shkencë

Debat mbi Formalizmin

Etjon Basha

Rikthehen në veprim armiqtë e përbetuar, Mikroborgjezi dhe Qytetari i Angazhuar, këtë herë për të diskutuar, në vazhdën e postimeve mbi Kompromisin e Madh, konceptin e shtetit formalist të propozuar nga blogeri Mencius Moldbug.

2

Qytetari i angazhuar: duke u hallakatur neper blogje e saite, siç e kam dhe zakon, hasa një fenomen fort të çuditshëm që po i ndodh lëvizjes liberale në ShBA.

Mikroborgjezi: ndihem i prekur nga shqetësimi juaj për lëvizjen tonë.

Qytetari i angazhuar: në fakt duhet të ndiheni i shqetësuar, pasi duket që një pjesë jo e vogël e liberalëve të frymës anarkiste e kanë lënë mënjanë ideologjinë tuaj për t’iu bashkangjitur të ashtuquajturës lëvizje formaliste, apo neo-reaksionare, apo kameraliste, apo ruajaliste, sipas hënës.

Mikroborgjezi: ah po, i famshmi Mencius Moldbug me teoritë e tij interesante dhe postimet disa-faqëshe. Shumë kohë ju merrka puna në shtet sa kohë paskeni mundësi të lexoni kaq shumë.

Qytetari i angazhuar: jam i sigurt që ju përkundër nuk keni as një çast të lirë në punën tuaj private, ndonëse dhe ju e paskeni lexuar blogun. Nejse, përtej kënaqësisë që ndjej kur shosh sesi ideologjia juaj e pakët në ndjekës thërrmohet edhe më shumë, më duhet të pranoj që nuk e kam shumë të qartë teorinë e shtetit formalist.

Mikroborgjezi: nuk është shumë e vështirë, në fakt. Formalizmi është parimi i formalizimit, pra të pranimit hapur të asaj që ekziston në praktikë.

Qytetari i angazhuar: nuk po mu duk’kërka e mundur të shkruhen qindra faqe për të shtjelluar një parim kaq të dukshëm.

Mikroborgjezi: ndofta jo dhe aq i dukshëm. Do çuditeshit po të nisnit e të vinit re se sa larg realitetit janë shumë nga idetë e besimet e shoqërive tona.

Qytetari i angazhuar: ndonjë shembull do qe i mirëpritur.

Mikroborgjezi: patjetër. Le të marrim mikun tonë të hershëm, shtetin. Ç’është shteti?

Qytetari i angazhuar: e lehtë, organizmi më i lartë i një shoqërie, i ngritur për të përmirësuar jetët tona.

Mikroborgjezi: ja pra, një formalist do ju qortonte se po bini në poezi e nuk po mendoni qartë. Shteti nuk është veçse shoqëria që ka pronësi efektive mbi një territor të caktuar.

Qytetari i angazhuar: nuk di nga t’ia nis me këtë përkufizim qesharak. Shteti nuk është “shoqëri” dhe ju kujtoj që Muri i Berlinit ka mbi dy dekada që ka rënë. Që prej atëherë shtetet kanë në pronësi vetëm një pjesë të vogël të territorit të tyre, shumica e të cilit është në duar private.

Mikroborgjezi: sërish po bini pre e propagandës. Prona jonë “private” mund të na merret dhunshëm në çdo çast. Në disa vende, kjo kërkon ligje të posaçme, që sidoqoftë shteti i ka vetë në dorë ti kalojë. Në të tjerë, mjafton vizita e një grupi policësh apo para-ushtarakësh. Sa kohë që prona jonë mund të na merret dhunshëm pa pëlqimin tonë, nuk mund të thuhet që kemi pronë private. Jemi thjesht qiramarrës të pronës shtetërore, në masën dhe deri në çastis që kjo gjykohet e arsyeshme.

Qytetari i angazhuar: ç’teori! Sipas këtyre zotërinjve, jetokemi ende në komunizëm.

