ekonomi

Debat mbi Kryqëzatën anti-ndërtim

Etjon Basha

Le të përfitojmë nga vendimi  I shumëpritur (për shumëkënd) i Qeverisë se re Shqiptare për të vendosur një moratorium tërësor (të përkohshëm?) mbi ndërtimet e reja në qytetet-muze të Beratit, Krujës  dhe Gjirokastrës për të diskutuar konceptin e “manaxhimit urban”, shpesh i cikur por kurrë i sqaruar sa duhet në blogun tonë modest. Dhe për të ndryshuar disi stilin, le ta zhvillomë postimin në formën e lashtë të debatit, në rastin tonë mes një etatisti racional– Qytetari i Angazhuar – dhe një avokati të pashpresë të tregut të lirë, Mikroborgjezi. Kërkoj falje paraprakisht për postimin disi të gjatë.

O burra, të shmangim katastrofën!
O burra, të shmangim katastrofën!

Qytetari i Angazhuar: E dëgjuat, Zotëri, masën e fundit të Qeverisë?

Mikroborgjezi:  Moratoriumi i ndërtimeve? Apo ka ndonjë masë edhe më të fundit se kjo?

Qytetari i Angazhuar: Moratoriumin pra! Më në fund një Qeveri që vendos ndonjërën prej kërkesave të popullit para kërkesave të lobit të ndërtimit.

Mikroborgjezi: Qenkeni gëzuar fort tani që fantazma e mallkuar e tregut të lirë do shporret nga qytetet tona.

Qytetari i Angazhuar:  Tregu juaj i lirë i betonizoi qytetet. Më në fund hapësira publike do manaxohet racionalisht dhe në bazë të standardeve të arsyeshme ndërkombëtare, e jo sipas tekave të dhjetë “biznesmenëve” që i kanë a nuk i kanë tetë klasë shkollë.

Mikroborgjezi: Kuptoj. Dhe besoj që ky do jetë vetëm hapi i parë, dhe nesër “manaxhimi shkencor” do përhapet edhe në fusha të tjera si shit-blerja e perimeve apo peshkut?

Qytetari i Angazhuar: Nuk po na prishet shumë puna për këto cikërrima, sot për sot. Le ti fitojnë pesë qindarkat e tyre monopolistët në tregjet e tjera, le të vjedhin si konsumatorin ashtu dhe prodhuesin edhe për ca kohë. Nëse modeli i ri i menaxhimit urban rezulton aq i suksesshëm sa pritet, zbatimi në tregjet e terja do jetë punë e lehtë.

Mikroborgjezi: Patjetër, kush nuk do donte të aplikonte në Bashki çdo herë që shet një kile rrush? Po, nëse më lejoni, çfarë revolucioni prisni nga një moratorium i gjerë mbi ndërtimet e reja?

Qytetari i Angazhuar: Pres që qytetet të behën të jetueshme! I keni parë pallatet shumëkatëshe që ngrihen pak metra nga njëri-tjetri? Cilësinë e ulët të ndërtimit? Sipërfaqet e pamjaftueshme? Dendësinë e papërballueshme të ndërtimit? Ku janë hapësirat e gjelbra, këndet sportive, qoftë dhe parkimet e mori lumi! Si mundet që tregu juaj i nderuar që u ushqyeka vetëm me preferencat e konsumatorit të krijojë një xhungël të tillë urbane që nuk ka shqiptar që e pëlqen? Apo mohoni që këtë situatë askush se pëlqen?

Mikroborgjezi: Nuk do  tregohesha kaq i zjarrtë sa ju, por pranoj që qytetet shqiptare kanë mjaft vend për përmirësim.

Qytetari i Angazhuar: Atëherë hiqni dorë nga përrallat qesharake të liberalizmit pra!

Mikroborgjezi: Të gjitha këto qëndrojnë por më duket se po harroni një detaj të vogël: preferencat kushtojnë. Dhe fakti është që këto preferencat tona kushtojnë aq shtrenjtë sa nuk ia vlen ti kënaqësh.

