Uncategorized

Diploma shqiptare e Renzo Bossi-t: e çfarë?

Etjon Basha

 

Buja e fundit e madhe në Shqipëri është ‘skandali’ i diplomës shqiptare të Renzo Bossi-t, djalit të ish-drejtuesit të partisë separatiste/federaliste (sipas hënës) italiane Lega Nord. “Skandali” na qenka që i diplomuari Bosi jo vetëm që me gjithë gjasat as ka shkelur ndonjëherë në Tiranë, por që në vitin kur pretendohet të ketë studiuar pranë Universiteti privat “Kristal” ka qenë ende duke kryer studimet e shkollës së mesme! Pa dyshim një skandal i paprecedent! Ku është shteti kur duhet?

Ndofta jam shumë larg zeitgeist-it, por më duhet të pranoj që nuk shoh se ku na qëndroka skandali i madh në këtë mes. Duke u nisur nga masa e histerisë kolektive, do mund të mendohet që në Shqipëri do jetë zbuluar ndonjë rrjet ndërkombëtar i trafikimit të bombave atomike, dhe jo të diplomave.

Fakti i thjeshtë, por me sa duket tepër i vështirë për tu kuptuar nga etatistët tanë të pandreqshëm, është që Universiteti Kristal ka të drejtën e pacenueshme të shkruajë copa letrash dhe t’ia japë ato kujt të dëshirojë në këmbim të copave të tjera të letrës, disi më estetike. ‘Fallso’ ose jo, nuk është punë e askujt përveç pronarëve të Universitetit të japë mend mbi të drejtën e kësaj sipërmarrjeje private për të dhënë copa letrash që quhen ‘diploma’.

Argumentohet që ky skandal na paska turpëruar Shqiptarët dhe që publiku i gjerë ka të drejtë të jetë i skandalizuar e të kërkojë shpjegime nga emetuesit e diplomave pa hesap. Përgjigja e vetme e drejtë ndaj këtyre pretendimeve është që unë personalisht nuk mbaj mend që ‘publiku i skandalizuar’ të ketë investuar ndonjë kokërr leku në ngritjen e Universitetit Kristal. Si shpeshherë, etatistët ndihen vetëm kur vjen koha për kritika, dhe jo kur është çasti për  të investuar. Sa komode të kritikosh majtas e djathtas pa mbajtur asnjë gram përgjegjësie mbi supe!

Gjithsecili mund ta shprehë personalisht ose publikisht opinionin e ulët që mund të ketë për cilësinë e të diplomuarve të aksh Universiteti, privat a publik. Më tej, sipërmarrësit privatë dhe shteti mund të mos punësojnë të diplomuarit nga institucionet ‘e dyshimta’.

Në fakt, duke parë se si ambicia më e madhe e jetës për shumicën dërmuese e të rinjve e jo aq të rinjve në Shqipëri është punësimi në shtet, sikur nesër Qeveria të shpallte një listë Universitetesh private nga të cilët asnjë i diplomuar nuk do punësohej në shtet, një masë plotësisht legjitime kjo, e gjithë histeria kolektive mbi arsimin e  lartë privat në Shqipëri me gjithë gjasat do vdiste. Por kërkesat unanime mbi mbylljen e universiteteve ‘të dyshimta’ janë tërësisht të papranueshme dhe veç dëshmojnë që parimet e qytetërimit Evropian i kemi pranuar në emër, por aspak në thelb.

Kështu pra, ‘shoqëria civile’ dhe ’publiku i gjerë’ janë të lutur të heshtin e të mos i japim mend pronareve sovranë mbi përdorimin e pronës së tyre. Më së shumti presion mund ti bëhet shtetit për të mos punësuar më diplomantë nga këto institucione. Çdo pretendim më shumë se kaq dëshmon veç që sipërmarrësit në Shqipëri bëjnë mirë të mos investojmë me tepri në asete të paluajtshme por ta mbajnë pasurinë sa më likuide e të gatshme për tu transferuar në Zvicrën kapitaliste pasi me këtë mendësi që mbizotëron mes Shqiptarëve, ndonjë revolucion jakobin nuk mund të jetë shumë larg. Ndërkohë le ta gëzojë reklamën falas Universiteti Kristal!

PS: Në nder të etatistëve Shqiptarë, duhet pranuar që komentet e shtypit italian nuk kanë qenë më liberale. Një gazetë madje ka komentuar ironikisht se si Shqipëria do i shpallë luftë Italisë për të shlyer turpin e madhe që Rencoja i shkretë na paska sjellë. Dhe të mendosh që italianët kanë qenë një herë e një kohë flamurtarët e liberalizmit evropian dhe botëror, dhe jo të kulturës depresive dhe sarkazmës bajate ku sot janë mjeshtrat e padiskutuar (ndonëse në kulturën depresive duket se po konkurojnë fuqishëm dhe turqit). Në ç ‘gjendje mjerane është katandisur kontinenti ynë i dashur.

EDIT: që prej këtij postimi, çështja “Bossi” ka marrë tjetër shije me shkrimin e Henri Çilit (Administrator dhe bashkëthemelues i Universitetit Evropian të Tiranës, institucion privat ky) mbi dukurinë e – dhe po citoj – “kryqëzimit të sektorit privat dhe joshtetëror në arsimin e lartë”. Tani, duhet thënë që vetë Zoti Çili nuk është liberal radikal, dhe nuk sheh asgjë të gabuar në dënimin e Universitetit Kristal për emetimin e diplomave “fallso”. Por së paku kemi një zë ndryshe që orvatet ta mbrojë arsimin e lartë privat, megjithëse me çmimin e sakrifikimit të njërit prej Universiteteve private.

Veçanërisht me vlerë është analiza e kontrastit skandaloz mes qëndrimeve private dhe atyre publike të opinionistëve që, teksa kërkonin me të madhe mbylljen e universiteteve private në Shqipëri i dërgonin fëmijët e tyre pikërisht në këto universitete! Pra, kjo ‘elitë’ e vetëshpallur le ta gëzojë arsimin privat, ne të tjerët të ngecim me shtetin! Fundja, edhe në u mbyllshin Universitetet private ata aq para i kanë sa për ti dërguar fëmijët me studime jashtë shtetit, por klasa e mesme në Shqipëri që do ti kursejë ato para e megjithatë ti ofrojë brezit të ri një arsim të lartë më cilësor nuk do ketë nga t’ia mbajë.

Qoftë dhe vetëm për ketë demaskim të pamëshirshëm të hipokrizisë etatsite të ‘intelektualëve’ tanë të dashur, artikulli i Zotit Çili është ndër më të mirët që kam lexuar prej disa kohësh.