Mikroborgjezi: ndofta mund të thuhet që komunizmi ishte teoria pas së cilës shteti mund ti menaxhonte vetë pronat e stërmëdha që zotëron. Sot kemi kuptuar që këto prona sjellin më shumë të ardhura nëse ipen me qera afatgjatë në tregun e lirë.

Qytetari i angazhuar: pra, këta ish-liberalë nuk u shqetësuakan fare nëse prona që shteti pretendon të zotërojë është e ligjshme, pra e përfituar në përputhje me etikën liberale, apo jo.

Mikroborgjezi: diferenca e madhe e formalistëve me ish-sivëllezërit e tyre liberalë qëndron pikërisht në flakjen e mbarë etikës liberale.

Qytetari i angazhuar: bota është kjo që është dhe nuk ka fare rëndësi se si mund të duam ne të jetë?

Mikroborgjezi: pikërisht pra.

Qytetari i angazhuar: po si munden pra, këta formalistë të kulluar të pretendojnë që shteti qenka shoqëri? A kanë parë ndonjëherë shoqëri private me sy? Nëse po, si mund të gënjejnë veten që shteti ka ndonjë gjë të përbashkët me të tilla shoqëri?

Mikroborgjezi: më duket se po tërhiqeni gabimisht nga konotacionet e termit “shoqëri”. Me këtë term nënkuptohet çdo grupim individësh që punojnë me ndërgjegjie e në mënyrë pak a shumë koherente për një qëllim të përbashkët.

Qytetari i angazhuar: me këtë standard edhe banda kriminale apo grupet orgjiake qenkan “shoqëri”.

Mikroborgjezi: padyshim. Dallimet mes tyre dhe një banke ndërkombëtare janë në detaje, aspak në thelb.

Qytetari i angazhuar: dhe mos më thoni që qëllimi i shtetit qenka sundimi i popullsisë që rastis të bjerë në diktatin e tij.

Mikroborgjezi: në fakt jo. Qëllimi i kësaj shoqërie është thjesht qëllimi i pronareve të saj.

Qytetari i angazhuar: qytetarët?

Mikroborgjezi: Aspak. Një tjetër pikë ku ideologjia moderne ndahet ashpër nga realiteti, së paku siç e shohin formalistët, është tek analiza e strukturës së vërtetë të pushtetit në vendet perëndimore. Efekti praktik i atyre pak ofiqarëve të zgjedhur me votë është thuajse inegzistent. Pushteti real i takon njëqind e një strukturave burokratike brenda administratës shtetërore.

Qytetari i angazhuar: mos do më thoni që administrata heq prej hundësh qeverinë edhe në Shqipëri? Ndofta në perëndim diçka e tillë edhe mund të bëjë vaki, pro tek në çdo qeveri e re se ka për gjë fare të zëvendësojë plotësisht stafin e mbarë administratës shtetërore me të ardhur në pushtet. Ç‘pushtet të madh paska shërbimi civil!

Mikroborgjezi: e vërtetë, deri diku. Shqipëria, si dhe disa vende në nivelin tonë të zhvillimit ende nuk kanë evoluar strukturën moderne të pushtetit. Por jemi rrugës, të jeni i sigurt.

Qytetari i angazhuar: në këtë pikë duket se zotërinjtë formalistë i bëjnë jehonë thirrjeve të Bashkimit Europian, i cili kritikon Shqipërinë për mungesë bashkëpunimi politik dhe mangësi demokratike, kur në të vërtetë nënkupton që edhe tek ne duhet të instalohet një administratë civile e pacenueshme dhe sovrane. Pak’kujt i shkon ndër mend që këto kërkesa nuk mund të plotësohen njëkohësisht.