Qytetari i Angazhuar: Dokrra! Sa kushtoka ta ndërtosh pallatin dhjetë metra më tutje e jo ngjitur me tjetrin? Besa, po të përpiqesha pak më fort do mund të hidhesha pa problem nga dritarja ime te e komshiut!

Mikroborgjezi: Besoj se do përpiqeshit pak më fort po të bëhej fjalë për komshijen.

Qytetari i Angazhuar: Zotëri!

Mikroborgjezi: Shakaja e rastit. Bukur shumë, nuk keni pse ankoheni me të madhe. Ka plot ndërtime të reja të ngritura në distancë nga ato ekzistuese, dhe me hapësirë të gjerë në pronësi për të mos lejuar ndërtime në afërsi. Hapësirat sportive janë të bollshme, hyrja e kontrolluar dhe parkimi i mjaftë. Përse nuk jetoni në këto komplekse dhe të shpëtoni nga “xhungla e betonit”? Sigurisht do qe shumë më e thjeshtë se ankimi i pafrytë dit’e natë?

Qytetari i Angazhuar: Ndofta sepse nuk kam 2000 euro për metër katror për të shpenzuar? U dashka me qenë milioner për të jetuar si njeri?

Mikroborgjezi: Pra, tregu i përmbushka kërkesat e konsumatorit, por del që është konsumatori ai që nuk ia lejon dot vetes koston? Mos vallë na paska dështuar tregu i makinave në Shqipëri sepse jo kushdo ka Ferrari të parkuar poshtë shtëpisë?

Qytetari i Angazhuar: Krahasime janë këto?

Mikroborgjezi: Dramatizim për efekt llogjike. Po të tregoheni i vëmendshëm do vini re që ky është skenari i thuajse çdo “dështimi” të pretenduar të tregut në Shqipëri: shqiptarët janë të varfër, nuk është tregu që nuk funksionon. Tekat nuk na shkojnë, sot për sot.

Qytetari i Angazhuar:  Propagandë e kulluar e lobit të ndërtimit. Ja do shihni se si Qeveria do ndalojë ndërtimet e reja pa kriter, e do rregullojë me sa ka mundësi të vjetërit. Qyteti do bëhet i jetueshëm pa qenë nevoja për të paguar miliona për këtë punë.

Mikroborgjezi: Padyshim që kështu do ndodhë, por milionat sërish do shpenzohen. A nuk jeni dakort që çmimi i apartamenteve do rritet dukshëm nëse ndërtimet e reja do ndaleshin apo qoftë dhe të ngadalësoheshin? Do paguajmë po miliona, por tani do jetojmë në apartamente që nuk e justifikojnë çmimin. Fitore e madhe e manaxhimit shkencor, pa dyshim.

Qytetari i Angazhuar: Nuk është e thënë, për sa kohë popullsia bie gjithashtu. Nuk ka përse të jetojmë të gjithë në qytet!

Mikroborgjezi: Patjetër. Le ti dënojmë disa qindra mijëra shqiptarë me jetë në skaj të varfërisë sepse nuk na pëlqyeka “mbipopullimi” në qytet. Zgjidhje e arsyeshme, padyshim! Dhe as e vë në diskutim që vetë Zotëria juaj as që e shkon nëpër mend që mund ti bashkohet këtyre të dëbuarve.

Qytetari i Angazhuar: Nuk kemi përse lëvizim njerëz në fshatra, por në qytet të tjera.

Mikroborgjezi: Me standardin tuaj kjo do shkaktonte po këto probleme tjetërkund, ndërkohë që as do krijonte tregun e madh të punës që lejon Tiranën të gëzojë një standard jete dukshëm më të lartë se pjesa tjetër e vendit. Shqipëria ndofta vërtetë është e mbipopulluar, por këto nuk janë zgjidhje.

