Uncategorized

Bashkimi anti-Evropian

Bardhyl Salihu

Me 28 tetor në Greqi u festua “Dita Jo”, një festë përkujtimore për rezistencën greke ndaj Fuqive të Boshtit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Këtë vit, megjithatë, festa pati peshë më të madhe. “Në kohën kur grekët po vuajnë nga masat e ashpra të shtrëngimit buxhetor,” shkruan gazeta NY Times, “mendimi popullor që vendi i ka dorëzuar një pjesë të sovranitetit dhe krenarisë të huajve është gjithnjë në rritje.” Sanksionet ekonomike të udhëhequra nga Gjermania i përkujtojnë grekëve okupimin Nazist, plagët e të cilit i kanë ende të hapura.


Se sa shpejtë e kanë kapluar BE-në problemet e mëdha ekonomike dhe politike që nga krijimi i Eurozonës nuk është e çuditshme aq sa fakti më kurioz që këto probleme janë duke i shtyrë vendet anëtare si Greqia drejt përçarjes dhe trazirave. Në vend që BE-ja të shërbej si proces për integrimin e vendeve evropiane përkundër llojshmërisë së tyre gjeografiko-kulturore, BE-ja është shëndrruar në një epitom anti-evropian.

Politikani euroskeptik Nigel Farage është personi më i denjë për ta përshkruar satirën evropiane. “Ironia e çuditshme e projektit të Eurozonës,” thotë Farage, “është që larg nga afrimi i njerëzve, ai i ka distancuar ata nga njëri tjetri. Grekët tani i abuzojnë gjermanët duke djegur flamuj të BE-së haptazi në Athinë me swastika të vizatuara në ta, kurse gjermanët i poshtërojnë grekët duke i quajtur përtacë dhe të padobishëm.”

Por përçarjet në BE nuk përfundojnë këtu. Javë më parë kryeministri italian Silvio Berluskoni, Qeveria e të cilit ka borxh rekord prej 119% të BPV-së, mezi e kaloi votën e besueshmërisë në parlament. Në Britani, kryeministri David Cameron po përballet me rebelim të anëtarëve të afërt të partisë të cilët kanë aderuar në partinë e tretë britanike Independence Party, politika kryesore e së cilës është ta nxjerrë Britaninë jashtë BE-së. Spanja me papunësi dyshifrore prej 21.5% (në regjionin e Andalusisë madje rreth 30.9%) kërkoi leje nga Komisioni Evropian që ta mbyll tregun e punës për shtetasit e Rumanisë dhe Bullgarisë, duke e shkelur kështu njërin prej principeve bazë të BE-së për lëvizjen e lirë të fuqisë punëtore. Në Finlandë, muaj më parë një parti pak e njohur anti-evropiane pati rritje masive 15% të votave në zgjedhjet parlamentare. Kurse së fundi, refuzimi i një partie të vogël sllovake për ta votuar marrëveshjen për borxhin grek dhe rikapitalizimin e bankave e solli koalicionin qeveritar pranë shkatërrimit.

Mekanizmi vetëshkatërrues

Përçarja dhe trazirat në BE nuk janë ndonjë ndodhi e papritur e cila ka ardhur si rezultat i gabimeve të vogla të cilat mund të korrigjohen lehtë. Vendet anëtare gjithashtu nuk mund të kthehen tek raportet e vjetra thuajse asgjë nuk ka ndodhur. Përçarjet në BE janë krijim i viteve, jo i momentit. Ato burojnë nga organizimi ekonomik dhe politik i saj i cili përmban një mekanizëm vetëshkatërrues.

Në rrafshin ekonomik, problemet e Euros janë më së miri të shtjelluara në librin e shkëlqyeshëm Tragjedia e Euros (The Tragedy of the Euro) të ekonomistit Philipp Bagus. “Banka Qendrore i pranoi bonot e Qeverisë greke si hipotekë dhe i dha hua bankave komerciale duke shtypur Euro të reja. Borxhet greke kësisoj u monetizuan. Qeveria greke i shpenzoi paratë e marra nga shitja e bonove për ta fituar dhe rritur përkrahjen në popullatën e saj. Mekanizmi nënkuptonte rishpërndarje në favor të Greqisë,” shkruan Bagus. Nuk është çudi, pra, që po e shohim fillimin e fundit për Euron.

Në rrafshin politik, shkeljet e sovranitetit të vendeve anëtare nga zgjerimi i vazhdueshëm i fuqive të BE-së janë burim tjetër i përçarjes. Fakti që tre zyrtarë të pazgjedhur mund t’i tregojnë kryeministrit grek se çka guxon dhe çka nuk guxon të bëjë e zvogëlon Greqinë në nivelin e një vendi protektorat. Problemi nuk është që Greqia qenka vend aq i rëndësishëm fati i të cilit do ta përcaktoj atë të tërë Evropës. Problemi është që ky fat mund t’i përcjell shumë lehtë edhe vendet tjera në krizë të cilat vazhdimisht janë nën syrin qortues të Gjermanisë dhe Francës, dy shtete të cilat të tani për tani vetmin shqetësim e kanë pasurimin e bankave vendore me para të taksapaguesve.

Vizioni i drejtë për Evropën

Kur idetë mbi BE-në filluan të lëvizin në vitet ’50-të, vizioni i paraparë ishte ai i liberalizmit klasik. Ai nënkuptonte lirinë e vendeve sovrane për të tregtuar më njëri tjetrin, për ta zhvilluar diplomacinë, për lëvizje të lirë të mallrave, kapitalit dhe fuqisë punëtore, për një treg të përbashkët, apo për çfarëdo bashkëpunimi tjetër përderisa sovraniteti do të njihej reciprokisht dhe vullneti i popujve të merrej parasysh.

Ky vizion, siç po shihet, nuk u realizua. Vizioni klasik liberal i Evropës u sabotua në favor të atij socialist, qëllimet e të cilit ishin shtrëngimi i fuqisë qendrore në Bruksel, rritja e taksave dhe rregullacioneve ekonomike, intervenimi ekonomik, tregu i përbashkët por i kufizuar, monedha qendrore, etj.

Është e qartë që ky vizion socialist do ta shkatërroj Evropën po qe se vazhdon. “Vizionet evropiane të liberalizmit klasik dhe socializmit janë të papajtueshme,” shkruan Bagus. Përçarjet dhe trazirat vetëm sa do të shtohen dhe ndoshta do të duhet kohë siç iu deshtë Bashkimit Sovjetik, por fundi do të jetë i pashmangshëm. Të humbur në fund do të jenë vendet e Evropës të cilat do të dalin të varfëruara nga dështimi ekonomik dhe politik i një projekti të madh etatist.

“Nuk mund t’i marrësh 27 vende të ndryshme, me 21 gjuhë të ndryshme, të gjithë me histori dhe forma të ndryshme të qeverisjes, e t’i detyrosh të futen në një formë të caktuar të qeverisjes pa miratimin e tyre,” thotë Farage, duke përfunduar që, “pyetja nuk është a kemi llogari ta lëmë BE-në, por a kemi llogari të mbesim në të.”