ekonomi

Armët kimike dhe kufijtë e liberalizmit

Etjon Basha

1

Duke pasur parasysh reagimin e jashtëzakonshëm qytetar kundër demontimit të armëve kimike Siriane në Shqipëri, reagim që solli dhe tërheqjen e Qeverisë prej këtij pozicioni, duhen thënë dy fjalë mbi qëndrimin liberal në çështje të tilla.

Them dy fjalë pasi, fatkeqësisht, pozicioni liberal nuk është 100% i plotë dhe i kënaqshëm kur vjen çështja te vendime që prekin miliona persona në një masë të vogël dhe probabilitare.

Në thelb të mendimit (pse jo, ideologjisë) liberale qëndron Parimi i Mos-Sulmit (Non-Aggression Principle) pas të cilit çdo akt  që cënon fizikisht ose kërcënon në mënyrë të besueshme pronën dhe shëndetin e tjetërkujt duhet ndaluar dhe dënuar. Nëse një akt nuk plotëson të gjithë këto kushte njëkohësisht, ai nuk mund të ndalohet me dhunë, por mund të ndalohet me forma të tjera presioni, sa kohë ato nuk kthehen dhunë fizike.

Në pamje të parë, duket se NAP-i (le të ndjekim traditën anglo-saksone në akronime në këtë rast) na shtyn të dënojmë përpjekjen për të demontuar armët kimike në afërsi të qendrave të banuara pasi kjo mund të cënonte shëndetin e banorëve. Vetëm nëse merret miratimi individual i secilit banor do mund të vijohet me procesin, një kusht dukshëm i pamundur ky kur bëhet fjalë për miliona qytetarë.

Megjithatë, ky interpretim i parë nuk është i plotë, për dy arsye.

Së pari, demontimi i armëve kimike nuk do cënojë me siguri shëndetin e askujt, por vetëm në rast të ndonjë aksidenti ose fatkeqësie tjetër mund të çlironte sasi të mjaftueshme agjentësh që mund të dëmtonin (ose jo) shëndetin e ndonjë banori (përdorimi i herë-pas-hershëm i armëve kimike në fushëbetejë dhe në ndonjë atentat terrorist ka dëshmuar që efektiviteti i tyre është shumë i ulët). Pra, dëmi i pretenduar në shëndet është probabilitar, jo i sigurt.

Së dyti, pa hyrë shumë në detaje mund të themi që NAP-i mendohet të shërbejë jo dhe aq si një bllok i përhershëm ndaj veprimeve të caktuara, por si pararendës i negocimit: nëse dikush do të veprojë në një farë mënyre që do dëmtonte shëndetin a pronën e dikujt tjetër, do ti duhet të negociojë me palën e dëmtuar paraprakisht. Po si mund të negociosh me qindra mijëra viktima potenciale, kur dhe mohimi i një personi të vetëm do mjaftonte për ta hedhur poshtë gjithë procesin?

Në situata kur veprimi i propozuar sjell një dëm probabilitar (jo të sigurt) ndaj një numri shumë të madh personash, teoria liberale hesht, së paku sot për sot. Kështu, nuk mund të themi se cili është qëndrimi i duhur liberal në çështjen e armëve kimike.

Por nëse përgjigja liberale është e dyshimtë, parimi i ekspozuar nga protestuesit e shumtë që mbushën sheshet si rrallë më parë është tërësisht qesharak. Nëse do e ndanim mendjen të ndalonim në mënyrë konsistente çdo veprim që ka një farë probabiliteti sado të vogël për të na dëmtuar, do duhej të ndalonim automjetet, kërkimin shkencor, madje dhe hidrocentralet e mëdha në veri të cilat po të dëmtoheshin do varrosnin nën ujë qindra mijëra banorë të veriut në pak minuta. Në fakt, do duheshim detyruar të gjithë të jetonim tërë jetën nën bunkerë duke ngrënë veç asparag dhe spinaq për ta maksimizuar gjasat për të mbijetuar sa më gjatë. “Nëse kjo do mund të quhej jetë”, do shtonte David Friedmani.

Nga ana tjetër, edhe lejimi i çdo veprimi, sado i rrezikshëm, sa kohë që probabiliteti i cënimit të të tjerëve nuk është saktësisht një do në shpinte në lejimin e absurditeteve si shpërthimin e bombave atomike në qëndra të banuara sepse ka një farë probabiliteti që mekanizmi të keqfunksionojë dhe bomba të mos shpërthejë. Raste të tilla flagrante Parimi i Mos-Sulmit i konsideron si kërcënime të arsyshme, dhe i ndalon. Mirëpo ku të heqim vijën ndarëse mes kërcënimeve serioze (bomba atomike në qytet) dhe atyre jo-serioze (dalja me makinë në qytet)?

The Rock: bazuar mbi ngjarje reale
The Rock: bazuar mbi ngjarje reale

Deri në ditën kur të kemi një mekanizëm tërësisht të kënaqshëm dhe racional për të zgjidhur dilema të vështira si rasti i armëve kimike, do të na duhet të hamendësojmë mbi balancën e riskut dhe përfitimeve, rast pas rasti. Deri në atë ditë, një mekanizëm zëvendësues i arsyeshëm mund të ishte referendumi, sa kohë që e drejta e votës në të do ish e transferueshme lirshëm (do flasim tjetër herë mbi rëndësinë jetike të këtij detaji).

Në përfundim, autorit tuaj të dashur nuk i rihet pa shprehur opinionin e vet, tërësisht vetjak, mbi çështjen faktike: demontimi i armëve kimike nuk i afrohej jo më ndonjë shpërthimi bërthamor, po as rrezikut nga digat e mëdha në veri (që sidoqoftë duhen lejuar). Në këtë rast turmat e inatosura reaguan jashtë çdo mase duke cikur dhe histerinë kolektive e duke vendosur një precedent tepër të rrezikshëm për të ardhmen e shoqërisë Shqiptare. Mirëpo në mungesë të një teorie të përpiktë për tu zbatuar në këto raste, apo qoftë edhe të një referendumi të saktë, ky mbetet një mendim vetjak instiktiv.

Ishte çështje kohe para se ti vinte rradha dhe Shqipërisë
Ishte çështje kohe para se ti vinte rradha dhe Shqipërisë