekonomi ekziston një koncept që quhet “efekti i rrjetit” (ang. network effect) dhe nënkupton që vlera e shërbimeve dhe produkteve rritet me rritjen e numrit të përdoruesve. Shembull klasik është telefoni; sa më shumë individë që e përdorin aq më shumë ka vlerë. Pra, efekti i rrjetit është arsyeja kryesore pse PTK-ja u etablua shumë më herët se telefonitë tjera dhe tërhoqi numrin më të madh të konsumatorëve të cilët hezitonin të kalonin tek operatorët që erdhën më vonë e në të cilët kishin pak bashkëbisedues. Për shembull, unë kam kaluar nga PTK në IPKO vetëm për shkak se PTK-ja më kërkonte çmim enorm për ç’bllokimin e kartelës, kurse më vonë i jam ri-bashkangjitur PTK-së pikërisht për shkak të efektit të rrjetit sepse më shumë shokë e shoqe e përdornin Valën. Pra, përfitimet e PTK-së duhet t’ju atribuohen faktit që ajo s’kishte konkurrencë në periudhën kur e tërhoqi numrin më të madh të konsumatorëve, e jo që Shyqyri Haxha është biznesmen i fortë.
Së treti, më përparimin e teknologjisë, edhe teknologjia e telefonisë është bërë më e lirë dhe më e thjeshtë për t’u operuar. Kjo shihet qartë kur në vendin më të varfër të Evropës ekzistojnë katër operatorë. Kjo do të thotë që PTK-ja nuk e ka aq të vështirë teknikisht të operoj me sukses e të nxjerr përfitime simbolike edhe nën menaxhim joefikas.
Së katërti, logjika prapa privatizimit ende qëndron edhe përkundër përfitimeve. Mos harroni që ndryshe nga IPKO dhe Z mobile, PTK-ja s’ka nevojë t’i shërbej konsumatorëve që të ketë të hyra sepse duke qenë pronë shtetërore ka të drejtë mbi burimet buxhetore. Pra, atëherë kur IPKO dhe Z mobile heqin djersë për t’i shërbyer konsumatorëve—burimit të vetëm të ardhurave të tyre—PTK-ja në kohë të telasheve mund t’i tërheq disa nga taksat për ta mbuluar humbjen. Ky është dallim kolosal, sepse jo vetëm që ja heq PTK-së zinxhirët e përgjegjësisë që i vendos tregu mbi ndërmarrjet private, por edhe i dëmton konsumatorët të cilët në të njëjtën kohë janë taksapagues. Mos harroni që PTK-ja është monopol që do të thotë edhe IPKO edhe Z mobile duhet të përballen me një konkurrencë e cila nuk është fer.
Së pesti, jo vetëm monopoli i PTK-së por i gjithë tregu i telefonisë mobile është i mbrojtur nga licencat shtetërore të cilat e kufizojnë ardhjen e konkurrentëve të rinjë dhe si rezultat i dëmtojnë konsumatorët duke ua larguar atyre mundësinë e shërbimeve më kualitative dhe çmimeve më të ulëta që këta konkurrentë do ta sillnin. Për shembull, idiotësia e Qeverisë së Kosovës e ka penguar ardhjen e teknologjisë 3G në Kosovë (së paku për momentin), teknologji moderne e internetit e cila do t’i shërbente konsumatorëve dhe do ta modernizonte komunikimin. Si rezultat i licencave dhe mungesës së tenderit, Qeveria i ka larguar disa investitorë potencialë me të cilët personalisht kam bashkëpunuar e të cilët kanë mundur ta sjellin këtë teknologji. Licencat s’janë asgjë tjetër përveç pengesa burokratike nga të cilat përfitojnë politikanët e dëmtohen konsumatorët.
Por çka në lidhje me thirrjet e të kuqve të cilët thonë se privatizimi është shitje e “pasurisë së Kosovës”? Pikë së pari, “Kosova” është një term fiktiv e abstrakt i cili shërben si metaforë për t’ju drejtuar qytetarëve të cilët jetojnë aty. “Kosova” s’mund të ketë në pronësi asgjë sepse nuk është njeri; vetëm qytetari apo individi mund të jetë pronar. Thënia që PTK-ja është “pasuri e Kosovës” është aq qesharake dhe e pakuptueshme sa thënia që Hashim Thaçi është pasuri e Kosovës.
Në anën tjetër, kjo aludon që gjithçka që është private nuk i shërben qytetarëve apo nuk është pasuri e tyre. Shikoni përreth dhe do ta shihni që numri enorm i të mirave që ju shërbejnë janë produkt i firmave inovative private! Nëse besoni në idiotizmin e “pasurisë së Kosovës” atëherë ju takon të tregoheni “patriotë” dhe t’i hidhni këto të mira nga dritarja e të kërkoni nacionalizimin e plotë të ndërmarrjeve që e gjithë prona private të shëndrrohet në “pasuri të Kosovës”. Po pra, ta sillni socializmin, sepse këtu përfundon arsyetimi logjik i atyre që besojnë në gjepura të tilla.
Përkundër procesit të korruptuar që do të ndodhë, PTK-ja duhet të privatizohet sepse një dëm i madh që shuhet është më i mirë se një i mesëm që mbetet përgjithmonë. Me këtë duhet të përcillet largimi i licencave telefonike dhe pengesave të tjera të cilat e zvogëlojnë konkurrencën e i dëmtojnë qytetarët e Kosovës edhe si konsumatorë por edhe si prodhues potencialë nëse dëshirojnë të garojnë në treg. Ka ardhur koha që shteti i Kosovës të koncentrohet në shërbimet e mbrojtjes, policisë dhe gjyqësisë—e jo të përfshihet në menaxhimin socialist të ndërmarrjeve shërbimi i të cilave mund të ofrohet pakrahasim më mirë nga sektori privat.
Teknikisht i kemi vetem dy operatorë: Vala dhe Ipko. Sa i përket Z-Mobile (edhe D3 të cilen ke harru ta cekësh) ata janë operatorë virtualë të cilët operojnë në rrjete virtuale të Valas dhe Ipkos respektivisht.
Tjetra, te lutem diferencoje PTK dhe Vala se nuk janë të njejtat. Edhe pse nuk e di si e sa do të privatizohet, duhesh t’i dallosh këto dyja.
PTK-ja është ndërmarrja, kurse Vala është marka e shërbimit të telefonisë mobile (kësaj i shtohet edhe TKtel që është telefonia fikse dhe Posta për dërgesa). Nuk po e shoh ku i kam përzier, përvec që njëherë e kam cekur Valën për ta theksuar për cilin shërbim bëhet fjalë kur kam vendosur të kaloj nga IPKO në PTK (p.sh. kam mundur të kaloj për shkak të telefonisë fikse).
D3 më paska dalur nga mendja, por kjo vec sa e forcon argumentin tim qe ofrimi i shërbimeve të telefonisë sot është relativisht i lehtë nëse në vendin më të varfër të Evropës ekzistojnë 4 operatorë.
Fakti që Z-Mobile dhe D3 veprojnë në rrjete virtuale të mundësuara nga PTK dhe IPKO është cështje teknike dhe s’ka nevojë të konsiderohet kur flasim për problemet ekonomike. E rëndësishme është që IPKO, Z-Mobile dhe D3 janë të gjitha kompani private të cilat duhët të garojnë për shërbimet e konsumatorëve, kurse PTK është ndërmarrje shtetërore dhe nuk ka nevojë të bëjë këtë për shkak të casjes në buxhetin e Kosovës nga i cili mund t’i mbuloj shpenzimet.