Bankat, kartelet dhe normat e interesit

Bardhyl Salihu

Komisioni i Konkurrencës (KK) i është vënë pas bankave komerciale në Kosovë për të hetuar nëse ato kanë formuar kartel nëpërmes marrëveshjeve të fshehta për t’i mbajtur normat e interesit “të larta”.  Por, problemi me këtë hetim është që në treg të lirë kategorikisht nuk mund të ketë kartele. E nëse tregu bankar në Kosovë nuk është i lirë, atëherë e dimë se kujt duhet t’i vihet pas Komisioni.

Pamundësia e karteleve në treg të lirë

Ideja e përhapur është që në mungesë të intervenimit shtetëror, kompanitë e ndryshme (si bankat komerciale) mund të bashkëpunojnë duke e kufizuar rendimentin në mënyrë që t’i rrisin çmimet për produktet e tyre. Për shembull, bankat merren vesh që ta zvogëlojnë numrin e kredive të dhëna, gjë që e zvogëlon sasinë e kapitalit në treg dhe i rritë normat e interesit. Një mendim i tillë, megjithatë, nuk ka bazë të shëndoshë ekonomike as në kuptimin teorik e as në atë empirik.

Edhe pse është e vërtetë që ekziston mundësia që dy apo më shumë kompani të formojnë kartel duke bashkëpunuar, një gjë e tillë nuk mund të ndodhë në treg të lirë. Ekzistojnë dy probleme të patejkalueshme me të cilat çdo kartel në treg të lirë duhet të përballet.

Problemi i parë është që nëse bankat në Kosovë bëjnë marrëveshje për t’i ngritur normat e interesit bashkërisht, një marrëveshje e tillë krijon mundësi përfitimi për bankat të cilat ende nuk janë futur në treg. Me tu futur, bankat e reja ofrojnë norma më të ulëta të interesit për ta fituar hisen e tyre në treg. Konsumatorët menjëherë i shmangen kredive të shtrenjta të bankave të kartelizuara në favor të kredive më të lira të bankave të reja.

Pra, në vend që kartelizimi të garantoj të hyra më të mëdha për bankat nga rritja e njëtrajtshme e çmimeve, ai e garanton rrezikun e konkurrentëve të rinj në treg. Kështu, bankat e kartelizuara nuk kanë zgjidhje tjetër pos t’i kthehen konkurrencës nëse dëshirojnë që ta rifitojnë hisen e humbur të tregut si dhe t’i shmangin humbjet monetare.

Problemi i dytë është që edhe përkundër kartelit, nxitja individuale e bankave për ta thyer marrëveshjen duke i zvogëluar çmimet fshehtazi mbetet ende e fuqishme. Çdo devijim nga marrëveshja duke ofruar norma më të ulëta të interesit i garanton bankave përfitim shtesë. Edhe pse de jure karteli mund të mbetet në funksion, de fakto ai dështon kur një apo më shumë banka të kartelizuara nuk i përmbahen marrëveshjes. Kostot e kontrollimit të bankave nëse po i përmbahen marrëveshjes janë enorme dhe një gjë e tillë është pothuajse e parealizueshme, gjë që do ta bënte kartelin të pakuptimshëm.

Teoria ekonomike (Hayek, 1948, 1978; Mises, 1949; Rothbard, 1962; Armentano, 1990, 2001) e karteleve është plotësisht e mbështetur prej studimeve empirike (Armentano 1983a, 1983b, 1985, 1989, 1990, 2001; Brozen, 1974a, 1974b, DiLorenzo, 1985, 1991). Askund në historinë ekonomike nuk ka shënime të karteleve të cilat kanë mbijetuar në treg të lirë. Çdo tentim për të formuar kartele ka përfunduar në dështim dhe kthim në gjendjen e mëparshme të konkurrencës.

Kartelet në treg të rregulluar

Pra, për të funksionuar një kartel, ai duhet t’i bëjë dy gjëra: së pari duhet të krijojë barriera të hyrjes në treg për kompanitë e reja të cilat dëshirojnë t’i bëjnë atij konkurrencë; dhe së dyti duhet të garantojë që të gjithë pjesëmarrësit në marrëveshje t’i përmbahen asaj ose të dënohen.

Një strukturim i tillë mund të vijë vetëm nga Shteti. Vetëm Shteti mund ta garantojë me dhunë që askush nuk do të futet në treg për t’i bërë konkurrencë kartelit. Në po të njëjtën mënyrë, vetëm Shteti mund t’i dënojë ato banka të cilat i ulin çmimet për t’i shërbyer konsumatorëve. Pra, çdo kartel që ekziston, ekziston vetëm falë rregullimit të tregut nga Shteti e jo falë tregut të lirë.

Në Kosovë, tregu bankar nuk është tërësisht i mbyllur për bankat e reja, por pengesat e mëdha që Shteti i ka vënë për tu futur në treg mjaftojnë që bankat të ndihen të sigurta të krijojnë kartel. Shteti ka krijuar barriera në hyrje nëpërmes procesit të mundimshëm e të paarsyeshëm të licencimit dhe certifikimit të bankave të reja. Shteti gjithashtu imponon rregulla të ndryshme financiare të cilat nuk janë fare në shërbim të konsumatorit por të cilat janë të paarritshme për bankat e vogla, gjë që e dekurajon hyrjen e tyre në treg. Pengesat në lëvizjen e kapitalit bëjnë që normat e ulëta të interesit në Eurozonë të mos shfrytëzohen për infuzionin e kapitalit evropian në Kosovë.

Komisioni i Konkurrencës do të bënte punë të mirë vetëm atëherë kur e rekomandon largimin e kontrolleve shtetërore mbi konkurrencën e lirë në tregun bankar. Vetëm në situatë të tillë do të ishte formimi i karteleve i pamundshëm për bankat, gjë që do t’i ulte dukshëm normat e interesit si dhe do ta bënte mbështetjen financiare të bizneseve ekzistente dhe të ardhshme më të lehtë.

One thought on “Bankat, kartelet dhe normat e interesit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *