politikë

Domosdoshmëria e ri-fokusimit të politikës së jashtme të Shteteve Shqiptare

Etjon Basha

1

Reagimi fare skandaloz i autoriteteve të ndryshme Europiane ndaj krizës tepër e rëndë diplomatike që ka shpërthyer mes Shqipërisë dhe Serbisë duket se ka ndezur befasisht euro-skepticizmin ndër shqiptarë. Mbetet për tu parë nëse kjo frymë do mbijetojë në afat të gjatë apo do fashitet pasi situata e krijuar të mbyllet në një mënyrë apo në tjetër, por gjasat janë disi më të mëdha për skenarin e parë.

Para se të vijoj me postimin, më duhet të marr një çast krenarie në këtë pikë pasi një zhvillim të tillë e pata parashikuar në Janar të 2013-ës në postimin tim “Shqiptarët dhe dritëshkurtësia e ndërkombëtarëve”, ndonëse kurrsesi nuk mund ta merrja me mend që incidenti katalizator do ishte kaq serioz dhe aspak një detaj banal i aksh negociate me BE-në.

Në çdo rast, euro-skepticizmi është një zhvillim më se i mirëpritur ndër shqiptarë. Ndonëse këtu kam shprehur vijimisht si kritikat e mia mbi BE-në ashtu dhe bindjen që megjithatë shqiptarët duhet të synojnë integrimin si të keqen më të vogël realisht të arritshme (por sërish si një të keqe), nuk ka kurrfarë arsyeje se përse Kombi ynë duhet të “integrohet” (në thonjëza pasi integrimi i kombësive europiane nuk ka sesi të ndodhë veçse në fantazinë fare naive të eurokratëve) me bindje të plotë.

Në kushtet e zgjedhjes së integrimit europian si të keqen më të vogël, kemi çdo arsye për të parapëlqyer që shqiptarët të jenë thellësisht skeptikë për këtë organizëm, mundësisht në masën e britanikëve të cilët herë pëlqejnë qëndrimin në BE, e herë largimin. Dhe në fakt, po të gjykojmë nga pëlqimi për BE-në i cili për Kroatët ra në fare pak mbi 50% në prag të anëtarësimit, mund të presim që edhe kur shqiptarët të integrohen në BE (nëse kjo do lejohet e jo shtyhet pafundësisht si mund ti ketë ndodhur një tjetër vendi Ballkanik që ka marrë statusin famëkeq të vendit kandidat prej viteve ’80) kjo të ndodhë në kushtet e skepticizmit të thellë.

Në afat të shkurtër, kjo do i falë shqiptarëve një pozitë disi më të fortë negociuese në BE, brenda kornizave të vendosura nga përmasat e kombit tonë. Në afat të më të gjatë, një komb euroskeptik do jetë kurdoherë i gatshëm të largohet nga kjo perandori e radhës në çastin më të parë kur shpërbërja e saj eventuale të nisë. Dhe le të mos kemi asnjë dyshim: BE-ja do shpërbëhet, ndofta edhe dhunshëm, kur për të të bien këmbanat. Ajo ditë do duhet ti gjejë shqiptarët e përgatitur si kroatët gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë, e jo si Austriakët, Hungarezët apo Turqit gjatë shpërbërjes së perandorive të tyre përkatëse në fund të Luftës së Parë Botërore. Katastrofa e 1912-ës nuk duhet lejuar të ndodhë kurrë më për Kombin Shqiptar.

Në çdo rast, këto zhvillime janë ende larg, duke nisur  nga vetë integrimi i Shqipërisë e Dardanisë në BE. Ndërkohë, shqiptarët nuk duhet të bien pre e reaksionin nacionalist që mund të na shtyjë në vendime dritëshkurtra, por duhet të reagojnë më zgjuarsi ndaj kushteve  të krijuara rishtazi.

Kështu, mbarë politika e jashtme e Shqipërisë dhe Dardanisë duhet rifokusuar që sot e tutje “si një lazer” në një qëllim të vetëm: gjetjen e tregjeve të punës në botën anglo-saksone për shqiptarët.

Kemi diskutuar më parë në këtë blog rëndësinë jetike që emigrimi masiv pati për Shqiptarët, e kemi parë se si pa këto lëvizje masive popullsie për në Zvicër, Itali e Greqi (e më pak tjetërkund) Shqiptarët do jetonin sot në kushte fare afrikane në vendet e tyre.

