ekonomi

Egziston liria e medias në Shqipëri? (pjesa 1 nga 2)

Etjon Basha

Image

Ngado të shohësh, përgjigja thuajse unanime për këtë pyetje duket të jetë një “jo!” e bindur.  Në Shqipëri jo vetëm që nuk na egzistoka liria e medias, por na qenka instaluar një represion i egër ndaj lirisë së shprehjes. Sigurisht këto pretendime shkruhen në faqet e para të gazetave ‘të represuara’, dhe bombastohen në sekondat e para të edicioneve informative në stacionet ‘e skllavëruara’!

Koncepti i lirisë së medias është keqkuptuar shumë, dhe madje do shtoja qëllimisht, vitet e fundit.  Më poshtë do përpiqem ta sqaroj këtë koncept jetik në një shoqëri që synon drejt lirisë.

Po më së pari, a është realisht e lirë media në Shqipëri? Në kuptimin absolut, sigurisht që jo. Mbi median vendosen pengesa shtetërore nga më të ndryshmet, dhe këto tërthorazi cënojnë lirinë për shprehje të lirë.

Ama, në kuptim relativ, media në Shqipëri është dukshëm më e lirë se në shumicën dërmuese të vendeve të tjera mbi të cilat kam informacion. Për më tepër kufizimet që do diskutohen më poshtë nuk janë të përveçme por të përgjithshme, dhe nuk synojnë dhe aq kufizimin e lirisë së shprehjes sesa kartelizimin e medias, një qëllim i parapëlqyer i shtetit në çdo fushë.

Gjithë e gjithë, asnjë organizatë ose shtet në botë nuk ka të drejtë morale të akuzojë Shqipërinë se kufizuaka lirinë e medias, me përjashtim të organizatave liberale. 

Tani, le ta shohim çështjen e lirisë së medias më në detaje.

 

1) Liria absolute

Kufizimet kryesore në lirinë mediatike në Shqipëri vijnë nga kërkesat për liçensim, kryesisht në mediat audio-vizuale. Nëse hapja e një gazete është relativisht (jo plotësisht) e lehtë për këdo që ka dëshirë dhe kapital për tu marrë me këtë biznes, puna qëndron ndryshe në fushën e televizionit dhe radios, ku miratimin për hyrjen në treg të një operatori të ri duhet ta japë Këshilli Kombëtar i Radios dhe Televizionit.

Kufizimet e vendosura nga KKRT-ja mund të ndahen në dy grupe: kufizimet gjysmë-legjitime, dhe kufizimet tërësisht ilegjitime.

2) Kufizimet gjysmë-legjitime 

Image

Kur flas për kufizime gjysmë-legjitime e kam fjalën për alokimin e frekuencave së transmetimit: frekuencat janë një e mirë e rrallë (ose ekonomike), pasi numri i tyre është fizikisht i kufizuar. Kështu lind nevoja e alokimit të tyre: duhet vendosur se cili stacion do zërë cilën frekuencë, në cilën hapësirë. Në alokimin e frekuencës pra, KKRT-ja kryen një punë të nevojshme. Por  ja që nevoja për alokim kurrsesi nuk dëshmon që KKRT-ja është institucioni më i përshtatshëm për ta bërë këtë alokim: vetëm tregu i lirë mund të bëjë shpërndarjen optimale të frekuencave.

Sikur në shpërndarjen e së drejtës për transmetim të qenë ndjekur  praktikat e pranuara të tregut, nuk do egzisotnte fare nevoja për KKRT-në. Në fakt, kur transmetimi radiofonik nisi të popullarizohej në ShBA në fillim të shekullit të shkuar, gjykatat vendore nisën të hasnin problemet e interferencës së disa operatorëve në të njëjtën frekuencë dhe vendosën, në traditën më të mirë të Kanunit Anglez (common law), që kushdo të përdorte i pari një frekuencë të caktuar do behej dhe pronari i saj (Gjykata Supreme më vonë ndërhyri në këto zhvillime spontane duke i dorëzuar pronësinë e spektrit Qeverisë Federale).

Në rastin tonë, reforma e përshtatshme do ishte padyshim shitja pa kushte e frekuencës së transmetimit brenda kufijve hapësinorë të përdorimit aktual (gjithë territori i Shqipërisë për operatorët kombëtarë) operatorëve që tashmë e kanë marrë licencën e përdorimit nga KKRT-ja. Ndërkohë që nëse ende ekzistojnë frekuenca të papërdorura, qoftë dhe në ndonjë zonë specifike,  kushdo i vendos i pari në përdorim të vijueshëm ekonomik duhet të fitojë pronësinë mbi to. Sigurisht këto pronarë tashmë do qenë të lirë të shisnin e blinin frekuenca, duke krijuar një treg të mirëfilltë për frekuenca transmetimi.

