ekonomi

Dembelizmi: shkak apo pasojë e varfërisë?

Etjon Basha

Më rastis shpesh të dëgjoj në debate argumentin që problemi kryesor me mendësinë e shumicës së shqiptarëve –  si dhe arsyeja që nuk na lejon të pasurohemi – qenka mungesa e korrektesës dhe dembelia në punë. Sa herë kemi mburrur gjermanët a japonezët për përpikmërinë e tyre, që nga orari i paraqitjes e deri tek cilësia e punës? Më tej, sa herë kemi dëgjuar që shqiptarët na qenkan dëshpërimisht dembelë, dhe që më shumë rrinë kot nëpër zyra se sa punojnë realisht? Sa orë të shpenzuara nëpër kafene ose bilardo, sa pjesë të orarit të punës të zëna nga çati ose rrjetet sociale! Krahasimi me perëndimin (kryesisht atë anglo-sakson) ku asnjë çast nuk shpenzohet kot duket therrës.

Ide të tilla janë shumë të përhapura, jo vetëm mes shqiptarëve. Para pak kohësh një bloger liberal shkaktoi një goxha zhurmë në qarqet liberale me komentet e tij të lindura nga përvoja e punës në Irak. Sipas Gil Guillory-t, irakenët vijojnë të jetojnë në varfëri sepse nuk kanë sensin e përpikmërisë (si në rastet kur vonohen me dhjetëra e dhjetëra minuta për në takime pune) ose kanë preferenca të larta kohore dhe nuk shqetësohen fare për veten e tyre (si në shembullin e  higjienës së ulët orale). Besoj se, në tone ndofta më të zbutura, këto janë mendimet që kalojnë në mendjen e të huajve që punojnë në Shqipëri e Kosovë.

Që këto konstatime janë teknikisht të sakta duket qartazi: mendësia e përgjithshme shqiptare toleron dembelizmin dhe mungesën e korrektësisë në punë. Por që kjo mendësi shkakton varfërinë e shqiptarëve, kjo është e pasaktë. E anasjellta është e vërtetë.

Kemi parë disa herë në këtë blog sesi pasuria e një grupi caktohet nga stoku i kapitalit për frymë. Kapitali i investuar në Shqipëri e Kosovë është i ulët, e kështu dhe pagat janë të ulëta. Dhe, le ta mendojmë, a pret vërtetë njeri që shqiptari, ora e të cilit vlen pak euro, ta trajtojë atë aq mirë atë sa një gjerman, ora e të cilit vlen disa dhjetëra euro? Presim vallë që unë të trajtoj Opelin tim të përdorur po aq mirë sa do trajtoja një Porsh të ri?

E pra, ne shqiptarët jami jo korrektë me kohën, vonohemi nëpër takime e në punë, kryesisht sepse koha jonë vlen shumë më pak se koha e një perëndimori, kështu që mund ti lejojmë vetes të shpërdorojmë shumë më shumë prej saj. Mendësia luan, në rastin më të mirë, një rol dytësor këtu.

I njëjti arsyetim vlen për gjithë ‘mangësitë’ e tjera të përmendura. Kafenetë janë të mbushura dhe koha e punës faktike e ulët? Sigurisht, me paga të ulëta dhe koha e kushtuar punës ulet. Vërtetë një londinez punon deri mbi 10 orë në ditë, dhe shpesh dhe të shtunave, por paga e tij është disafishi i pagës mesatare në Shqipëri. S’do mend që do punohet më shumë!

Së fundmi, shqiptarët i kushtojnë më pak vëmendje kujdesit vetjak, qoftë në paraqitje, qoftë nga ana mjekësore, sepse, shkurt hesapi, vlejnë më pak se perëndimorët. Po të më falet digresioni në financë, nëse skontohet vlera e ardhme e flukseve monetare që pritet të gjenerojë shqiptari mesatar, vlera kapitale e tij do jetë një fraksion i vlerës të një perëndimori. Sigurisht, kjo nuk nënkupton që shqiptari ‘vlen’ më pak se një perëndimor. Por nga këndvështrimi ekonomik, ai është i gatshëm të shpenzojë shumë më pak për ‘mirëmbajtjen’ e aftësive të tij të punës se një perëndimor. Dhe kjo zgjedhje është plotësisht racionale!

