ekonomi

Edhe më mbi Brexit-in

BREXIT ahead: UK leaves the EU

Na takon edhe ne në blogun tonë modest të komentojmë bashkë me gjithë internetin ngjarjen më të madhe të vitit e ndofta dhe dekadës, miratimin e daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Europian në referendumin e 23 Qershorit.

 

  1. Cili është pozicioni liberal mbi Brexit-in?

Që ky ishte vendimi i duhur, e që më mirë vonë se kurrë.

 

  1. Si mund ta justifikojmë si vendim liberal daljen nga një treg i stërmadh të mirash, shërbimesh, kapitali dhe pune?

Mund ta justifikojmë lehtë fare me parimin e decentralizimit: me daljen nga BE-ja, Mbretëria e Bashkuar zëvendëson një qeveri të stërmadhe me dy qeveri më të vogla, në terma popullsie dhe territori. Tashmë do mund të ketë konkurrencë rregullatore mes këtyre dy qeverive, çka do sjellë të mirat e mirënjohura të konkurrencës.

 

  1. Bashkimi Europian nuk është qeveri. Logjika e mësipërme nuk qëndron.

Në fusha të gjëra e për shumë qëllime (si rregullimi ekonomik, etj.) Bashkimi Europian i ka marrë tashmë tagret e një qeverie de facto, dhe përditë shton kompetenca të reja në kurriz të qeverive të vendeve anëtare. Kështu, po de facto, largimi i Mbretërisë së Bashkuar nga unioni është e njëjtë me ndarjen nga një shtet i madh.

 

  1. Po sërish, pas daljes zvogëlohet tregu i përbashkët, padyshim një institucion për tu përshëndetur nga pikëpamja liberale

Është e vërtetë që ideja e një tregu të përbashkët të mirash, shërbimesh, pune dhe kapitali qëndron në themel të BE-së së sotme dhe që kjo ide është realizuar në masë të madhe në praktikë. Mirëpo ngritja e këtij tregu ka kërkuar dy “sakrifica” nga këndvështrimi liberal.

 

  1. Cilat qenkan këto sakrifica pra?

Së pari, paralelisht me krijimin e tregut të përbashkët, BE-ja ka ngritur një mur të lartë tregtar me botën e jashtme, kështu që nuk mund të thuhet a priori nëse përfshirja në BE ka rritur apo jo tregtinë e përgjithshme: kjo varet nga të dhënat empirike dhe përgjigja fare lehtë mund të ndryshojë nga vendi në vend.

 

  1. Dhe së dyti?

Së dyti, shtetet e sotme të stër-rregulluara nuk mund ta konceptojnë dot tregtinë e lirë thjesht si hapje të pakushtëzuar kufijsh, qoftë dhe vetëm mes një numri të vogël vendesh. Kjo pasi nëse, le të themi, Franca që rregullon në skaj dhe rrit koston (dhe ndofta dhe cilësinë) e mallrave të saj duke e bërë të paligjshme prodhimin e mallrave më pak cilësore dhe më të lira hap tregun e saj ndaj Turqisë që rregullon shumë më pak prodhimin e brendshëm, do ndodhë që mallrat turke do mbysin segmente të gjëra të tregut të përbashkët. Kjo nuk mund të lejohet në asnjë mënyrë nga interesat industrialë që kanë investuar aq shumë në “mbrojtjen e konsumatorit” (më saktë, në mbrojtjen nga konsumatori).

Kështu, e vetmja mënyrë se si mund të lejohet tregtia e lirë në botën e sotme është nëse më parë “harmonizohen” standardet rregullatore për të mos lejuar shpërpjesëtime tepër të mëdha në “cilësinë” e mallrave e shërbimeve. Në praktikë, kjo do të thotë që aty ku më parë kishte konkurrencë rregullatore mes dy regjimeve, tashme do kemi veçse një rregjim unik rregullator.

 

  1. Fushata “Leave” sillte shpesh Zvicrën, Islandën apo Norvegjinë si shembuj të vendeve që tregtojnë lirshëm me BE-në pa pësuar mangësitë e rregullimit unik.