Qytetari i Angazhuar: Epo mirë, edhe pa lëvizje popullsie, çdo qeveri gjysmë kompetente do e shmangte fare lehtë skenarin e rritjes së çmimeve. Do vendoseshin çmime dhe qera tavan ndërkohë që do riformohej qyteti sipas standardeve të arsyeshme.

Mikroborgjezi: Çmime tavan, sigurisht! Si nuk më shkoi mendja. Pra, do kemi po këto ndërtime që kemi sot, me po këto çmime, me po këto difekte por tashmë do kemi tepricë të madhe kërkese dhe mezi do gjejmë ndonjë shtëpi. Do na duhet mik për të jetuar në Tiranë. Se ç’po më kujtoka ky sistem që propozoni. Dhe këto pallatet e reja, “sipas standardeve” që po prisni, kush mendoni se do i ndërtojë nëse për shkak të çmimeve tavan rezultojnë me humbje?

Qytetari i Angazhuar: Mund të hiqet çmimi tavan për ndërtimet që plotësojnë standardet.

Mikroborgjezi: Nëse heqim çmimin tavan, apartamentet cilësore do jenë po aq të shtrenjta sa janë sot , në mos më shumë për shkak të kërkesës së tepërt për apartamentet e tjera. Ndërkohë që për të zënë ato më pak cilësore do duhet mik i fortë. C’përmirsuam këtu?

Qytetari i Angazhuar: Po mirë, le ti subvencionojë qeveria ndërtuesit e apartamenteve të reja.

Mikroborgjezi: Aha, pra të paguajnë po publiku për ndërtimet e shtrenjta. Por ndryshe nga situata sot, të paguajnë të gjithë, edhe ne që si përdorim, në vend që ti paguajnë vetëm ata që ia lejojnë vetes. Dhe akuzohem unë për mbështetjeje klienteliste të biznesit, pale!

Qytetari i Angazhuar: E pra ti ndërtojë shteti vetë! Nuk kemi përse ti paguajmë fitimet ndërtuesit. Vetë shteti ti rindërtojë laget sipas planeve të arsyeshme.

Mikroborgjezi: Dhe arritëm aty ku parashikonte Ludvig von Misesi – një ndërhyrje e vogël fillestare në treg të çon, herët a vonë dhe dështim pas dështimi në socializëm të pastër. Vërtetë mendoni se këto ndërtesa publike do kenë të krahasuar me cilësinë e ndërtesave private? E që, për më shumë, do ndërtohen dot po aq lirë? Nuk e provuam këtë sistem për 50 vjet dhe nuk dështuam turpshëm një herë? Vërtetë mendoni se ekziston ndonjë Këshill Bashkia apo KKRT aq e gjithëditur, dashamirëse dhe e gjithëpushtetshme sa të dyzojë – jo, jo, të tejkalojë! – optimizimin e miliona parametrave që vetëm sistemi i çmimeve të lira mund të arrijë?

Qytetari i Angazhuar: Po bëheni qesharak. Nuk ka se si të shkojë situata me keq se kaq!

Mikroborgjezi: Shteti juaj i dashur mund t’ju habisë kur vjen puna tek sa keq mund ta katandisë gjendjen. Ndofta vërtet qytetet tona nuk janë ndonjë krenari e madhe, dhe vërtet ende ka ndërhyrje të shumta që nuk e lejojnë tregun e lirë të funksionojë plotësisht. Mirëpo nuk duhet të gënjehemi mbi situatën: “fajin” nuk e ka tregu, por varfëria. Dhe varfërisë nuk ka ç’ti bëjë qeveria.

Qytetari i Angazhuar: Në zellin tuaj për të cituar Misesin dhe Hajekun po harroni Fridmanin dhe Kosen. Po harroni eksternalitetet, negative dhe pozitive qofshin. Padyshim që bini dakord që qyteti modern është mjedisi ku eksternalitetet gjallojnë më shumë se kudo.

Mikroborgjezi: Padyshim.