Por nëse mungesa e korrektesës së shqiptarëve nuk po ana shkakton varfëri, cili është fajtori real? Nuk duhet harruar kurrë që faktori kryesor që ngadalëson pasurimin e shqiptarëve është mendësia anti-kapitaliste: në çastin kur koncepti i pronarit sovran, i cili mund të sillet si të dojë me pronën e tij do pranohet pa kushte, atëherë akumulimi i kapitalit do maksimizohet edhe ndër shqiptarë. Por sigurisht, nëse investitori, qoftë vendas apo i huaj, druhet se mos ndonjë qeveri e nesërme (apo, edhe më keq, një turmë e acaruar) po i shpronëson sipërmarrjen, më së paku do investojë shumë më pak se ç’do ishte niveli optimal. Në rastin më të keq, do heqë dorë plotësisht nga investimi i tij. Mendësia anti-kapitaliste po na mban të varfër, dhe varfëria po na shtyn të tregohemi jo-korrektë në punë.

Tani, kjo analizë nuk nënkupton që mungesa e korrektësisë së shqiptareve diktohet vetëm nga niveli i ulët i kapitalit për frymë. Ekziston padyshim një element mendësie në këto sjellje. Edhe sikur nesër magjikisht Shqipëria e Kosova të gdhiheshin të pasura, sërish shqiptari i mesëm nuk do kthehej në ndonjë anglez. Por mendësia vetë diktohet nga rrethanat. Në kushtet kur nuk është racionale të punosh më shumë, përse duhet të përhapet mendësia e korrektësisë në punë?

Shembulli praktik na jepet nga emigrantët shqiptarë: ata dallojnë si nga shqiptarët që jetojnë në Shqipëri dhe Kosovë, ashtu dhe nga vendasit. Mendësia e shoqërisë ku janë rritur ende ndikon që ata të jenë më pak korrektë me punën se vendasit, ndonëse ndodhen në (pak a shumë) të njëjtat rrethana me ta. Por ky efekt vjen e dobësohet deri në zhdukje në brezin e dytë të emigrantëve, dhe në ato shoqëri ku Shqiptarët janë integruar plotësisht nuk vërehet më ndonjë dallim me vendasit. Kështu, në kushtet kur rrethanat ndryshojnë, mendësia (në këtë pikë, së paku) kërkon së shumti një brez për të ndryshuar.

Sigurisht, vetë ne në këtë blog kemi propozuar masa praktike që mund të rrisnin korrektësinë në punë që sot në Shqipëri e Kosovë. Por edhe kur i kemi propozuar këto masa, kemi menduar që ato do funksionojnë sepse do sjellin rritjen e pagave, e jo që pagat do rriten sepse do përmirësohet korrektësia (dhe sidoqoftë, nuk pretendojmë se vetëm ato masa do i kthejnë shqiptarët në pasanikë).

Nga lidhja shkakësore pasurim – rritje korrektësie nuk paska shpëtim. Vetëm me pasurimin gradual të shoqërisë edhe mendësia do nisë të ndryshojë, ndonëse disi më me vonesë. Alternativë ndaj këtij evolucioni gradual nuk ka: të kërkosh që shqiptari që sot për sot mezi i merr 200 euro në muaj të tregohet aq i përpiktë e korrekt sa francezi që i merr 10 herë aq para pa u lodhur fort, kjo është utopike.

Si përfundim, duhet thënë që zakoni për të kërkuar rrënjët e varfërisë sonë tek mungesa e korrektësisë apo dembelizmi janë për tu përshëndetur në parim, por për tu hedhur poshtë në praktikë. Për tu përshëndetur, pasi së paku kërkojnë motorin e pasurisë aty ku duhet, te mendësia e përgjithshme. Gabimi vjen kur në vend të mendësisë anti-kapitaliste, defekti ‘gjehet’  tek zgjedhjet që shqiptarët i ndërmarrin racionalist të detyruar nga rrethanat. Nëse vërtetë mendojmë se nuk do pasurohemi derisa të sillemi si gjermanët e pasur, atëherë nuk kemi për tu pasuruar ndonjëherë.