ekonomi

Beneluksi Ballkanik?

Etjon Basha

Një koncept interesant në EuObserver.  Siç kam shkruar më parë, një ide e mirë mbetet e tillë edhe kur krijohet për qëllime të gabuara (Shpejtimi i integrimit? Mbyllja e deficiteve tregtare?).

Në fakt, megjith formën e përbindshme që ka marrë sot, ideja fillestare e Bashkimit Evropian ishte tejet interesante: një grup shtetesh që krijojnë institucione fluide për menaxhimin e përbashkët të çështjeve të caktuara. Ideja nisi e degradoi kur pjesëmarrja në këto institucione u bë e detyruar për gjithë shtetet, dhe mbi të gjitha kur këto organizma fituan sovranitet më vete dhe kaluan nga ofrues shërbimesh në proto-shtete dhe BE-ja kaloi nga një treg shtetesh në federatë.

Zona e propozuar mes Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi dhe ‘Maqedonisë’ mund ti shmangë këto gabime, dhe ndofta dhe ti mbijetojë shkatërrimit të vetë BE-së. Të katër vendet mund të kenë lëvizje plotësisht të lirë mallrash, njerëzish dhe kapitali; Kosova dhe Shqipëria mund të shkrijnë forcat ushtarake, shërbimin diplomatik, ligat sportive, etj.; shitja e infrastrukturës shtetërore ndër-rajonale (autostrada Durrës-Prishtinë, Korridori 8, etj.) mund të bëhet e plotë dhe jo me copëza nga çdo vend i veçantë;  mund të krijohet një zonë bashkëqarkullimi monetar; e kombinime të tjera të ngjashme.

Asnjë parlament i përbashkët, asnjë komitet ministrash, asnjë buxhet unikal: thjesht bashkëpunim ad hoc aty ku ia vlen. Edhe më interesante, për të shmangur evoluimin e kësaj zone në një super-shtet të ri (që do ishte recetë për luftë civile), shërbimet  e përbashkëta mund të tenderohen nga sipërmarrja private dhe jo të manaxhohen nga organizma ndër-shtetërore që gjithnjë synojnë të fitojnë pushtet.

Në kuadrin e kësaj zone, ndarja e mëtejshme e shteteve nuk do dukej aq qesharake, por do niste të merrte kuptim. Nëse katër shtete të vogla do arrinin të krijonin një zonë ekonomike të hajrit, përse të mos kthehen në 10 shtete ose dhe në 100 qytet-shtete?

Mbetet për të parë nëse një koncept i tillë do marrë rrugë, do mbetet një ide e mirë në letër ose, më e keqja e mundshme, do degradojë në një palo-federatë etatiste.