Mikroborgjezi: pikërisht. Vetë funksionarët Europianë e kanë shumë të qartë strukturën reale të pushtetit në Perëndim, dhe kur na kritikojnë në këto drejtime që përmendët ju, realisht na krijojnë sepse kemi shumë demokraci, jo pak. Sa më shumë të jetë formal dhe pa ndonjë peshë reale Kuvendi, e sa më shumë fuqi të gëzojë burokrati mesatar, aq më shumë do i jemi afruar idealit të BE-së, vende të caktuara në të cilit mund të mbesin pa qeveri për muaj të tërë pa ndonjë degradim të dukshëm në cilësinë e qeverisjes.

Qytetari i angazhuar: nuk shoh kurrgjë të gabuar në këtë parim. Sa më shpejt të marrë pushtet real burokracia edhe në Shqipëri, aq më herët do i afrohemi standardeve Europiane që aq shumë kërkojmë. Po mirë pra, ç‘qëllim paska administrata sipas formalistëve? Me ç’synim drejtohet shteti?

Mikroborgjezi: vetë i jeni përgjigjur kësaj pyetjeje, përmirësimi i jetës së qytetarëve.

Qytetari i angazhuar: ku vajti cinizmi juaj? Nuk synuaka burokrati mesatar të maksimizojë pushtetin e tij?

Mikroborgjezi: sigurisht, por kjo tolerohet vetëm në masën që nxit mirëqenien e shoqërisë, po aq sa tolerohet pushteti i madh financiar i korporatave ndërkombëtare që na lehtësojnë jetën me produktet e tyre.

Qytetari i angazhuar: në qoftë kështu, shteti modern qenka sistemi më i mirë i mundshëm, pasi kushtëzon suksesin me përmbushjen e qëllimit më të lartë të mirëqenies së përgjithshme. Dhe e gjitha duke anashkaluar pasionet populiste dhe injorante të votuesit mesor. Po më pëlqyeka kjo teori.

Mikroborgjezi: le te mos nxitohemi. Problemet madhore të shtetit bashkëkohor janë tre, dhe secili më vete do mjaftonte për të penguar përmbushjen e qëllimti thelbësor. Së pari, qëllimi i “përmirësimit të jetës” është tejet i përgjithshëm dhe i vështirë për tu matur. Së dyti, struktura administrative e shtetit është tejet josfunksionale dhe shpërdoron burime të jashtëzakonshme. Së treti, gjasat janë që territori në kontrollin e shumicës së shteteve të sotme është tepër i madh për tu menaxhuar në mënyrë të suksesshme.

Qytetari i angazhuar: më lini të hamendësoj: mos vallë këshillohet privatizimi i plotë, deri dhe tek funksionet bazë, në emër të efiçencës? Duhet ti vëmë drynin shtetit, të shesim çdo tokë, post e ndërtesë e ti besojmë shoqërive private përmbushjen e qëllimeve që sot ia besojmë shtetit?

Mikroborgjezi: hamendësimi juaj është i gabuar. Ato që përmendni janë këshillat e anarkistëve liberalë, aspak të formalistëve, të cilët përbëjmë një degë paralele por sërish të veçantë. Formalisti vë re që në tregun e lirë ekzistojnë lloje organizimi shoqëror nga më të ndryshmet, që nga mbledhjet informale të miqve për një lojë futbolli, deri tek firmat e mëdha me bordero zyrtare.

Qytetari i angazhuar: mos harroni grupin orgjiak që postuluam më parë.

Mikroborgjezi: sigurisht, një organizatë tejet e dobishme dhe e famshme. Por kur vjen fjala tek shoqata përtej një madhësie minimale, qofshim këto me apo pa qëllim fitimi, vetëm një strukturë i ka mbijetuar tash e dy shekuj konkurrencës. Shoqëria anonime.

Qytetari i angazhuar: mos duhet të ndajmë aksione në shtet?

