ekonomi

Durrës-Kukës: ia vlejti barra qiranë?

Etjon Basha

Shumëkush i mban mend mirë javët kur debati politik, si dhe ai i përgjithshëm, vlonte mbi çështjen e rrugës Durrës-Kukës: projekt patriotik apo politik, shpëtimi i kombit apo justifikim për shpërdorime masive?

Si gjithnjë do të na duhet të përzgjedhim mirë në cilin nga këta debate mund të flasim me siguri: nuk mund të flasim për shpërdorimet – reale apo të pretenduara – me fondet e alokuara, apo për arsyen e përfitimit elektoral që pretendohet të ketë pasur qeveria aktuale teksa ndërmori vrullshëm ndërtimin e kësaj rruge. E vetmja çështje që mund të diskutohet është kjo: a ia vlejti shpenzimi (i cili mendohet të ketë shkuar përgjatë viteve në vlerën e 98.7 miliardë lekëve) për ndërtimin e kësaj rruge?

Ca si vonë u kujtuam

1)             Këndvështrimi moral: nuk mund të theksohet mjaftueshëm që edhe sikur rruga Durrës-Kukës të sjellë realisht ndikim revolucionar në ekonominë kombëtare Shqiptare, duke ‘shkrirë’ ekonomitë e Kosovës dhe Shqipërisë –edhe sikur të kishte kushtuar shumë më pak nga ç’kushtoi faktikisht – sërish kjo vepër do qe më së paku amorale. Të mos harrojmë kurrë që bëhet fjalë për një vepër që 1) është financuar me para të marra me dhunë, pra me taksa, 2) do financohet për dekada me radhë me paratë që do merren dhunshëm nga brezat e ardhshëm si dhe 3) ka kërkuar shpronësimin e detyruar (ndonëse me ‘kompensim’) të pronarëve që patën fatin e keq të zotëronin pronë në vijën e saj. Për këto shkelje nuk ka shpagim: sado pozitiv të jetë ndikimi i kësaj vepre, ajo do mbesë vepër e ngritur mbi shkeljen e parimit të pronës sovrane. Çfarëdo tjetër të mund të themi pra, rruga Durrës-Kukës do mbetet më së paku një shkelje morale për këdo që ndjek parimin e lirisë.

2)             Këndvështrimi ekonomik: përtej këndvështrimit moral, a ia vlejti shpenzimi i madh i ndërmarrë për ndërtimin e kësaj vepre po të marrim në konsideratë përfitimet që ajo do sjellë për ekonomitë Shqiptare dhe Kosovare? Nga këndvështrimi ekonomik e dimë që kësaj pyetjeje mund ti japim përgjigje vetëm me anë të testit të fitim-humbjes, dhe ky test nuk ka se si të zhvillohet më. 

Në çastin që projekti u hartua dhe financua me shpenzim publik, çdo pretendim për një vlerësim objektiv të përftimeve të tij u flak nga dritarja. Nëse opozita do kish qenë realisht e shqetësuar për shpërdorimin e fondeve publike në këtë ‘aventurë’, do kish ngulur këmbë që ajo ti lihej tërësisht sektorit privat, pasi vetëm kështu do mund të dinim nëse projekti realisht ia vlente. Sigurisht, po ashtu nëse qeveria e sotme dhe opozita e djeshme do ish interesuar shumë për shpërdorimin në ndërtimin e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës, projekt që u anulua më vonë, njësoj do duhet të kish kërkuar ndërtimin privat të linjës.

Pra, tashmë nuk kemi më si ta dimë nëse rruga Durrës-Kukës ia vlejti, por një test të përafërt mund ta zhvillojmë ende. E vetmja gjë që duhet bërë është që kjo rrugë të nxirret në shitje (jo koncesion) që nesër. Për të përfituar vlerën reale të rrugës në ankand ajo do duhet shitur së bashku me sovranitetin mbi territorin në të cilën ajo kalon (për të njëjtat arsye që shtrova për një poltiikë të ngjashme për privatizimin e Bursës së Tiranës), pasi ndryshe nga vlera reale e rrugës do zbritej kostoja shtesë e ndjekjes së rregullave inefiçente shtetërore. Vetëm nëse blerësi do qe tërësisht i lirë të eksperimentonte me manaxhimin më të mirë të trafikut, nisur nga rregullat e qarkullimit e deri tek sinjalistika, do mund të merrej vlera maksimale (dhe e vërtetë) nga kjo vepër. Për të qetësuar kundërshtitë të natyrës strategjike që partneri kryesor (dhe realisht i vetëm) i Shqipërisë dhe Kosovës mund të ngrejë, kontrata mund të specifikonte që për qëllime ushtarake rruga do duhej liruar përherë dhe pa paralajmërim apo zhdëmtim.