Qytetari i Angazhuar: E pra, si mund të thoni që sistemi i tregut plotësisht të lirë mund të japë një shpërndarje optimale të ndërtimeve në qyet, nëse ndërtuesi privat përfiton vetëm një pjesë të vogël të vlerës që krijon, dhe përballon vetëm një pjesë të vogël të kostos që na imponon të gjithëve? A nuk do qe e thjeshtë që, me një plan të gjerë rregullues, të maksimizohet vlera e tregut e gjithë qytetit, çka do maksimizonte dhe vlerën e çdo prone, në vend që të lejonim sistemin e tregut të na japë zgjidhje nën-optimale? E pra, mos u tregoni doktrinar kur vjen çështja te ajo çka tregu i lirë mund dhe nuk mund të bëjë.

Mikroborgjezi: Ndonëse efekti i eskternaliteteve nuk mund të matet, do ju jap të drejtë që, në kushtet e qytetit bashkëkohor, efekti i tyre është aq i madh saqë bashkëveprimi i mijëra pronarëve të vegjël nuk mjafton për të dhënë një shpërndarje optimale. Por, më thoni, si propozoni ta ndreqni këtë situatë?

Qytetari i Angazhuar: Fare lehtë! Bashkia le të imponojë një plan të përgjithshëm urbanistik të tillë që maksimizon vlerën totale të qytetit.

Mikroborgjezi: Tepër interesante. Po më thoni, si mund të matet kjo vlerë?

Qytetari i Angazhuar: Pas vlerës së taksave vendore të mbledhura. Ndonëse matja e saktë do kërkonte një ndryshim të fortë të sistemit tatimor.

Mikroborgjezi: Padyshim që e keni fjalën për parimet Xheorxhiste. Po mirë, a i zini besë komisioneve bashkiake a shtetërore për të vlerësuar impaktin tek vlera totale e bazës tatimore të qytetit të një-mijë-e-një eksternaliteteve, varësisht nga konfigurimet e mundshme të planit? Si do e kuptojmë që plani A na sjell më shumë vlerë të tatueshme në krahasim me planin B? Këto analiza nuk bëhen nga asnjë Bashki në botë, madje dhe firmat private do i kishin shumë të vështira në shkallë qyteti, e ju këtë e propozoni si zgjidhje për Bashkitë Shqiptare? Uroj të jeni duke u tallur.

Qytetari i Angazhuar: Pra, qytetet tona qenkan të dënuara të vuajnë nën një shpërndarje jo optimale të ndërtimeve përgjithnjë? Kushedi se sa pasuri shtesë i kushton shqiptarëve të varfër kjo mungesë efiçence. Kushedi sa më tërheqëse do qenë qytete tona historike – prej të cilave, ju kujtoj, nisi i gjithë debati –  në mungesë të këtij problemi.

Mikroborgjezi: Padyshim, por zgjidhja nuk vjen nga shteti, por thjesht nga rritja e sipërfaqes së pronës mesatare. Sa më e madhe prona, aq më e lartë pjesa e ekstrenalieteve që i takojnë pronarit, apo jo?

Qytetari i Angazhuar: Dhe si ta arrijmë këtë? Si të rrisim masën e pronës mesatare?

Mikroborgjezi: Problem i vështirë. Së pari, padyshim që çdo kufizim mbi shit-blerjen e pronës duhet hequr në çast, dhe këtu do veçoj posaçërisht kaosin e sjellë nga kompensimi i ish-pronarëve. Së dyti, për shumëkënd shtëpia është mjet kursimi më shumë se thjesht banesë. Sa kohë që shqiptarët nuk kanë mjet tjetër kursimi, askush nuk do heqë dorë nga shtëpia e tij, e kështu që masa mesatare e pronës nuk ka si të ritet.

Qytetari i Angazhuar: Si ta zëvendësojmë shtëpinë si mjet kursimi? Të emetojë shteti më shumë bono?

Mikroborgjezi: Larg qoftë. Shteti të mjaftohet me rivënien në funksionim të Bursës së Tiranës, dhe do shohim se si miliarda fluturojnë prej tregut të pasurisë së patundshme në Bursë.

