Bomba e OKB-së: legalizimi i drogës dhe prostitucionit

Etjon Basha

Duke qenë se sinoptikanët na sigurojnë që edhe Shtatori do jetë i përshtatshëm për pushime,  duket se paskemi vend edhe për dy-tri postime me natyrë “verore”. Dhe ç’mund të jenë më verore se seksi dhe droga?

Po të vinte nga cilado organizatë (më përjashtim të atyre liberale të deklaruara), një rekomandim si i mëposhtmi do ishte i jashtëzakonshëm, por duke ditur që vjen nga vetë Kombet e Bashkuara, organizmi më majtist dhe me prirje totalitare në ketë dynja, me të vërtetë të lë pa fjalë.

Raporti 150-faqësh i komisionit “HIV-i dhe Ligji” përmban një rekomandim që për shumëkënd do tingëllojë skandaloz: legalizimi prostitucionit dhe drogave të rënda për të ulur shkallën e transmetimit të SIDA-s! Po, po, e dëgjuat mirë, Kombet e Bashkuara po propozojnë legalizimin e prostitucionit dhe drogës në shkallë globale! Do më duhet të bëj një listë të gjatë të objekteve të kultit në Tiranë e të shkoj të falem gjithë ditën për një mrekulli të tillë!

Duke lënë mënjanë sarkazmën, pozicioni liberal mbi drogën dhe prostitucionin është i qartë: sa kohë që në këto aktivitete përfshihen persona me aftësi të plotë për të vepruar (në moshë madhore dhe të pa detyruar) nuk ka asgjë të ‘gabuar’ në to.

Sigurisht, moralisht mund të ndihemi të fyer nga fakti që vajza të reja dhe jo aq të reja detyrohen ti hyjnë rrugës së prostitucionit për shkak të skamjes e që të rinjtë shkatërrojnë shëndetin e tyre duke konsumuar drogëra. Këto ndjenja janë plotësisht natyrore dhe legjitime: por liberali e kupton që askush nuk ka të drejtë të detyrojë të tjerët me dhunë të veprojnë siç mendon ai: presioni për të hequr dorë nga këto veprimtari duhet të jetë verbal, ekonomik, shoqëror dhe familjar, por kurrë i dhunshëm.

Gjithsesi, legalizimi i prostitucionit dhe drogërave në Shqipëri e Kosovë nuk do kënaqte vetëm etike liberale, por do kishte dhe efekte pozitive të menjëhershme:

1)      Përmirësim i kushteve të punës në prostitucion. Mes klientëve të dhunshëm dhe menaxhereve që shpesh janë edhe më keq, nuk është çudi që sot për sot prostitucioni mund të jetë ndër profesionet më të rrezikshme. Dhe ndryshe nga profesione të tjera të rrezikshme në treg, shpërblimi monetar nuk është dhe aq i lartë pasi shumica e të ardhurave përvetësohen nga  po këta zotërinjtë ‘menaxherë’.  Situata është skandaloze dhe vijon vetëm sepse në kushte ilegaliteti prostitutat nuk kanë alternativë tjetër ndaj tolerimit.

Nuk kemi përse ti shtojmë peshës së opinionit negativ edhen këto kushte çnjerëzore. Të gjithë personat që na dalin nëpër media duke derdhur lot krokodili për kushtet mjerane të punës të prostitutave të varfra duhet të kërkojnë me forcë legalizimin e prostitucionit, dhe jo rritjen e masave represive që situatën vetëm mund të përkeqësojnë.

2)      Eliminimi i fuqisë së krimit të organizuar. Krimi i organizuar është fenomen tepër interesant: nëse një shoqëri arrin në pikën ku thyerja sistematike e parimeve të saj morale  kthehet në biznes fitim-prurës, ka diçka që nuk shkon në thelbin e saj. Dhe krimi i organizuar në Shqipëri në Kosovë jo vetëm de me fitim, po ka grumbulluar një pushtet të tillë sa që shpesh akuzohet që kontrollon politikën e dy vendeve (dhe më gjerë).

Nuk ka përse të jetë kështu: liberalët kanë dekada që theksojnë që krimi i organizuar egziston vetëm falë ndalimit të tregtisë së mallrave apo shërbimeve të caktuara. Droga, prostitucioni, armët, kumari, gjithnjë ku kemi krim të organizuar kemi shtetin që ndalon tregtinë e ndonjërit prej këtyre artikujve duke i lënë dorë të lirë bandave kriminale të furnizojnë tregun me çmime stratosferike.

Nëse dhe ju jeni mes atyre që pezmatohen nga pushteti i supozuar i krimit të organizuar në Shqipëri dhe Kosovë, duhet të dilni qartë në favor të legalizimit të drogës dhe prostitucionit, çka do i zeronte fitimet e aktiviteteve kriminale. Lufta reale ndaj krimit të organizuar nuk mund të ndjekë rrugë tjetër.

