Uncategorized

Dy gëzime në një javë!

Etjon Basha

Në 6 Nëntor Këshilli i Ministrave i Bashkimit Evropian miratoi liberalizmin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën: tashmë qytetarët e këtyre vendeve do mund të lëvizin lirisht pa viza për një periudhë deri në 90 ditë në vendet e zonës Shengen.

Si shumëkush e kupton, kjo është një nga ngjarjet më të rëndësishme të dekadës dhe realizmi i një ambicieje të hershme të qytetarëve Shqiptarë. Realisht një arritje për tu admiruar.

Mirëpo, këtu ne interesohemi edhe për diçka tjetër: a është kjo masë një hap para apo prapa nga ana liberale? Pra, a na afron apo na largon me situatën e një territori pa shtet?

Në këtë pikë ekziston një debat mes liberalëve mbi imigracionin. Njëri krah argumenton që çdo barrierë shtetërore mbi lëvizjen e lirë pengon lirinë individuale. Tashmë lëvizja me zonën Shengen i përafrohet më shumë gjendjes që do ekzistonte sikur shtetet të mos ekzistonin fare: lëvizje “e lirë” kudo me miratimin e pronarit të tokës. Regjimi i vizave pengon dy individë që, përmes një marrëveshjeje vullnetare e me përfitim të dyfishtë, të bien dakort që njëri të lëvizë në tokën e tjetrit. Një pronar restoranti në Amsterdam do ishte shumë i kënaqur sikur një shqiptar të frekuentonte biznesin e tij, dhe shqiptari gjithashtu do ishte i kënaqur. Por deri tani ajo që normalisht do ishte një marrëveshje e thjeshtë me përfitim të dyanshëm, pengohej. E pra, jo më! Liberalizmi i vizave duhet duartrokitur si jo vetëm realizimi i një ambicieje të madhe të shqiptarëve, por dhe sepse na afron me gjendjen që do ekzistonte sikur shteti të mos ishte shpikur kurrë.

Krahu tjetër argumenton që kjo nuk është aspak e sigurt. Sigurisht, nëse kërkohen viza për të vizituar Italinë, kjo ngjan me një barrierë që i vendoset çdo grupi qytetarësh shqiptarë e italianë për të arritur një marrëveshje me përfitim të dyanshëm. Mirëpo, argumentohet, sikur shteti të mos egzistonte, ajo që është sot tokë publike do ishte në pronësi private: si ta dimë ne nëse pronarët privatë të këtij terrori do lejonin apo jo ‘imigracionin’? Mbani parasysh të ‘racizmi’ është tërësisht legjitim nga ana liberale. Secili ka të drejtë të mos lejojë anëtarët e të një etnie a feje të caktuar të mos hynë në premisat e tij. Pra, si ta dimë ne ç’do kishin bërë këta pronarë privatë? Nëse ata do pranonin krahëhapur qytetarët shqiptarë, atëherë realisht barrierat e imigracionit zvogëlojnë lirinë.

Po sikur ata të refuzonin kategorikisht të lejonin shqiptarë a myslimanë të hynin në këtë pronë? Liberalizmi në këto kushte nënkupton largimin nga gjendja që do egzistonte pa shtet. Si një shembull më praktik, nga e dimë ne nëse pronarët e tokës që është sot publike nuk do kërkonin nga secili klient apo mysafir që hyn që të jetë i siguruar për dëmet që mund të shkaktojë? Nëse në kufi, në vend të vizës, kërkohet sigurimi i përgjegjësive, kjo do ishte një përafrim e gjendjen e tregut, ndërsa lëvizja tërësisht e lirë në kufi, do na largonte nga kjo gjendje.