Qytetari i Angazhuar: Dhe sa mendoni se do konsolidohet prona në qytet në këto kushte? Mos do dalë një shoqërie e vetme si pronare e gjithë Tiranës?

Mikroborgjezi: Nëse ia del, ta gëzojë! Ndofta efekti i eksternaliteteve është vërtetë aq i madh sa vetëm një pronar i stërmadh mund ta maksimizojë vlerën e qytetit.

Qytetari i Angazhuar: Pra, thjesht do rikrijohet një Bashki private që nuk jep llogari qytetarit?

Mikroborgjezi: Nëse shkojnë kështu ngjarjet – nuk do ishte çudi aq e madhe –  c’të keqe do kishte? Problemi i shtetit është që përpiqet të bëjë punën e privatit pa pasur as nxitjen, e as mjetet, e katandiset duke propozuar zgjidhje fëminore për probleme tejet të ndërlikuara. Nëse funksionet e nevojshme që sot ia kemi ngarkuar shtetit do i merrte përsipër sipërmarrja e lirë, jam i sigurt që dhe etatisti më i flaktë – jo më ata racionalët si Zotëria juaj – do pranonte që paskemi qenë të marrë që i besuam një institucioni rastësor dhe inert si shteti modern.

Qytetari i Angazhuar: Me këtë standard, përse të mos privatizojmë Bashkitë e ti biem shkurt? Ti shkëmbejmë pronësinë e apartamenteve me aksione bashkiake e të tenderojmë drejtimin me ndonjë shoqëri të huaj?

Mikroborgjezi: Eh, kjo nuk do tolerohej kurrë nga opinioni i gjerë, së paku në kushtet e sotme. Dhe pastaj, pa reformat e tjera– heqja e çdo pengese ligjore për shit-blerjen e pronës, mbyllja e çështjes së kthimit të pronave dhe krijimi i bursës – një Bashki private do kishte efekt shumë të kufizuar.

Qytetari i Angazhuar: Pyetja qe një kurth! Pra, ju mbështesni shtetëzimin e gjerë të pronës vetjake! Cili na doli socialist tani?

Mikroborgjezi: Prona vetjake nuk egziston sot për sot, aq më pak kur vjen puna tek prona e paluajtshme. Mbi pronarin vihen aq shumë kufizime, sa praktikisht çdokush është veçse bashkëpronar me Shtetin i shtëpisë së tij. E pra, le ta formatizojmë këtë situatë, me kusht që ta lëmë tregun të veprojë i lirë prej këtej e tutje. Por sërish, këto janë fantazi, dhe nuk shoh ndonjë reformë politikisht të mundshme që do sillte efekte pozitive.

Qytetari i Angazhuar: Po sikur të zëvendësohej praktika klienteliste dhe arbitrare e kërkesës individuale të lejeve të ndërtimit me hartimin e Planeve të Përgjithshme Rregulluese për çdo qytet? A nuk do ishte dhe ky një hap në drejtimin e duhur? Dhe jam i bindur këtu biem dakord me shumicën e Shqiptarëve.

Mikroborgjezi: Së paku do sillej një farë rregulli dhe parashikueshmërie në punët misterioze të “rregullimit të territorit” dhe lejeve të ndërtimit.

Qytetari i Angazhuar: Pra, biem dakord që nevojitet një farë rregullimi shtetëror.

Mikroborgjezi: Në krahasim me ndërhyrjen e sotme arbitrare, Plani i Përgjithshëm do qe përmirësim. Por do qe dukshëm inferior ndaj mungesës tërësore të çdo kufizimi.

Qytetari i Angazhuar:  Pra, sipas jush, nuk ka hapësirë të madhe për të përmirësuar dukshëm situatën në qytete tona, sot për sot.

Mikroborgjezi: E vërteta e hidhur.

Armiqtë e betuar do rikthehen në të tjera duele të dhunshme!
Armiqtë e betuar do rikthehen në të tjera duele të dhunshme!