Fushata “Leave” ka gabuar në këtë pikë, pasi Zvicra, Islanda dhe Norvegjia vërtetë që tregtojnë lirshëm (kush më shumë e kush më pak) por çmimi që është paguar është pikërisht harmonizimi i kuadrit rregullator me BE-në (sërish, ku më shumë e ku më pak, në varësi të lirisë së tregtisë). Edhe jashtë BE-së, marrëveshjet famëkeqe të tregtisë “së lirë” si NAFTA apo raundet e pafundme të negociatave në OBT-së sillen rreth së njëjtit strumbullar: harmonizimi i kërkesave rregullatore, pas së cilave edhe mund të lejohet tregtia e lirë.

 

  1. Atëherë pjesëmarrja në tregun e përbashkët europian qenka thikë me dy presa.

Po, nuk mund të themi a priori nëse pjesëmarrja në tregun e përbashkët nxit apo jo lirinë e përgjithshme të tregtisë dhe biznesit. Kjo varet nga kushtet e secilit vend. Në rastin e Shqipërisë, gjasat janë që pjesëmarrja do qe në interesin tonë. Ndërkohë, gjasat janë që Mbretëria e Bashkuar ka humbur nga kjo pjesëmarrje, dhe që e vetme do arrijë lehtë të negociojë marrëveshje më të volitshme tregtare si dhe të ruajë një kuadër rregullator më të lehtë dhe racional në krahasim me atë që i imponohet nga Brukseli.

 

  1. Disa zëra propozojnë heqjen e njëanshme të çdo tarife tregtare nga Mbretëria e Bashkuar, tashmë që ajo pritet të dalë nga BE-ja. A nuk do maksimizonte kjo lirinë reale të tregtisë?

Patjetër. Heqja e njëanshme e barrierave për import do ishte një hap i stërmadh drejt lirisë së vërtetë të tregtisë. Por le të mos mashtrojmë veten: histeria e krijuar nga lajmi i humbjes së referendumit i ka shtyrë Britanikët të konsiderojnë këtë hap, por shumë shpejtë ai do harrohet tërësisht. Pushteti për kontrolluar se kush mund të shesë në një treg të madh e të pasur si ai i Mbretërisë së Bashkuar është jashtëzakonisht i vlefshëm, dhe është fatkeqësisht e pamendueshme që klasa sunduese në Londër të heqë dorë në mënyrë të njëanshme nga ky privilegj. Kohët e arta të shekullit të XIX kur tregtia e lirë gjallonte kanë shkuar dhe do duhen ende shumë dekada që të tilla propozime të merren realisht në konsideratë. Në praktikë, Mbretëria e Bashkuar tashmë do negociojë marrëveshje tregtare me BE-në, Kanadanë, Australinë, Zelandën, ShBA-të, lindjen, etj. Gjasat janë që, sidoqoftë britanikët do dalin të fituar nga këto zhvillime.

 

  1. Sërish për tregtinë: edhe BE-ja është duke negociuar traktate tregtie “të lirë” me shumë vende. A nuk do maksimizohej fuqia negociuese e Mbretërisë së Bashkuar duke negociuar si pjesë e bllokut vigan, e jo si një shtet më vete?

Sërish, këto janë konsiderata praktike e nuk mund të themi me bindje se cila është rruga optimale. Mbretëria e Bashkuar është një treg i madh e tepër i pasur, i cili ka tolerancë shumë më të ulët për rregullime idiote në krahasim me kontinentin. Gjasat janë që e vetme do negociojë marrëveshje më të volitshme sesa si pjesë e bllokut sklerotik europian, veçanërisht me partnerë si pjesa tjetër e botës anglo-saksone që ndajnë botëkuptimin e saj për çështje ekonomike.

1

 

  1. A nuk do krijohet një shok i madh ekonomik me daljen nga tregu i përbashkët? Fundja do duhet kohë derisa ekonomia Britanike të drejtohet kah marrëveshjeve të reja tregtare.

Po, do ketë një periudhë tranzicioni ekonomik. Më së paku, shumë fabrika të huaja që janë ngritur në Britani në funksion të shërbimit të tregut europian mund zhvendosen tjetërkund. Sërish, kemi të bëjmë me një llogari me risk: a do arrijë të axhustohet me shpejtësi ekonomia pa shkaktuar shumë vuajtje? Edhe sërish gjasat janë për po, kryesisht për shkak të lirisë më të madhe të të bërit biznes që britanikët gëzojnë në krahasim me shumicën e vendeve të zhvilluara, si dhe për shkak të kompetencës relativisht të lartë të dëshmuar nga Banka e Anglisë.

