Uncategorized

Dy klasat e shoqërisë

Bardhyl Salihu

Në grumbullin e kontradiktave dhe gabimeve faktuale të Karl Marksit gjendet një teori pothuajse e drejtë e konfliktit të dy klasave kryesore të shoqërisë. Ai famshëm shkroi që “historia e njerëzimit është histori e luftës së klasave” dhe renditi disa forma në të cilat e shihte sundimin e njërës klasë mbi tjetrën.

Për Marksin, forma kryesore e sundimit ishte ekonomike: klasa sunduese e shpronëson pjesën kryesore të prodhimit dhe i lë klasës së sunduar të ardhura vetëm sa për ekzistencë. Ai dështoi ta kuptonte që ky “shpronësim” nuk ishte asgjë tjetër veçse fitimi i mbetur i kapitalistëve të cilët ua avanconin pagat punëtorëve para se produkti i tyre final të përfundohej, përgjigje të cilën e morri nga Eugen von Bohm-Bawerk në goditjen e tij të madhe ndaj ekonomisë Marksiste në librin Karl Marksi dhe Përfundimi i Sistemit të Tij (1898).

Mirëpo problemi i madh me teorinë Marksiste të klasave nuk qëndron vetëm tek keqkuptimet të cilat rrodhën nga fakti që Marksi nuk e dinte ekonominë mirë; problemi i madh ishte dështimi i Marksit për ta identifikuar klasën sunduese të vërtetë dhe dhënia gabimisht e këtij epiteti kapitalistëve.

Rikonstruksioni libertarian i teorisë së klasave

Fatmirësisht, teoria e klasave gjeti shpëtimin në rikonstruksionin që ekonomistët dhe filozofët libertarianë i bënë asaj. Veprat e Murray Rothbard (Fuqia dhe Tregu, 1970) dhe Ludwig von Mises (Përplasja e Interesave Grupore, 1978) vënë bazën për një trajtim të drejtë të çështjes. Duke huazuar gjithashtu nga sociologu (jo libertarian) Franz Oppenheimer, teoria libertariane e klasave vendosi me të drejtë shtetin në timonin e klasës sunduese kurse të gjithë subjektet e tij në kategorinë e të sunduarve.

Shteti, i cili karakterizohet me monopol në vendimet gjyqësore (duke përfshirë kontestet ku edhe vetë bënë pjesë), në fuqinë ushtarake, si dhe në mbledhjen e dhunshme të pronës (të cilat i quan taksa), është institucioni i vetëm i cili rregullisht përdorë dhunë në veprimet të tij.

Në analogji me shtetin qëndrojnë edhe organizatat kriminale si Mafia, por dallimi thelbësor është që këto organizata nuk e kanë legjitimitetin popullor prapa tyre. Në sytë e popullatës, këto organizata shihen me të drejtë si kriminale dhe si të tilla pritet të ndalohen e të dënohen. Mirëpo për arsyeje ideologjike të indoktrinimit shekullor, shteti trajtohet me standarde tjera dhe atij i lejohet t’i kryej po të njëjtat krime pa rrezikun e sanksioneve.

Klasës sunduese të shtetit natyrisht i bashkëngjiten të gjithë bashkëpunëtorët e tij, apo ata që Rothbard i quan “neto përfituesit e shtetit”. Pra përpos politikanëve e funksionarëve që disponojnë drejtpërdrejtë me fuqi politike, bëjnë pjesë edhe i tërë sektori publik si dhe të gjithë ata individë apo kompani të cilat përfitojnë nga privilegjet monopoliste të dhuruara nga shteti.

E kush mbetet në fundin e hierarkisë tiranike? Subjekti i gjorë i cili detyrohet më dhunë të paguaj taksa, t’i përmbahet rregullacioneve ekonomike, të përballet me burokracinë e licencave e lejeve të veprimtarisë biznesore, t’i mbartë mbi supe inflacionin, fuqinë e reduktuar blerëse, e krizat ekonomike, dhe ta ketë jetën e tij peng të mitit të madh që quhet “rendi ligjor”.

Duke vërejtur këtë dikotomi pra, libertarianët identifikuan drejtë dy klasat e vërteta të shoqërisë: asaj ekonomike e cila të ardhurat e saj i fiton nga puna, prodhimi, dhe shkëmbimi vullnetar në të cilin respektohen të drejtat pronësore të secilit individ, si dhe asaj politike e cila bazohet në dhunë, kërcënim, shpronësim e përdorim të forcës politike për tu pasuruar.

Në Kosovë më së miri vërehen këto dy klasa. Në njërën anë të gjithë ata të cilët kanë lidhje me shtetin marrin privilegje të veçanta duke filluar nga pagat e mëdha, veturat dhe beneficionet e ndryshme, si dhe përparësitë politike e ligjore që u takojnë. Në anën tjetër të gjitha këto privilegje klasa sunduese i ekzekuton në barrë të taksapaguesit e konsumatorit kosovar.

Një çarje e tillë në mes sferave “publike dhe private” është burimi i vërtetë i konflikteve të klasave. Vetëm me reduktimin e klasës sunduese duke e zvogëluar institucionin me të cilin kjo klasë vepron—shtetin—mund të ketë reduktim të konflikteve shoqërore dhe si rezultat mundësi për zhvillim ekonomik.