ekonomi

Egziston liria e medias në Shqipëri? (pjesa 2 nga 2)

Etjon Basha

(vijon…)

4) Liria relative

Shumëkush mund të jetë çuditur nga ato që kam shkruar deri tani pasi asnjë nga këto pika nuk del ndonjëherë nëpër debatet mbi lirinë e medias. Asnjëherë nuk diskutohet mbi liçensimin apo censurën potenciale të KKRT-së kur bie fjala për ‘lirinë e medias’, ndonëse këto janë pikat reale ku debati duhet të fokusohet. Po atëherë, për çfarë diskutohet? Cilat qenkan gabimet e mëdha të qeverive shqiptare në marrëdhëniet me median? Pse na u mërzit BE-ja dhe organizmat majtiste të medias mbi lirinë këtu tek ne?

Në e besofshi apo jo, një pretendim që hidhet shpesh është që tek ne media nuk qenka e lirë se pronarët vendosin të bëjnë ç’të duan me pronën e tyre! Po po, ‘miqtë’ tanë ndërkombëtarë na kritikojnë se gazetarët nuk kanë liri të shkruajnë ç’të duan, por duhet të marrin leje tek pronarët e medias! Nëse kjo qenka arsyeja e mungesës së lirisë së medias, lum si ne që nuk kemi ‘liri’!

Një tjetër ‘arsye’ që qarkullon është që këtu tek ne ende nuk është vënë në zbatim aparati monolitik i ‘korrektësisë politike’. Në perëndim ndodh që një formë shumë e ashpër e censurës jo-formale zbatohet mbi median: nëse transmetohet apo shkruhet diçka që bie ndesh me ideologjinë social-demokratike, kjo diçka tërhiqet në çast dhe media në fjalë kërkon falje! Ja që këtu tek ne pronarët janë ende të lirë të shkruajnë ç’të duan, të transmetojnë ç’të duan, e të mos marrin parasysh reagimin e shumicës së publikut nëse duan. Sërish, nëse kjo qenka mungesë lirie, rroftë skllavëria!

Nuk po ngul këmbë në ca ‘argumente’ të tjera në këtë frymë: që shtypi publik nuk egziston dhe televizioni publik është i dobët, që kontrolli mbi përmbajtjen nuk është i fortë, apo ku ta di unë se ç’pretendime të tjera qesharake. Të gjitha këto janë shembuj të asaj që George Orwell quan “newspeak”, ku një fjale i bashkëngjitet kuptimi i anasjelltë. Për këta ‘kritikë’, deri më sot censura ishte skllavëri, sot ajo është ‘liri e medias’!

Pretendime të tjera, më të rralla këto, janë që gazetarët shpeshherë nuk lejohen të marrin informacionin që kërkojnë. Ndofta nuk u lejohet të futen në ndonjë mjedis të mbyllur publik ose privat, ndofta hidhen në gjyq kur përdorin metoda që mund të konsiderohen vetëm si të frymëzuara nga traditat më të mira të shërbimeve inteligjente botërore.

Këto pretendime janë absurde! “Liri” nuk nënkupton lirinë për të vepruar pa kufizim, por lirinë për të vepruar derisa nuk kufizohet liria e njëjtë e të tjerëve. Asnjë individ nuk ka të drejtë të hyjë diku pa dëshirën e pronarit, dhe gazetarët nuk duhen trajtuar si rast i veçantë. Gazetarët që filmuan skandalin e famshëm “Pango” duhet të ishin gjobitur për thyerje të privatësisë duke filmuar në mjedise private pa miratimin e të zotit të shtëpisë. Trajtimi i privilegjuar që morën nuk ishte ‘liri’ por privilegj. Sigurisht, publiku do ish hedhur në këmbë nëse një spiunim i ngjashëm do i qe rezervuar ndonjë figure politike të gjysmë të respektuar, por harroi me shumë dëshirë parimet etike kur kjo padrejtësi iu bë një politikani të papëlqyer (me të drejtë).

Por ja që disa nga pretendime të tjera përmbajnë një fije të drejte. Thuhet që qeveria zgjedh të mbledhë taksat nga mediat në mënyrë selektive, duke lejuar debi të mblidhen në mënyrë që pastaj të ketë me c’të kërcënojë ndonjë operator që ngacmon ndonjë ‘pikë delikate’. Se sa i vërtetë është ky pretendim, nuk di të them. Por në qoftë, kjo sigurisht që është një mënyrë e stërholluar për të ushtruar kontroll mbi mediat, por ama jo vetëm mbi to. Ky nuk është problem specifik i lirisë së medias, por i lirisë së biznesit dhe individit në përgjithësi: çdo herë që tatimet do jenë kaq të shumëllojshme, ndërlikuara dhe të larta (jo me standardet perëndimore, sigurisht!), manovra të tilla janë të lehta për çdo qeveri. Ajo që mund të kërkohet këtu është jo çlirimi i medias nga kjo darë, por thjeshtimi dhe zvogëlimi i tatimeve në Shqipëri. Nëse në vend do zbatohej, për shembull, vetëm TVSh-ja dhe ajo në masën 5% (një perspektivë plotësisht realiste nëse shteti do hiqte dorë nga 1001 fushat ku është përfshirë pa hesap), ky problem nuk do egzistonte.