3) Kufizimet tërësisht jo-legjitime

E drejta e liçensimit dhe alokimit të frekuencës i jep pushet të madh KKRT-së për të imponuar pikëpamjet  e veta mbi tregun mediatik, por ja që shteti ka edhe mjete të tjera, shumë më të drejtpërdrejta për të ndikuar mbi median. Specifikisht KKRT-ja gëzon të drejtën e censurës mbi operatorët audio-vizualë. Është një fat i madh si dhe pikë shtesë për qeverinë aktuale që ky pushtet nuk është përdorur agresivisht dhe mediat audio-vizuale në Shqipëri kanë qenë të lira të shkruajnë a transmetojnë çfarë kanë parë vetë të arsyeshme.

Image
Nëse ndonjë reklamë ka merituar ndonjëherë censurën, pa dyshim ka qenë kjo! 

Por ja që për sa kohë KKRT-ja do egzistojë e do ketë fuqi të censurojë një emision për ’përmbajtje jo morale’ e të tjera si këto, një qeveri më e paskrupullt (ose më e toleruar) nesër nuk do mendohet gjatë para se ta përdorë këtë fuqi për të heshtur kritikën e medias. Shembujt nga e kaluara e afërt dhe nga fqinjët janë të qartë.

E drejta e censurës që gëzon KKRT-ja është kufizim tërësisht jo-legjitim, pasi ndryshe nga rasti i alokimit të frekuencave, censura është një ‘shërbim’ që nuk duhet të egzistojë fare! Është e vërtetë që ajo që transmetojnë televizionet apo radiot mund të jetë acaruese ose e pavërtetë. Është e vërtetë që një televizion mund ti kushtojë 100% të kohës trumpetimit të arritjeve të qeverisë e një tjetër sqarimit të varfërisë afrikane në vend. Është e vërtetë që një radio mund të zgjedhë të shpifë me vetëdije mbi dikë, apo që një televizion të gënjejë nga mëngjesi deri në darkë. Është e vërtetë që një emision në mes të ditës mund të diskutojë tema ‘të nxehta’ apo një televizion të transmetojë një film pornografik fill pas telenovelave të drekës.

Etika e tregut qëndron pikërisht në kuptimin e faktit se të drejtën për të përdorur apo shpërdoruar një mall (në këtë rast, frekuencën transmetimit) e ka vetëm e vetëm pronari. Sigurisht, mekanizmi i tregut është i tillë që një pronar që injoron dëshirat e publikut nuk e ka të gjatë. Por kjo nuk do të thotë që kemi të drejtë të përdorim dhunën e shtetit për të detyruar pronarin e televizionit të transmetojë atë që duam ne, kur e duam ne.

Unë personalisht jam i pari që turfulloj kur dëgjoj idiotësira të qëllimshme nëpër ekrane (më e bukura ndër të cilat është pikërisht pretendimi që media nuk është e lirë ndërkohë që qeveria kritikohet natë e ditë). Por kurrë nuk do më shkonte në mëndje të mbyllja me dhunë aksh stacion se nuk na përputhen mendimet me pronarin.

KKRT-ja duhet mbyllur që nesër, frekuencat tu transferohen përdoruesve aktualë, dhe çdo e drejtë censure duhet eliminuar në çast. Çdo kërkesë e mbetur për licencim mbi forma të tjera të medias, kryesisht mbi shtypin dhe (siç po diskutohet) internetin duhen flakur në kosh.  Le të nxjerrë “Zonë e Lirë” balerina topless…

Image
Prisnit foto?

…sa ta shohë të arsyeshme: punën e prindërve nuk e bën dot KKRT-ja. Së fundmi, Radio Televizioni Shqiptar duhet nxjerrë në ankand në çast, e jo të ’reformohet’ e të na ‘bëhet i të gjithë Shqiptarëve’  (lexo: të jetë , si BBC-ja Britanike, i opozitës kur e djathta është në pushtet, dhe i pozitës kur e majta është në pushtet) siç kërkojnë majtistët fëminorë.  Vetëm kështu media në Shqipëri do çlirohet përfundimisht nga vargonjtë e dhunës shtetërore, dhe do jetë e lirë ti shërbejë preferencave të publikut. Sigurisht,askush nuk do duhet të çuditet kur të rezultojë që publiku preferon gënjeshtrat ndaj së vërtetës.

(vijon…)