Uncategorized

Cili është shkaktari i rritjeve të çmimeve rishtazi?

Rritja e çmimeve të disa produkteve rishtazi i ka shtyre analistët të sugjerojnë që Kosovën e ka përfshirë një valë e “inflacionit”. Produktet, çmimet e të cilave janë ngritur, janë mielli, sheqeri dhe yndyrat—të gjitha këto bazë për prodhimin e produkteve ushqimore. Analistët gjithashtu i kanë parashtruar tri shpjegime për këtë rritje dhe duke qenë se shporta e konsumatorit përbën një grup esencial të produkteve për qytetarin e rëndomtë, bëhet e rëndësishme që këto shpjegime të analizohen.

Së pari, a mund të cilësohet rritja selektive e çmimeve të disa produkteve si inflacion? Natyrisht që jo. Inflacioni si definicion është rritja e shpejtë e “nivelit” të çmimeve. Edhe pse në realitet “niveli” i çmimeve nuk ekziston (përpos në modelet imagjinare të ekonomistëve neo-klasikë), megjithatë fjalën mund ta interpretojmë si “shumë”. Pra, inflacioni është rritja e shpejtë e shumë çmimeve. Duke qenë se në Kosovë ka pasur rritje selektive (të izoluar) të çmimeve (dhe madje jo të shpejtë me “standardet e një inflacioni të rëndomtë”), kjo rritje pra nuk mund të konsiderohet si inflacion.

Faktor tjetër i cili duhet të merret parasysh është që, në fjalët e arta të Milton Friedmanit, “inflacioni është gjithmonë dhe gjithkund fenomen monetar”. Pra, inflacioni të cilin e definuam lartë mund të shfaqet vetëm kur sasia e parave në qarkullim rritet nga Banka Qendrore (ose çfarëdo institucioni që merret me politikën monetare). Deri në shekullin e 20-të fjala “inflacion” ka nënkuptuar, ashtu siç duhet, rritje në sasinë e parave e jo rritje e çmimeve. Rritja e çmimeve ështëpasojë e inflacionit.

Me qenë se Kosova e përdor Euron jo-zyrtarisht, politikat monetare të Bankës Qendrore Evropiane kanë efekte terciare në tregun kosovar (njëra prej arsyeve edhe pse Kosova nuk është përballur me krizën ekonomike apo pse përballet me norma interesi aq të larta kur në Eurozonë ato mbeten më të voglat në histori). Vetëm një inflacion masiv do të mund të kishte pasoja në Kosovë dhe kjo do të ndodhte pas një vonese të caktuar (siç njihet në anglisht si “trickle-down inflation”).

Nëse pra kemi të bëjmë me rritje selektive dhe jo inflacion, cilat janë shpjegimet e analistëve?

Shpjegimi i parë është që premtimi i Qeverisë së Kosovës për t’i rritur pagat i ka nxitur shitësit të kërkojnë çmime më të larta. Ky shpjegim është plotësisht i gabuar për tri arsyeje dhe ata analistë që i besojnë sinqerisht duhet t’i kthehen librave elementarë të ekonomisë për ta ri-shqyrtuar formësimin e çmimeve në treg.

Arsyeja e parë është që: çmimet gjithmonë përcaktohen nga oferta dhe kërkesa. Pa një rritje në kërkesë, në konsum, s’mund të ketë rritje të çmimeve—ceteris paribus. Bizneset nuk veprojnë në bazë të premtimeve për rritjen e konsumit por në bazë të rritjeve reale që vërehen në treg. Me qenë se qëllimi i tyre është ta “pastrojnë inventarin” (ta barazojnë kërkesën me ofertën), ato duhet të bazohen në kërkesën e vërtetë e jo në atë të premtuar. Ky argument venitet edhe më shumë kur e marrim parasysh që vetëm shtresa më naive e popullsisë i ka besuar premtimeve palaço të Qeverisë së Kosovës. Bizneset naive nuk ekzistojnë.