 

  1. Po Banka e Anglisë çfarë pune ka këtu?

Gjatë ngjarjeve të tilla madhore ndodh shpesh që rritet jashtë masë kërkesa për para nga publiku i cili i frikësohet pasigurisë ekonomike. Nëse stoku monetar nuk rritet për të kompensuar ketë kërkesë të shtuar, ndodh që niveli i përgjithshëm i likuiditetit në ekonomi nuk mjafton më për të financuar planet afatgjata që miliona familje e biznese kanë thurur. Një manaxhim kompetent i likuiditetit nga ana e Bankës Qendrore do sigurojë që tregu të gjejë mjetet e nevojshme për të financuar zhvendosjen e madhe ekonomike që mundësohet nga Brexit-i. Duke u nisur nga përvoja deri diku e ngjashme e krizave financiare të 2008-ës dhe 2011-ës, mund të presim që Sterlina do menaxhohet mjaftueshëm mirë për të lehtësuar në maksimum këtë proces. Fatkeqësisht, vështirë se mund të themi të njëjtën gjë për Euron dhe Bankën Qendrore Europiane.

 

  1. Pesha kryesore e debatit u zu nga çështja e imigracionit, jo dhe aq nga konsideratat tregtare. A nuk është e qartë që Brexit-i në praktikë do përkthehet në liri shumë më të zvogëluar për të emigruar nga dhe për në Mbretërinë Bashkuar?

Ndonëse kjo do varet nga marrëveshjet që do arrihen mes Londrës dhe Brukselit, është thuajse e sigurt që në praktikë fluksi migrator i punës për në Mbretërinë e Bashkuar do zvogëlohet në mënyrë të dukshme, pasi kjo qe realisht ndër konsideratat kryesore të votuesve.

 

  1. Përse ka kundërshti kaq të forta nga imigrimit mes britanikëve?

Në kuadër të lirisë së punës brenda Bashkimit Europian, Mbretëria e Bashkuar ka parë ndofta fluksin më të madh të imigrimit nga vendet e tjera të unionit, e rivalizuar vetëm nga Gjermania. Kuptohet, që ky fluks është shkaktuar nga mundësitë më të mëdha të punës dhe ekonomia më e fortë e Britanisë në krahasim me tregje të tjera të mëdha si Franca apo Italia.

 

  1. Kundërshtia ka natyrë kulturore?

Ka padyshim një element tejet të fortë kundërshtie ndaj ndryshimit të pashmangshëm kulturor që vjen vetiu prej flukseve të mëdha migruese. Megjithatë, në këtë këndvështrim polakët apo rumunët që vijnë në kuadër të tregut të përbashkët janë shumë më të afërt kulturalisht dhe shumë më të gatshëm për tu integruar sesa disa popullsi të tjera të ish-komonuelthit që kanë emigruar jashtë kuadrit të Bashkimit Europian. Por edhe kjo përparësi e emigrimit intra-komunitar duket se po venitej vite e fundit për shkak të krizës së refugjatëve, mbi menaxhimin e së cilës ka pasur kundërshti të forta brenda unionit.

 

  1. Po nga këndvështrimi ekonomik, a ka dëmtuar ky fluks i madh emigrantësh ekonominë britanike?

Kjo është një pyetje e ndërlikuar e cila po rishikohet gjithnjë e më shpesh vitet e fundit, dhe që ka nevojë për një postim të posaçëm e të veçantë në të ardhmen.

Në praktikë dhe në afat të shkurtër e të mesëm, duket që emigracioni masiv ka përmirësuar situatën ekonomike të disave dhe ka përkeqësuar atë të të tjerëve. Rritja e stokut të punës, kryesisht në pozicionet “hyrëse” në tregun e punës, ka ulur pagat në krahasim me nivelin që do shihnim në kushte të tjera. Kjo ka ulur koston e jetës sa i takon shërbimeve por ka ulur edhe të ardhurat për klasat më të varfra të shoqërisë, të cilat tashmë duhet të konkurrojnë me një polak ose rumun që është i gatshëm të punojë shumë më mirë për shumë më pak para në krahasim me një vendas. Efekti mbi çmimin e pasurive të paluajtshme është i paqartë, por gjasat janë që efekti mbetet pozitiv në vija të trasha, çka ka rritur të ardhurat e pronarëve por ka rritur edhe koston e jetës për ata që nuk zotërojnë pasuri e u duhet të paguajnë qera mujore.