3)      Zbutja e tensioneve sociale. Në Shqipëri dhe Kosovë përdorimi i drogave të rënda nuk duket të jetë aq i përhapur sa në shumë vende të tjera (ndryshon çështja me drogat e lehta) kështu që mund të anashkalojmë analizën e efekteve pozitive që do kishte rënia drastike e çmimit të këtyre substancave. Dua të fokusohem tek prostitucioni, legalizimi i të cilit do sillte dy pasoja tejet të dobishme në çast: do zbuste varfërinë e skajshme për këdo që vendos të përfshihet në të (pamë se si të ardhurat për prostitutën mesatare me gjithë gjasat do rriteshin dukshëm me legalizimin) dhe do zbuste tensioni mendor mes meshkujve të rinj.

Fakti i pamohueshëm është që shumica e dhunës rastësore (dhe të paraportuar) në shoqëritë tona lind nga grupmosha e meshkujve adoleshentë. Ndonëse është e vërtetë që një rritje në agresivitet është e pashmangshme në atë grupmoshë, duket se një pjesë të madhe në tendencat për të zgjidhur çdo gjë me dhunë ka dhe abstinenca e detyruar seksuale. Studime të kohëve të fundit kanë hedhur idenë interesante të korrelacionit të fortë mes lehtësisë së gjetjes së një partneri seksual dhe niveleve të dhunës në shoqëri. Shembuj të skajshëm janë shumë shoqëri të lindjes së mesme, ku poligamia është e përhapur dhe shumica e meshkujve nuk arrijnë dot të gjejnë partnere, ndofta dhe gjatë gjithë jetës. Që lindja  e mesme është një rezervuar në duke i pafund të rinjsh vetëvrasës, kjo dihet.

Kështu, ndonëse në dukje paradoksale, mbetem plotësisht i bindur që legalizimi i prostitucionit do shërbente fort për zbutjen e dhunës rastësore në shoqërinë tonë, dhe në përgjithësi do i bënte Shqipërinë dhe Kosovën vende më të këndshme për të jetuar. Që përhapja e ideologjisë liberale do qe shumë më e lehtë në një shoqëri pa tensione të tilla mendore, kjo gjithashtu më duket e qartë.

Nëse shumëkush që mund të ketë dëgjuar propozimin e komisionit të OKB-së është tmerruar duke menduar se kjo do nënkuptonte shumëfishimin e trafikut njerëzor, autorët e raportit e kanë shumë të qartë që legalizim i prostitucionin nuk do të thotë legalizim i trafiku. Përkundrazi, tashmë që do mund të ndahej industria e prostitucionit nga ajo e trafikut njerëzor, do qe shumë herë më e lehtë të ndaloje trafikun. Në çdo rast, puna e skllevërve kurrë nuk konkurron dot me punën e lirë, dhe në kushtet kur në treg do kishte operatorë që kanë hyrë lirshëm në industri, hesapi ekonomik i trafikut njerëzor me gjithë gjasat nuk do dilte më, dhe tragjedia e trafikut do rreshte vetiu. Sigurisht, nëse çdo vajzë që zgjedh me bindje të hyjë në industri e quajmë viktimë ta ‘trafikut’, atëherë ky lloj ‘trafiku’ kurrë nuk ka për të ndaluar.

Së fundmi, nëse pamja e një shoqërie tërësisht të shthurur dhe të pamoralshme ju mundon, le të shohim që legalizimi i prostitucionit me gjithë gjasat do sillte një përmirësim të moralit të përgjithshëm, pasi do hiqte nga shumëkush presionin e madh për gjetjen e një partneri seksual me çdo kusht, duke i lënë njerëzit (kryesisht adoleshentët) të lirë të shoqërohen  pa presion me njëri-tjetrin. Në fakt, nuk mund të përfytyrohet dot një shoqëri më e fortë moralisht se Perëndimi Viktorian. Gjithashtu nuk mund të përfytyrohet dot një shoqëri e tillë që mbijeton pa prostitucionin e përhapur dhe të toleruar gjerësisht (monarkët anglezë nuk e kishin për gjë të ndalonin në ndonjë prej shtëpive më të rafinuara publike të Parisit gjatë vizitave zyrtare në Francë). Është vështirë të tregohesh zotëri i kulluar kur ke shqetësime më të menjëhershme në hierarkinë e nevojave.

Botimi i komisionit të OKB-së “SIDA dhe Ligji” i jep një shans madhështor Shqipërisë dhe Kosovës: nëse deri sot një legalizim i njëanshëm i drogës dhe prostitucionit në vendet tona do na kish shkatërruar imazhin publik (me pasoja të qarta për anëtarësinë tonë në NATO dhe pozitën e Kosovës vis-a-vis Serbisë), një legalizim sot do kishte vulën e miratimit të vetë OKB-së! Do qe një verim mendjelehtë, madje dhe kriminal, të mos zaptonim ketë mundësi tepër, tepër të rrallë. Mrekullitë ndodhin një herë në brez.

 

 

 

Leave a Reply