ekonomi

Ç’kanë të përbashkët Kosova, Mali i Zi dhe mikroshtetet Evropiane?

Etjon Basha

Pak gjë, në pamje të parë, mund të kenë të përbashkët mikroshtetet e pasura Evropiane- Andora, Lihtenshtajni, Monakoja, San Marinoja dhe Vatikani- me Kosovën dhe Malin e Zi të varfër. Por ja që këto janë shtetet me të ardhmen më premtuese në Evropë, për një arsye të vetme: asnjëri prej këtyre shteteve nuk zhvillon politikë monetare të pavarur.

Euroja qarkullon si monedhë e vetme në gjithë këto shtete, ndonëse asnjëri prej tyre nuk bën pjesë në eurozonën formale. Përfitimi qëndron tek fakti që, duke përdorur një monedhë në emetimin e së cilës këto vende nuk kanë dorë, shtetet përkatëse nuk përfitojnë dot të ardhurat nga printimi i parasë.

Nuk është vendi këtu për ti hyrë historisë monetare të perëndimit, por mjafton të themi që shteti bashkëkohor me përmasat dhe fuqitë e tij të përbindshme ekziston vetëm e vetëm falë printimit të parasë.

Të ardhurat publike mund të ndahen në tre kategori: tatimet dhe taksat, borxhmarrja dhe inflatimi. Shumat që mund të mblidhen falë tatimeve dhe taksave janë të kufizuara për shkak rezistencës publike që kjo formë shumë e dukshme shpronësimi ka. Ndonëse forma më e vjetër, më e njohur dhe nominalisht më e rëndësishme e financimit, sot të ardhurat nga tatimet përdoren më shumë si mjet për zhvillimin e politikës sociale sesa si burim thelbësor të ardhurash.

Borxhmarrja funksionon vetëm për aq kohë sa burimet e tjera të të ardhurave janë të sigurta, nuk është zgjidhje afat-gjatë, nënkutpon shpenzime interesi që variojnë me ‘tekat’ e tregjeve financiare dhe, në dritë të zhvillimeve të fundit në Evropë, do bëhet gjithnjë e më e shtrenjtë në të ardhmen.

Ndërkohë që inflacioni është burimi ideal i të ardhurave për shtetin, pasi është thuajse tërësisht i padukshëm. Shumë, shumë pak individë e kuptojnë mekanizmin inflacionist dhe dëmet që ai shkakton në ekonomi, kështu që shumë pak rezistencë, për të mos thënë fare, do krijohet teksa shteti shkatërron vlerën e parasë për të rritur të ardhurat e tij. Metoda ka kosto shumë të ulët dhe është thuajse e pakufizuar në sasinë e të ardhurave që mund të krijojë, së paku në afat të shkurtër (sigurisht, ç’është e mirë për shtetin, është shkatërruese për ekonominë, dhe inflacioni është më e keqja që mund ti ndodhë një ekonomie). Ja pra, që pa inflacionin asnjë nga super-shtetet e sotme nuk do qëndronte dot në këmbë për shumë gjatë. Dhe këtu qëndron forca e vendeve të mësipërme.

Duke mos përfituar asnjë qindarkë nga printimi monetar, ato detyrohen të mbështeten tërësisht në të ardhurat tatimore dhe borxhmarje për të ushqyer rritjen e shtetit. Shkurt, asnjë nga këto vende nuk mund të rrisë një super-shtet si ata që shohim në Evropë e gjetkë. Dhe për aq kohë sa këto shtete do mbeten të vogla fiskalisht, sektori privat do rritet e fuqizohet.

Ky realitet është i qartë në mikroshtetet evropiane, të gjithë me standarde të jashtëzakonshme mirëqenieje ndonëse me sektorë publikë liliputianë me standardet e kontinentit tonë (gjithashtu presioni për të konkurruar që ndjen një shtet i vogël ndihmon shumë në rastin e mikroshteteve), por është më pak i dukshëm në Kosovë dhe Mal të Zi për arsye të kuptueshme. Të dy këto vende kanë dalë nga një regjim që kishte fuqi monetare para jo shumë kohësh (për të mos folur për shkatërrimin ekonomik që lufta për pavarësi dhe dekada para saj sollën në Kosovë). Nevojitet pra, kohë, që sektori publik në Kosovë e Mal të Zi, i ushqyer nga inflacioni një herë e një kohë, të axhustohet ndaj realitetit të ri të shtrëngesës buxhetore. Në rastin e Kosovës në veçanti, ‘ndihma’ e pranisë së huaj po e shtyn edhe më tej këtë proçes. Por ai do kryhet herët ose vonë, pasi realiteti buxhetor nuk ndryshohet dot.