 

  1. Po u dukërka që emigrimi ka dëmtuar klasat më të varfra e ka pasuruar ato më të pasura, apo jo?

Në afat të shkurtër gjasat janë që ky ka qenë efekti neto. Në afat më të gjatë (dhe të teori) edhe ata që sot për sot humbasin nga konkurrenca e shtuar do rivendosen në tregje të reja që do hapen pikërisht si pasojë e rritjes së stokut të punës, e më tej do gëzojnë edhe ata një standard të rritur jetese.

 

  1. Përse po themi “në teori”?

Sepse aftësia e ekonomive moderne për ti “gjetur punë” kujtdo po vihet përditë e më shumë në dyshim, edhe përtej problemeve që shkaktohen nga ndërhyrja shtetërore. Punët më të thjeshta po automatizohen çdo ditë e më shumë, ndërkohë që për punët më të ndërlikuara e të vështira për tu automatizuar po shfaqen çdo ditë e më shumë kërkesa minimale konjitive (inteligjence). Është tashmë shumë e dyshimtë nëse çdo “tepricë” pune mund të axhustohet nga tregu me paga të arsyeshme (kuptohet që axhustimi është fare i lehtë me paga të pa-arsyeshme).

 

  1. Pra britanikët paskan bërë mirë kur zgjodhën të kufizonin imigrimin?

Gjasat janë që fluksi imigrues i mundësuar nga tregu i përbashkët po shkaktonte stres të papërballueshëm për klasat më të varfra britanike. Tashmë do mund të negociohet një marrëveshje më e arsyeshme që do lejojë një numër më të përballueshëm emigrantësh. Kutptohet që këto zhvillime do jenë në dëm të madh të vendeve më pak të zhvilluara nga ku niseshin emigrantët.

 

  1. E çuditshme, ju liberalët nuk shqetësoheni fare, dhe madje mirëprisni flukset e huaja investuese apo importuese. Por kur na vjen puna tek flukset e huaja të punës paskeni filluar të shqetësoheni. Fundja, a nuk është punëtori thjesht një formë makinerie?

Po, por nuk shqetësohet njeri nëse çmimi i një makinerie bie në atë masë sa nuk ia vlen të mirëmbahet. Përkundrazi, çdo herë që bie kostoja e kapitalit duhet të gëzohemi sepse stoku i të mirave që mund të prodhohen rritet. Ndërkohë që duhet të shqetësohemi nëse stoku i punës rritet aq shumë saqë pagat bien në nivele shpërpjesëtimore me koston e jetës. Ky është njëri prej ndryshimeve mes flukseve migratore dhe investuese, së paku sa kohë të ardhurat nga puna janë kaq dominante në shoqëri.

 

  1. Përse nuk i ndaluan po këto konsiderata britanikët të kërkonin pjesëmarrjen në Komunitetin Ekonomik Euriopian në vitet ‘70?

Për shkak të një rastësie historike, fundi i viteve ’70 të shekullit të shkuar kur Mbretëria e Bashkuar u anëtarësua në atë që sot njohim si Bashkim Europian ka qenë edhe periudha e shpërpjesëtimit më të madh ekonomik mes kontinentit dhe ishujve britanikë. Ndërkohë që Londra ende lëngonte me një ekonomi gjysmë-socialiste dhe konflikte sindikaliste nga më të ndryshmet, kontinenti ende rritej si pasojë e reformave liberalizuese të pasluftës. Britanikëve të lodhur nga stanjacioni ekonomik do ju jetë dukur fare e lehtë të përfitonin diçka nga fuqia ekonomike në rritje e kontinentit për të rindezur ekonminë  e tyre.