Arsyeja e dytë është që: edhe po të ishte ky shpjegim korrekt, atëherë pse nuk ka rritje të përgjithshme të çmimeve? A vetëm bukëpjekësit, sheqer-shitësit dhe mullinjtë e paskan parashikuar rritjen në konsum? Ku janë mijëra biznese e produkte tjera?

Arsyeja e tretë është që: edhe po t’i rriste pagat Qeveria e Kosovës, pa inflacion, prapë, s’mund të ketë rritje të përgjithshme të çmimeve. Ligji i Sayit thotë që në treg s’mund të ketë mbiprodhim të përgjithshëm—vetëm mbiprodhim në pjesë të tregut në barrë të nënprodhimeve në pjesë tjera. Pra, edhe po të rriteshin pagat dhe të stimulohej konsumi në një pjesë të tregut (për shembull në produktet që përbëjnë shportën e konsumatorit), do të kishte rënie në shpenzimet qeveritare (për shembull në infrastrukturë, polici, rrymë) sepse Qeveria do të kishte më pak para në dorë. Pra rritja e konsumit në produktet X do të anulohej saktësisht nga ulja e konsumit në produktet Y.

Shpjegimi i dytë i analistëve është rritja e TVSh. Ky argument u formulua disi si të thuhej: “Ashtu siç e pritnin rritjen e pagave, bizneset gjithashtu e pritnin rritjen e TVSh. Si rezultat, ata i rritën çmimet për t’ja “përcjellë” këto kosto shtesë konsumatorëve”. Edhe pse rritja e TVSh i rritë çmimet, kjo ndodh vetëm në afat të gjatë dhe për arsyeje krejt tjera. Ky problem kërkon trajtim në vete që mund ta gjeni këtu. Tani për tani mjafton të thuhet që ky thjeshtë nuk është shpjegim i drejtë.

Shpjegimi i tretë i analistëve është i ashtuquajturi “inflacion i importuar”. Përafërsisht: “Rritja e çmimeve të këtyre produkteve në Kosovë është pasojë e rritjes së tyre gjithkund nëpër botë”. Edhe pse nuk do ta quaja kështu—për shkak se siç thamë nuk është inflacion, dhe së dyti, inflacioni s’mund të “importohet” sepse vetëm mallrat importohen e jo vlerësimet për to—megjithatë ky shpjegim është i drejtë. Rritja e çmimeve në Kosovë është tërësisht reflektim i rritjes së çmimeve të po këtyre produkteve gjithkund nëpër botë.

Ekonomisti kejnsian Paul Krugman e shpjegon rritjen e çmimeve: “… ajo që vërehet më së shumti nga të dhënat është që kemi pasurështë dështimi i madh në korrjen globale sivjet. Prodhimi i përgjithshëm i drithit ka rënë—sidomos kur merret parasysh rritja e popullsisë në botë. Prodhimi i grurit (kësaj radhe jo për kokë banori) ka rënë shumë poshtë. Ju mund ta pyesni vetën si është e mundur që një rënie prej 5% të shkaktoj dyfishim të çmimeve. Pjesë e arsyes është që disa lloje të kërkesave po rriten më shpejtë se popullsia … Por arsyeja kryesore është që kërkesa për drithë është tejet jo-elastike: nevojiten rritje të mëdha në çmime për t’i detyruar njerëzit të konsumojnë më pak…”

Rritja e çmimeve, pra, është problem global i cili “është importuar” në Kosovë. Për shkak të kapaciteteve të dobëta të prodhimit vendor si dhe qëndrimit pesimist të bujqve kosovarë (aq sa nganjëherë duken si përtacë patetikë të cilët vetëm kërkojnë arsyeje për të mos punuar), qytetarët e varfër të Kosovës s’kanë çka të bëjnë përpos të presin rritjen e ardhshme në sasinë e drithit. Deri atëherë shterni xhepat.