Të tjerë thonë që qeveria ushtron kontroll mbi mediat duke shpërndarë buxhetin për reklama publike në operatorë të caktuar, ose dhe (duke marrë shkas nga një rast i ‘bujshëm’ i para ca kohësh) duke nxjerrë operatorë të caktuar jashtë mjediseve me qera në pronësi të shtetit ku ata qëndrojnë. Këto pretendime janë qesharake. Shteti është një organizatë si gjithë të tjerat (ndonëse dallon pasi tolerohet kur ushtron dhunë në shoqëri) dhe si çdo organizatë do marrë vendime në lidhje me përdorimin e mjeteve në dispozicion. Këto vendime do synojnë gjithnjë të nxjerrin përfitimin maksimal për vetë organizatën.

Kështu, nuk kemi pse të çuditemi kur qeveria përdor mjetet në dispozicion për të nxitur mediat që i ‘japin një dorë’, dhe jo ato që e kritikojnë. Arsyetimi është i njëjtë në rastin e dytë: për sa kohë objekti është në pronësi shtetërore, është shteti ai që vendos mbi përdorimin e tij. Nëse operatori në fjalë do kishte dashur ti shpëtonte ‘presionit’, thjesht nuk do kishte marrë me qera mjediset e shtetit. Këto pretendime duhet të na nxisin të kërkojmë që fuqia fiskale e shtetit në ekonomi të ulet në mënyrë drastike, në mënyrë që qeveria të mund të vjedhë sa më pakë fonde, e jo të çirremi mbi përdorimin e  fondeve/objekteve pasi janë vjedhur: për sa kohë ato kontrollohen nga qeveria, ajo do i përdorë si ta shohë më të arsyeshme.

5) Përfundime

Këtyre komenteve u duhen shtruar dhe dy të fundit. Së pari, kufizimet mbi lirinë absolute (dhe disa mbi lirinë relative) që trajtuam më sipër janë reale por, nëse më lejohet të përsëris ç’thashë që në fillim, qeveria aktuale ka zgjedhur të mos përdorë shumë aktivisht pushtetin e madh që sistemi aktual i lë në dorë (ndonëse sigurisht që e përdor në masë më të vogël). Është e vërtetë që si kjo qeveri ashtu si dhe një tjetër që mund të vijë në pushtet nesër mund të mos jetë kaq e mirëkuptueshme, por nuk duhet të harrojmë që precedenti është një faktor i rëndësishëm dhe shpesh i nënvlerësuar në çdo sistem ligjor. Ligji mundet shumë mirë të thotë diçka, por nëse opinioni publik është mësuar prej kohësh ta injorojë, çdo përpjekje për zbatimin aktiv e tij mund të çojë vetëm në rënie të qeverisë. Kështu, dashje-pa dashje, vetëpërmbajtja e qeverisë aktuale ka shtuar gjasat për një media të lirë edhe në të ardhmen e afërt.

Së fundmi, nuk mund të mos krahasojmë gjendjen e lirisë së medias në Shqipëri me gjendjen në vende të tjera. Çdo krahasim i tillë i pa-interestë do dëshmojë pa dyshim që mediat në Shqipëri gëzojnë një liri relative të jashtëzakonshme. Unë personalisht nuk njoh ndonjë rast (por nëse lexuesi njeh, lutem të na ndihmojë me komentet) të ndonjë vendi ku, me përjashtim të një televizioni të vetëm dhe dy-tri gazetave dytësore, e gjithë media kritikon qeverinë (fatkeqësisht në drejtimin e gabuar) ditë e natë, e sërish ankohet për mungesë lirie shprehjeje! As në Itali, ku deri para pak kohësh kryeministri Berluskoni kishte në dorë rrjetet më të mëdha publike dhe private, apo dhe në Britani, ku BBC-ja publike as përpiqet të gënjejë se është ‘e pavarur’.

S’e kemi me ty, Xheremi

Nga kjo analizë krahasuese nuk duhet të çuditemi fare. Në perëndim ka së paku që prej Luftës së Dytë Botërore që media është kthyer nga një rrjet informativ në një mjet kontrolli mendor, detyra e së cilës është formësimi i opinionit publik në rrugët që dëshirohen prej shteteve përkatëse. Këtu tek ne, përpjekje të tilla pas 90-ës kanë dështuar turpshëm, dhe sot për sot askujt nuk i shkon më në mëndje të përpiqet të ngrejë një sistem të tillë.

Kështu, nga çdo këndvështrim ta shohim, do na duhet të themi që media në Shqipëri gëzon në fakt liri të madhe, ndonëse padyshim jo lirinë maksimale që meriton.