Emigrantët ekonomikë jo vetëm liruan mbipopullimin masiv të trojeve shqiptare duke rritur automatikisht pagat në Shqipëri e Dardani, por u kthyen në burim masiv dhe hegjemon të valutës së huaj për shqiptarët e mbetur, burim që mundësoi jetesën tonë mbi standardin që do mund ti lejonim vetes “me forcat tona”, dhe me të cilin investimet e huaja as që mund të krahasohen. Nëse shtojmë këtu dhe efektin e hapjes së madhe të mendësisë shqiptare ndaj shoqërive sidoqoftë më të zhvilluara dhe importin gradual të kësaj mendësie në Shqipëri e Dardani, do shohim që emigrimi masiv i viteve ’70 dhe ’90 qe ndër zhvillimet ekonomike më pozitive të shekullit të shkuar.

Por tashmë situata ka ndryshuar. Eurozona ndodhet në krizë të vijuar e tregu i saj dikur i pashtershëm i punës është në pikë të hallit. Vendet mirëpritëse jo vetëm që nuk mund të presin më punëtorë të rinj, por kanë detyruar edhe ata që kanë dekada jete në këto vende e madje kanë lindur aty të kërkojnë një jetë më të mirë gjëkundi. Më tej, vendet europiane ekonomia e të cilave është më solide janë mbyllur thuajse hermetikisht për emigrimin e shqiptarëve, në pamundësi për të përballuar emigrimin e brendshëm të mbarë periferisë së Eurozonës.

Shqipëria dhe Dardania janë ende në mbipopulluara (raporti i tyre kapital/punë është ende tepër i ulët) dhe zhvillimet politike të fundit në vendet tona kanë sjellë një menaxhim ekonomik edhe më të keq nga standardi i ulët me të cilin jemi mësuar.  Së paku në Shqipëri, kolapsi i normave të interesit  dëshmon që një shtrëngesë e madhe likuiditeti ka kapluar më në fund dhe vendin tonë. Dhe le të mos flasim fare për gjendjen e Shqiptarëve në “Maqedoni”, Mal të Zi apo Preshevë ku sot po vihet në dyshim deri dhe siguria fizike e shëndetit dhe pronave të tyre.

Në këto kushte është jetike që mbarë aparati diplomatik i Shqipërisë dhe Dardanisë të ripërqëndrohet nga ndjekja e karotës së pakapshme Europiane (Shqipëria dhe Dardania do integrohen kur të dojë Brukseli, jo kur të “reformohemi” ne) apo përpjekja donkishoteske për njohjen e pavarësisë së Dardanisë (kjo çështje do mbyllet vetëm me shkëmbim territoresh me kusht njohjeje me Serbinë) në detyra shumë më praktike e jetike: hapja e kufijve sot të mbyllur për punëtorët Shqiptarë.

Nëse përqendrojmë vëmendjen tonë në këtë qëllim unik do shohim që ka shumë që mund të bëhet në këtë fushë edhe nga shoqëritë tona relativisht të varfra. Kështu, çdo konçesion ekonomik mund kushtëzohet jo më me kushte qesharake investimesh por me rritjen e kuotave të emigranteve që do pranohen në botën Anglo-saksone (ShBA, Kanada, Australi, Zelandë e Re e ndofta disi më pak Izraeli i cili sot ndodhet në ngushticë të madhe për krah pune). Buxheti i lobimit dhe marketingut, teknika relativisht të lira dhe efektive në shumë kryeqytete anglo-saksone, duhen rritur e përqendruar. Më tej, do duhen ofruar kushte shumë më të favorshme për këto vende për pranimin e emigrantëve shqiptarë, të tilla si riatdhesimi i menjëhershëm e i pakushtëzuar me shkeljen e parë ligjore, qoftë kjo diçka minore. Normalisht këtu do duhej të shtonin maksimizimin e bashkëpunimit ushtarak e të inteligjencës me klubin e “pesë syve” por jam më se i bindur që në këtë pikë Shtetet Shqiptare që sot po ofrojnë gjithshka munden. Sidoqoftë, trupat shqiptare do duhet të vijojnë të ndjekin ato anglo-saksone kudo që këto luftojnë, me ose (çka ka më shumë gjasa) pa të drejtë.

Jam i bindur  që instancat përkatëse të Shqipërisë dhe Dardanisë mund të mendojnë për 101 mënyra të tjera për të maksimizuar presionin ndaj Botës Anglo-saksone, nëse heqim dorë nga çdo kërkesë tjetër e jona. Në fund të fundit, sikur dhe një milion e gjysmë të rinj shqiptarë të largoheshin në botën anglo-saksone (duke përfshirë këtu dhe Izraelin por jo mbretërinë e Bashkuar, Irlandën apo Afrikën e Jugut), një propozim maksimalist që realisht do qe e shumta e arritshme edhe në kushtet më ideale,  popullata totale e këtyre vendeve do shtohej me plot 0.38%, një shifër shumë më e vogël se popullsia e pastrehë që endet rrugëve të qyteteve të tyre.