Mikroborgjezi: pikërisht, por jo vetëm. Kur vjen çasti tek manaxhimi i strukturave të stërmëdha njerëzore, tregu na tregon qartazi që punë bëjnë veç strukturat e qarta piramidale ku zinxhiri i komandës dhe përgjegjësisë është i qartë, formal dhe i njëanshëm. Sekush punon nën një shef, i cili nga ana e tij punon nën një shef më të lartë, e kështu me radhë derisa mbërrijmë tek Drejtori i Përgjithshëm, i cili ka autoritet të plotë, por dhe përgjegjësi të plotë, mbi gjithë shoqërinë. Ky Drejtor emërohet e shkarkohet nga një Bord, i cili nga ana e tij zgjidhet nga aksionerët. Me këtë strukturë, janë ngritur e gjallojnë korporata që janë shumë më të mëdha se shumica e shteteve në botë. Si mund të mendohet që, nëse struktura e korporatës bashkëkohore funksionon aq mirë për Apple-in, nuk do funksiononte po aq mirë për Shqipërinë tonë të dashur?

Qytetari i angazhuar: ju zotëri po këshilloni ri-ngritjen e Monarkisë Absolute, ndonëse Monarku u dashka zgjedhur nga Kuvendi e jo më në bazë të trashëgimisë apo të së ashtuquajturës “të Drejtë Hyjnore”.

Mikroborgjezi: jeni mjaft i saktë. Monarkia europiane ka qëndruar, në krahasim me shtetin formalist, në të njëjtat raporte si një biznes në pronësi familjare me një ShPK të sotme. Por në një pikë gaboheni.

Qytetari i angazhuar: pra?

Mikroborgjezi: drejtori i përgjithshëm nuk mendohet të zgjidhet nga qytetarët, por nga pronarët e aksioneve, të cilat duhet të jetë të tregtueshme lirisht në treg.

Qytetari i angazhuar: pra, pasi ti falim çdo qytetari një aksion, do duhet të lejojmë tregtimin  e tyre të lirë, derisa shumica të grumbullohen në duart e një grushti pasanikësh?

Mikroborgjezi: mos u nxitoni. Aksionet fillestare nuk do iu shpërndahen aspak qytetarëve. Mos harruat vallë qëllimin e shtetit, përmirësimi i jetës së qytetarit mesatar? Shteti që krijuam ka për qëllim thjesht fitimin maksimal e të pastër, asgjë më shumë. Pikërisht këtu zgjidhin problemet e para e të dyta të shtetit të sotëm: qëllimi i pa-matshëm dhe përmasat e tepruara.

Qytetari i angazhuar: pika e parë është e qartë. Edhe unë bie dakort që maksimizimi i fitimit është qëllim shumë më i qartë e i matshëm se përmirësimi i jetës, mbi të cilin kushdo ka opinionint e tij. Por qartësia e lehtësia në matje nuk janë standartet e vetme, madje as kryesore.

Mikroborgjezi: pak durim dhe do diskutojmë edhe këtë pikë. Ndërkohë, sa i takon çështjes së përmasave të territorit shtetëror, një shoqëri anonime me qëllim fitimi do e kuptojë nëse përmasat e saj janë të tepërta, dhe do kufizohet në menaxhimin e territorit optimalisht të madh.

Qytetari i angazhuar: ah, e mbaj mend debatin tonë të hershëm mbi eksternalitetet në qytet, dhe se si vetëm një pronar i madh, ndofta dhe i mbarë qytetit, do mund të optimizojë vlerën totale të pronës, e jo të pjesëve të tij të veçanta.

Mikroborgjezi: pikërisht. Ndonëse nk kemi se si të flasim me siguri pasi këtë çështje mund ta zgjidhë vetëm tregu, gjasat janë që qytet-shteti është përmasa optimale e shtetit formalist. As shumë i madh në masën e të qenit i pamanaxhueshëm, por as shumë i vogël për të përballuar efektet e eksternaliteteve.