 

  1. A nuk ndodh kështu?

Në fakt jo. Ndonëse pjesëmarrja në treg solli një efekt pozitiv, dalja nga “bataku” socialist qe meritë e vetë Britanikëve, dhe posaçërisht e qeverisjes Theçer. Pak vite pas anëtarësimin në KEE, Londra la mënjanë ekonominë gjysmë-socialiste dhe rigjeti rrugën e lirisë ekonomike, ndërkohë që kontinenti po e braktiste rishtazi këtë rrugë. Kështu, koha e hyrjes së Mbretërisë së Bashkuar në KEE qe pikërisht periudha e fundit e shpërpjesëtim të madh historik me komitentin.

 

  1. A do ndryshojë thelbësisht natyra e Bashkimit Europian tashmë?

Pavarësisht paqartësive të çastit të sjella nga largimi i britanikëve, Bashkimi Europian jo vetëm që nuk do ndryshojë, por do të kthehet edhe më shpejtë në hullinë e tij origjinale: ajo e pseudo-perandorisë së radhës në Europë, e ndërtuar mbi parimet e korporatizmit dhe shtetit manaxherial. Deri dje Mbretëria e Bashkuar qe ndër vendet që ofronin më shumë rezistencë ndaj këtij vizioni, kështu që pas largimit asgjë nuk qëndron më mes Brukselit dhe, siç ka thënë dikush, “ëndrrës franko-gjemane për një fabrikë të vetme fshesash me korrent për gjithë kontinentin”.

 

  1. Shumëkush po shprehet që tashmë perspektiva integruese e Shqipërisë u dëmtuar rëndë.

Ka dy argumente brenda këtij opinioni. Së pari, ka nga ata që mendojnë që, tashmë që shembullin e dha Londra, edhe shumë vende të tjera do largohen herët a vonë duke sjellë shpërbërjen e unionit. Me sensin e hollë të humorit që karakterizon kombin tonë, është thënë që derisa të vijë koha që të pranohemi në BE, ajo do jetë shpërbërë.

 

  1. Dhe a nuk do ndodhë pikërisht kështu?

Çdo gjë mund të ndodhë, por gjasat janë që, në të kundërt, me largimin e avokates më të madhe të vizionit fillestar të një tregu të përbashkët, BE-ja thjesht do “blindohet” edhe më. Zërat pro largimit në vende të caktuara do mbyten dalëngadalë, dhe dalja nga unioni që tashmë e tutje do bëhet praktikisht e pamundur. Le të mos ngatërrojnë pozitat Mbretërisë së Bashkuar  me atë të vendeve më të vogla të Europës veriore.

 

  1. Po versioni i dytë i argumentit që Brexit-i dëmton perspektivën integruese të Shqipërisë cili është?

Që largimi i një kontribuuesi të madh buxhetor si dhe i një tregu madhor pune do i vështirësojë shumë pozitat e anëtarëve të mbetur. Kështu, vendeve si Gjermania do u duhet të mbajnë një peshë shumë më të madhe migratore të brendshme, dhe në këto kushte është e dyshimtë që do ketë shumë “nge” për të shtuar edhe 20 milionë qytetarë të varfër në treg.

 

  1. Po ndonjë efekt pozitiv, a mund të ketë për ne?

Mund të ndodhë që, përkundrazi, Brukseli të përpiqet të kompensojë deri diku humbjen e fuqisë ekonomike Britanike duke shtuar pak më me nxitim prodhimet e brendshme bruto të vendeve të mbetura të Ballkanit, një mundësi jo dhe aq fantazioze duke pasur parasysh mendësinë perandorake të BE-së. Gjithashtu, ndonëse britanikët formalisht shpreheshin vijimisht pro zgjerimit te unonit, në praktikë rezistencë shumë e madhe vinte për shkak të frikës së flukseve të shtuara migratore nga Ballkani. Largimi i Londrës mund të ketë larguar edhe një zë që, në llogari të fundit, ishte kundër zgjerimit real të Bashkimit Europian.

 

  1. Si përfundim, gjasat tona u rritën apo u zvogëluan?

Nuk mund ta themi, dhe sidoqoftë nuk është çështje me aq rendësi për ne. Si ta kenë me qejf.

Sidoqoftë, kuptohet që vlera e integrimit tonë në BE ra tashmë që sidoqoftë do mbetemi jashtë tregut të madh britanik të punës.

 

  1. Atëherë, në përfundim mund të themi që Brexit-i është…

Një fitore e madhe për Mbretërinë e Bashkuar, liberalizmin, qytetërimin në përgjithësi. Ta gëzojmë!

2