Në çastin e  shitjes testi do ishte i thjeshtë: a do mjaftojë çmimi i shitjes për të shlyer tërësisht borxhin e marrë për ndërtimin e kësaj rruge? Nëse çmimi realisht mjafton (apo dhe nëse blerësi thjesht merr përsipër shlyerjen e borxhit me garanci nga shteti shqiptar dhe me vetë rrugën si kolateral për garantorin) atëherë mund të themi që ka shumë të ngjarë që realisht rruga Durrës-Kukës t’ia ketë vlejtur.

Nëse çmimi i shitjes nuk do mbulonte dot borxhin e marrë për ndërtimin e rrugës, do kuptonim qartë dhe pa ekuivok që megjith përfitimet e pritura të kësaj vepre, kostoja e saj nuk justifikohet. Dhe ja ku një debat i tërë politik dhe shoqëror do merrte përgjigje në çast.

Me çdo mereshin mediat pastaj?

Testi ka gjasa të jetë mjaft i saktë, por jo tërësisht i saktë. Kjo për dy arsye.

Së pari, përmendëm që edhe nëse rruga kalon testin e shitjes ajo sërish mbetet një vepër e ndërtuar në shkelje të moralit të lirisë. Kjo nuk është vetëm konsideratë etike, por dhe praktike: fati që rruga u ndërtua duke shpronësuar dhunshëm dhe me zhdëmtim arbitrar pronarët gjatë vijës së saj, nënkupton që kostoja në terma monetarë nuk përputhet me koston e saj reale. Shumë nga ata që humbën nga ndërtimi i saj (dhe humbja apo kostoja janë koncepte subjektive) nuk ‘patën zë’ në përcaktimin e kostos monetare të veprës. Nuk është rasti këtu të sqarohet në detaj se si ndjekja e parimeve morale të lirisë dhe vetëm ndjekja e tyre mundëson llogaritjen e kostos së saktë të çdo objekti: le të mjaftohemi duke thënë që po të shkelen këto parime, llogaritja racionale ekonomike nis e bëhet e pamundur. Pra, edhe nëse rruga Durrës-Kukës do arrinte të shitej mbi vlerën e borxhit të marrë për ndërtimin e saj, sërish nuk do mund të thonim me siguri që ajo ia ka vlejtur: kostoja që do mbulohej nga çmimi i shitjes nuk do ishte kostoja reale.

Së dyti, sërish si pasojë e shkeljes së etikës së lirisë në ndërtimin e këtij objekti rrjedh dhe një konsideratë e lidhur, por në kah të kundërt: kostoja monetare e rrugës është e tepërt! I njëjti objekt, madje shumë më cilësor, do mund të ish ndërtuar në mënyrë tërësisht private me kosto shumë më të ulët. Pra edhe nëse rruga do dështonte në testin e shitjes, sërish do mund të pretendohej që në fakt nuk ka dështuar vetë rruga, por ndërtimi publik i saj.

Këto dy konsiderata e bëjnë të pamundur qartësimin e pyetjes serioze e të rëndësishme nëse rruga Durrës-Kukës ia vlejti të ndërtohej. Testi i vetëm i plotë do kish që tërheqja e qeverisë nga ndërtimi i rrugëve dhe lejimi i sipërmarrjes të veprojë në këtë fushë: nëse në këto kushte rruga do qe ndërtuar, ajo do ia vlente. Por tashmë gabimi i projektimit e financimit publik është bërë: në këto kushte më e pakta që mund të bëhet është të përfitojmë maksimalisht nga investimi si dhe të shuajmë kërshërinë nëse shpenzimi ia vlejti, duke ia dorëzuar atë tërësisht (pra, duke ceduar dhe sovranitetin)  manaxhimit privat.

Me pak fat, kjo masë do mund të shënonte dhe fillimin e një epoke të re të ndërtimit infrastrukturor tërësisht privat, një masë që mund edhe ti kursente Shqipërisë dhe Kosovës rrugën e falimentimit financiar ala Greqi në dekadën në vijim, rrugë që dy qeveritë po ndërmarrin me shumë zell.