Është e vërtetë që gjasat që kjo shifër makimaliste të arrihej do qenë të vogla, pasi Shqiptarët nuk janë i vetmi komb që synon hapjen e portave të botës anglo-saksone. Por një ofensivë e përqendruar dhe e vijuar diplomatike do arrinte më së paku të rriste dukshëm numrin e pranimeve nga këto vende.

Ka arsye më afatgjata se thjesht ngushtica aktuale e kontinentit Europian për të synuar botën anglo-saksone në këtë skemë. Së pari, e ardhmja demografike e Europës është tejet e dyshimtë, dhe ka  shumë pak skenarë ku pasuria për frymë e kontinentit të vjetër arrin të rritet po aq shpejtë sa ajo e pjesës tjetër të botës së zhvilluar në të ardhmen, qoftë dhe në kushtet më të mira. Më tej, edhe në ditët më të mira mendësia e europianit mesatar nuk ka qenë kurrsesi e krahasueshme me atë të anglo-saksonit mesatar në drejtim të respektit për lirinë vetjake dhe të parimeve të Qytetërimit Perëndimor, parime për të cilat Kombi Shqiptar ka nevojë të madhe.

Më tej, vendet e “anglosferës” janë relativisht të nënpopulluara (me përjashtim të Britanisë dhe Izraelit) dhe ofrojnë një standard jetese jashtëzakonisht të lartë qoftë dhe për punëtorë jo fort të kualifikuar siç janë ata që fatkeqësisht mund të ofrojnë në masë trevat shqiptare sot për sot. Përkundër, Europa kontinentale është ndër rajonet me popullsi më të dendur sot për sot. Sistemi ekonomik në këto vende nuk është kurrsesi aq i kartelizuar sa i ai në Europë, ku një sistem informal por i rreptë kastash po instalohet nën tutelën e Eurokracisë së Brukselit.

Por ka edhe më. Shqiptarët kanë emigruar vijimisht dhe në masë në Europë por ende nuk ia kanë arritur të krijojnë jo më një lob të tyre, por qoftë dhe të tërheqin simpatinë e qëndrueshme të ndonjë vendi Europian. Ndërkohë që çdo vend që ka ditur të “dërgojë”  me kohë emigrantë në anglosferë ka parë sesi krijohet vetiu një lob i organizuar dhe i fuqishëm që ndihmon vendin amë në kohën e duhur. Nuk ka arsye se përse Shqiptarët të mos krijojnë dot një lob po aq të fuqishëm sa ai Grek apo Armen, veçanërisht nëse do dimë të ruajmë lidhjen me kombin amë brenda kornizës së atij anglo-sakson.

Të mësojmë nga më të mirët
Të mësojmë nga më të mirët

Por së fundmi, arsyeja kryesore është që Bashkimi Europian do implodojë në të ardhmen, dhe trazirat që do rrjedhin nga kjo ngjarje do duhet të cënojnë sa më pak të jetë  e mundur shqiptarët.

Duke i kuptuar në mënyrë instiktive këto të vërteta e të detyruar nga kriza e Eurozonës, shqiptarët që kanë krijuar jetën e tyre me vite e dekada tashmë në Greqi e Itali kanë zgjedhur pikërisht botën anglo-saksone për të emigruar sërish. Diplomacia shqiptare tashmë duhet tu sigurojë sa më shumë bashkëkombësve të tyre që nuk kanë privilegjin e një pasaporte europiane po të njëjtën mundësi.

Do ishte e këndshme sikur mendësia e shqiptarit mesatar të evoluonte aq shpejt dhe Shtetet Shqiptare të nisnin të tërhiqnin sasi të tilla kapitali sa të mos na duhej të flisnim për emigrim, por përkundrazi për imigrim. Por kjo ditë nuk ka për të ardhur vetiu, së paku jo aq shpejt sa do duhej, sado blogje liberale të krijohen apo konferenca të mbahen. Alternativa e vetme realiste për ngritjen e standardit të jetesës së shqiptarëve është emigrimi masiv në vendet që kanë përqafuar më shumë nga cilado kulturë tjetër parimet e lirisë vetjake që aq shumë parapëlqejmë ne në këtë blog.

Nëse arrihet qoftë dhe një e dhjeta e skenarit maksimalist ku 1-1.5 Milionë të rinj pranohen si forcë pune në anglosferë, kur të vijë dita që Shqiptarët sërish do vihen përballë pasigurisë fizike dhe ekonomike në kontinentin tonë të dashur, do jemi të përgatitur për të përballuar çdo situatë që mund të rrjedhë nga shkatërrimi i trupëzimit të fundit të fiksimit Europian për Perandori shumë-kombëshe.