Qytetari i angazhuar: mirë pra, po përpiqeni të më bindni të ngremë një shoqëri anonime që do ketë pronësi mbi një qytet të tërë e do e manaxhojë atë për qëllim të pastër fitimi. Po më duket se dolët nga tema. Harruat të më sqaronit se kush, sipas jush, do përfitojë pronësinë e kësaj korporate të krijuar në këmbë të shtetit modern? Dhe si mendoni ta përkthejmë fitimin në të mirë publike, çka ramë dakord që qenka qëllimi ynë i përbashkët?

Mikroborgjezi: keni të drejtë, por veç tashmë që kemi zgjidhur dy problemet e para mund të orvatemi të zgjidhim te tretin. Shteti formalist ka për qëllim thjesht fitimin, një qëllim i matshëm lehtë, dhe përkthimin e tij në mirëqenie për qytetarët duhet ta bëjnë shoqëri private, por jo me qëllim fitimi. Shkurt, pronësia e shtetit duhet tu kalohet jo qytetarëve, por një sërë organizatash të krijuara posaçërisht, qëllimi të cilave do ishte manaxhimi i programeve me të cilat sot merren zyrat e administratës. Kështu, do duhej krijuar një shoqatë për pagesën e pensioneve, financimin e arsimit, kulturës, një farë kujdesi bazë shëndetësor, mbështetjen për fëmijët jetimë apo personat me aftësi të kufizuara, mbrojtjes së parqeve natyrore, mbikëqyrjes financiare e kështu për gjithë funksionet  sotme shtetërore.

Qytetari i angazhuar: po më çudisni. Besoja se këto funksione ju i kishin zët dhe do të donit ti flaknin sa më shpejt.

Mikroborgjezi: nuk më takon as mua, as aq juve ta vendosim këtë. Vetëm tregu do dëshmojë nëse këto funksione ia vlejnë të kryhen. Le të krijohen këto shoqata të posaçme pa qëllim fitimi, të financuara me dividentin e shtetit, e le të përpiqen të përmbushin detyrën e tyre. Nëse do arrijnë të mbijetojnë, atëherë do rezultojë që këto detyra do kenë qenë  të vlefshme e të duhura. Thjesht duhet ti ndajmë nga qëllimi shtetit: ai i menaxhimit optimal të territorit në pronësinë e tij.

Qytetari i angazhuar: në fakt, do qe mjaft e thjeshtë ti krijoje këto OJF-ra, sepse në fakt të tilla do ishin. Do mjaftonte të emëroje administratën e sotme, e cila thjesht do vazhdonte punën e saj. Fonde e truste të tilla funksionojnë shumë mirë në Perëndim.

Mikroborgjezi: në fakt. Tani vini re se ç’kemi arritur me një skemë të tillë. Morëm strukturën reale të shtetit modern, sundimit i burokratit, dhe thjesht e formalizuam. Sërish sundojnë burokratët, por tashmë ata janë të punësuar nëpër OJF  të veçanta të cilat kanë pronësi mbi një qiradhënës të madh.

Qytetari i angazhuar: shumë qenkeni përpjekur të ruani vijimësinë e strukturës së sotme.

Mikroborgjezi: gjithshka në interes të realizmit. Dhe ja ku arritëm një kompromis të arsyeshëm mes nesh. Unë që interesohem në mirëqeverisje dhe shmangien e ligjeve apo tatimeve të kota, fitoj një shoqëri që synon maksimizimin e fitimit, aspak e ndryshme nga pronari i një hoteli të stërmadh. Ju, që interesoheni për 101 funksione të ndryshme që synojnë përmirësimin e jetës sonë në fusha nga më të ndryshmet, përfitoni një sërë shoqatash të mirë-financuara, të shkathëta e të lehta për tu kontrolluar. Ç’ndryshim nga ministritë e sotme burokratike ku askush nuk jep as dum, as llogari. Dhe e gjitha kjo pa cënuar strukturën reale të pushtetit.

Qytetari i angazhuar: më duhet të pranoj që, në parim, ky koncept është me interes.

Mikroborgjezi: ja pra, që paku në parim, arrijmë një kompromis tjetër të madh mes etatizmit dhe liberalizmit.