Për më tepër, krijimi i një politike aktive monetare është thuajse e pamundur për këto vende. Në rastin e mikroshteteve, për shkak të përmasave të tyre. Në rastin e Kosovës dhe Malit të Zi, për shkak të teoremës së lindjes së parasë, së zhvilluar nga Ludvig von Misesi: paraja nuk mund të imponohet nga dita në ditë, por duhet të qarkullojë prej kohësh në ekonomi, për të pasur kohë të integrohet në strukturën e llogaritjes ekonomike të ndërmarrjeve.

Pra, as Kosova as Mali i Zi nuk do e kenë të lehtë të sjellin një monedhë të re vendore, ose të adoptojnë – pas marrëveshjes monetare- ndonjë monedhë fqinjë, si Leku apo Dinari. Shumë vite bashkëqarkullimi dhe menaxhimi të përpiktë të kursit me Euron do duheshin para se të mundësohej një kalimi i tillë (kush dyshon në kaq gjë, le të përpiqet të blejë qoftë dhe një ëmbëlsirë me Lek shqiptarë në Kosovë).

Nga ana tjetër, fatmirësisht perspektiva e integrimit Evropian për këto vende është relativisht e largët dhe ajo e integrimit në Eurozonë akoma më shumë (nëse do ketë një Eurozonë për shumë gjatë). Pra, dita kur Kosova apo Mali i Zi do marrin ‘hisen’ e tyre nga të ardhurat e Bankës Qendrore Evropiane në Frankfurt është e largët. Ngado që ta kapim çështjen, Kosova dhe Mali i Zi do mbeten ‘në mëshirë’ të politikës monetare pasive për një kohë të gjatë.

Këtu nuk dua të them që ‘aksidenti monetar’ i këtyre dy vendeve, pra politika e tyre pasive monetare, e deleguar tërësisht dhe njëanësisht në Frankfurt, është më e mira e mundshme. Kam shkruar më parë mbi politikën më të mirë monetare që mund të arrihet, dhe ajo politikë nuk duket gjëkundi, as në Kosovë e Mal të Zi, e as në ndonjë vend tjetër. Mirëpo në krahasim me politikën aktive monetare e kontinentit, zgjidhja pasive është dukshëm superiore.

Pra, për këto arsye, sado e çuditshme të duket, Kosova dhe Mali i Zi do nisin së shpejti rrugën e rritjes dyshifrore e do mbahen si histori suksesi në Evropën Jug-Lindore sa mbahet sot Estonia në Evropën Lindore. Vështirësitë e përkohshme dhe përpjekjet e zellshme të shteteve përkatëse për tu rritur do thyhen pashmangshmërisht përballë murit të hekurt të politikës monetare pasive. Aty ku kanë dështuar princër dhe perandorë për shekuj me radhë, nuk ka si të kenë sukses dy republika.

Edhe Shqipëria do kishte mundësi që me një të rënë të lapsit, në mos të ndërtonte politikën optimale monetare, së paku ti bashkohej standardit të Kosovës dhe Malit të Zi. Thjesht duke privatizuar në çast Bankën e Shqipërisë me monopolin e saj të printimit të Lekut, nga duart e shtetit do hiqeshin të ardhurat e inflatimit. Madje, tashmë me një bankë ‘qendrore’ private dhe bashkëqarkullim të Euros me Lekun, politika monetare në Shqipëri do ish edhe më superiore ndaj asaj në Kosovë, Mal të Zi apo në mikroshtetet Evropiane. Mirëpo realiteti politik e bën të pamundur një privatizim të tillë. Shqipëria do nisë së shpejti rrugën e rritjes së sektorit publik dhe mbytjes së sipërmarrjes private, duke e mbytur zhvillimin ekonomik që pa nisur mirë.

Por së paku një shtet shqiptar do marrë rrugën e drejtë, ndonëse aksidentalisht dhe jo në mënyrë të ndërgjegjshme, drejt shtetit të vogël e mirëqenies, rrugë që ka që kur s’mbahet mend që është harruar në kontinentin tonë.