Sipas meje, argumenti i paraqitur nga liberalët kundër imigracionit të lirë në fakt, qëndron plotësisht. Problemi është që nuk ka asnjë mënyrë që shteti të dijë se si tregu do kish rregulluar problemin e imigracionit, për të vepruar dhe ai në këtë mënyrë. Sa më shumë pronë publike të ketë në një vend, aq më e vështirë bëhet zgjedhja. Ndonëse liberalizimi në rastin tonë zbatohet vetëm për 90 ditë, pra dhe efektet e tij janë të kufizuara, sërish nuk mund të themi se liberalizmi i vizave, megjithëse unë si kushdo e vlerësoj shumë, është një përparim nga liberale në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Por liberalizimi është përparim për liberalët në mënyrë të tërthortë, dhe kjo për dy arsye. Së pari, Hans Hop argumenton që, në kushtet kur shteti, tani për tani, ekziston, mënyra se si ai mund ti përafrohet zgjidhjes që tregu do i jepte imigracionit, do ishte që jo shteti qendror, por njësitë më të vogla të mundshme, deri në çdo lagje, të vendosnin vetë për politikën e tyre të imigracionit. Liberalizmi i vizave në kushtet kur tregu sidoqoftë do lejonte lëvizje pak a shumë të lirë, është hap pozitiv. Por dhe në kushtet kur tregu vetë nuk do kish lejuar lëvizje të lirë, liberalizmi sërish ka një efekt pozitiv: nxit njësitë vendore të kërkojnë të drejtën për të vendosur, secila veç e veç, mbi politikën e imigracionit. Pra duke liberalizuar  vizat, qeveritë qendrore ne Evropë dhe vetë BE-ja ka mundësi të humbasë legjitimitet në favor të njësive më të vogla shtetërore. Suksesi në Itali i Legës së Veriut, me retorikën e saj të njohur anti-imigracion, është rast i njohur.

Së dyti, sa më të lirë të jenë njerëzit në lëvizjen e tyre, aq më e thjeshtë është që të lëvizin nga një rregjim që nuk përmbush kërkesat e tyre. Siç kam argumentuar më parë, lëvizja e lirë ka qenë ndër forcat kryesore që ngriti qytetërimin evropian aty ku është sot. Parimisht, qeveria shqiptare tashmë do jetë në presion më të madh për të përmbushur kërkesat e qytetarëve pasi ata mund të largohen më lehtë. Edhe dikush që mundet të lëvizë për vetëm 90 ditë e ka më të lehtë që në këtë kohë të gjejë një punë të përshtatshme (por jo të punojë) dhe të aplikojë më vonë për vizë qëndrime  e pune. Mbetëm i bindur që, pa eksodin masiv të shqiptarëve në fillim të viteve 90, liberalizmi i ekonomisë në atë periudhë nuk do kish qenë kurrë aq i shpejtë, dhe rritja ekonomike kurrë aq e vrullshme.

Pra, le ti gëzohemi liberalizmit të vizave. Ndonëse nuk mund të themi me siguri nëse, drejtpërdrejtë, kjo masë na afron ose na largon nga ajo që do ndodhte në një gjendje anarkie, mund të themi që duke ulur legjitimitetin e qeverive qëndore evropiane e duke e bërë më të lehtë emigrimin, kjo masë tërthorazi nxit liberalizimin.

Por java nuk mund të mbyllej pa lajmin e dytë të mbarë nga fronti evropian: në 9 Nëntor Komisioni Evropian rëzoi kërkesën e Shqipërisë për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Shumëkush u dëshpërua këtu (ose do ish dëshpëruar sikur të mos qe miratuar liberalizmi i vizave tre ditë më parë), mirëpo realisht këtu nuk ka asgjë për tu dëshpëruar. Madje, këtu kemi një rast tipik të asaj që njihet ë gjuhën popullore si “fati i budallait”.

Siç kam argumentuar më parë, duke u nisur nga historia e kontinentit tonë, BE-ja është një ide shumë, shumë e keqe dhe sa më shumë ti shmangemi këtij Bashkimi Sovjetik bashkëkohor, aq më mirë do bënim. Mirëpo ja që pak kush mendon kështu dhe më së shumti njerëzit pranojnë propagandën Evropiane në vend të logjikës ekonomike. Mirëpo ja që paskemi fat: BE-ja vetë po vonon integrimin tonë vdekjeprurës! I marri kërkon të vrasë veten, por pistoleta nuk punon! Në këtë këndvështrim reja e ksenofobisë dhe fondamentalizmit të krishterë që po ngrihet në Evropë që me shumë gjasa do pengojë integrimin e Shqipërisë e Kosovës, është për tu duartrokitur. Nëse Estonia, mrekullia ekonomike e kontinentit, hodhi në erë gjithë përparimin e saj në 20 vjet duke u integruar, neve ky gabim nuk do na lejohet! Le të shpresojmë që BE-ja do shpërbëhet nën peshën e ineficencës së saj para se dikush të ndërrojë mëndje e të na lejojë integrimin plotë!