ekonomi

Dyzimi Mashtrues mes Nacionalizmit dhe Evropës

Etjon Basha

1

Dekalarata ‘e bujshme’ e Kryeministrit Berisha për dhënien e shtetësisë shqiptare për gjithë shqiptarët etnikë vijon të shkaktojë polemikë më shumë se dy javë pas faktit, një rekord më vete ky në skenën tonë  politike. Tjetër rekord për standardet e jetës sonë politike është që shumica e kritikave dhe kundërkritikave që qarkullojnë mbi skemën e propozuar janë të arsyeshme dhe të mirë-peshuara.

Fatkeqësisht, ato sërish sillen rreth debatit mes dy alternativave të gabuara që së fundmi po i paraqiten Shqiptarëve: Nacionalizëm Etnik apo Integrim Evropian. Kështu, debati deri më sot ka cekur veçse sipërfaqen e domethënies së vërtetë të një mase të tillë. Më poshtë do përpiqem të them dy fjalë mbi këtë domethënie të vërtetë.

Problemi në dy fjalë, është që  shtetësia shqiptare për çdo shqiptar etnik, duke përfshirë të drejtën e votës, do nënkuptonte një Kuvend mbarë-shqiptar në Tiranë. Kam diskutuar shpeshherë në këtë blog (1,2) se si rajone të ndryshme që Shqipërisë dëshmojnë mendësi mjaft të ndryshme, mendësi që mjaftojnë për të krijuar një skenë politike tejet të polarizuar dhe agresive, që me raste arrin në kufi të dhunës civile.

E parë në këtë këndvështrim, skema e propozuar është dukshëm një hap i parë drejt Bashkimit Politik të Shqiptarëve. Ndonëse nacionalistët e shumtë do e konsideronin një Bashkim të tillë si tejet të dëshirueshëm, jam përpjekur të argumentoj disa herë se si  Shqipëria Natyrore që do lindte kështu nuk do mund të qe veçse një vend i destabilizuar dhe i lehtë për tu kontrolluar nga manovrat e fqinjëve, dhe ku qeveria do shqetësohej shumë më pak për mirëqenien e qytetarëve se qeveritë aktuale Shqitare dhe Kosovare.

Në fakt, mjafton veç një vështrim i shkurtër historik për të na kujtuar duzinën e lëvizjeve autonomiste dhe trazirave civile që ngërthyen Shqipërinë e pavarur që pa u tharë mirë boja e Deklaratës së Pavarësisë, trazira që në tërësi i lanë qeveritë Shqiptare të varura tek mbështetja e Italisë dhe Jugosllavisë dhe që kulmuan me vendosjen e një rregjimi tejet të egër nacional-socialist i cili u orvat ti impononte gjysmës së shqiptarëve vullnetin e gjysmës tjetër.

Dhe mendoni që Shqipëria e ’13-ës përmbante pjesën historikisht më pasive të popullsisë Shqiptare: si do kish rrjedhur historia nëse në të do qenë ndeshur edhe Shqiptarët e Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Çamërisë? Pa dyshim që regjimi i Hoxhës nuk do ish instaluar dot në këto kushte, por pas një lufte shumë më të egër e të gjatë civile në krahasim me atë që faktikisht u zhvillua, një alternative autoritare e djathtë pas modelit së Spanjës së Frankos apo Argjentinës së Peronit  do i kish zënë vendin duke e nxitur procesin e korporatizimit të ekonomisë shumë më fort nga ç’po nxitet sot.

Dhe skema e propozuar nga Kryeministri nuk do përmbante as anët e pozitive të Bashkimit, si shkrija e tregjeve të Shqipërisë, Kosovës dhe Iliridës, dhe forcimit ushtarak të Shqiptarëve, por do sillte pasojat negative që Shqipërisë së destabilizuar. Nga ana tjetër, së paku do ruante, pa dyshim përkohësisht, qënien e dy shteteve shqiptare mes të cilëve do vijonte konkurrenca, sado e cënuar.

Për këtë arsye, skema e propozuar nga Kryeministri duhet hedhur poshtë me vendosmëri nga patriotët e vërtetë shqiptarë. Përkundër, reformat reale duhen drejtuar tek Integrimi i Shqiptarëve, jo në Evropë, por me njëri-tjetrin. Për të mos përsëritur veten, këto masa do duhet të siguronin që, veç Ushtrisë së përbashkët, tregjet shqiptare ( të mallrave, shërbimeve, kapitaleve, punës, etj.) të shkriheshin në një të vetëm, pavarësisht ruajtes së qeverive të ndara mes Shteteve Shqiptare.

Kundërpozimi i ideve të Bashkimit Politik me atë të Integrimit Evropian po i vë shqiptarët para zgjedhjes mes dy alternativave të rreme: çdo ndodhë kur hyrja për në Bashkimin Evropian tu mohohet përfundimisht dhe në mënyrë shprehimore shqiptarëve? Do të na duhet të vuajmë rikthimin e nacionalizmit agresiv? Sigurisht, mënyra se si është formuar debati gjeri më sot nuk lë alternative tjetër.

Festimet masive dhe entuziazmi i jashtëzakonshëm e spontan që u dëshmua me rastin e 100 Vjetorit të Pavarësisë nuk duhet të shërbejnë për të nxitur masa dritëshkurtra që shiten nën petkun e nacionalizmit. Më tej, këto masa nuk duhen kundërshtuar sepse do na penguakan në Integrimin Evropian. Fakti i thjeshtë është që planet që propozohen duhen hedhur poshtë në vetvete sepse do dëmtojnë mirëqenien dhe statusin e shqiptarëve, jo sepse do na mërzisin BE-në, që sidoqoftë veçse pret rastin për ta mbyllur përfundimisht derën për shqiptarët. Kushdo interesohet sinqerisht për mirëqenien e kombit shqiptar duhet të mendojë qartësisht dhe thellësisht mbi dinamikat e mirëqenies në botën e sotme, dhe kështu do shohë pa dyshim që ka një alternativë reale mes gabimeve të dyfishta të Nacionalizmit dhe Integrimit Evropian: Integrimi Mbarëshqiptar.