ekonomi

Euroja: ç’mund të kishte qenë, e ç’ka ende mundësi të bëhet

Etjon Basha

Meqë tek Ideas on Liberty e kemi me qejf të madh ta festojmë Hallouinin duke diskutuar mbi euro-dështimin e madh (hitet më të mëdha 1, 2, 3, 4, 5 dhe 6), ja më poshtë dhe dy fjalë më shumë mbi monedhën e përbashkët.

Tashmë që Euroja jonë e dashur duket se e ka një këmbë në varr, dhe që dita kur ky eksperiment i dështuar do zhduket një herë e mirë po afron, do ishte e rastit të shkruhej diçka mbi alternativat që Evropa kishte ndaj monedhës së përbashkët dhe që me tërë mend mund të kishin funksionuar, alternativa që ndofta ende mund të shpëtojnë ç’ka mund të shpëtohet.

Ideja e një monedhe të përbashkët evropiane ka qarkulluar qysh herët. Përpjekjet e para për ti hyrë rrugës së bashkimit monetar u materializuan në të ashtuquajturin Mekanizëm Evropian të Kurseve të Këmbimit (European Exchange Rate Mechanism), sipas të cilit valutat kryesore evropiano-perëndimore do manaxhoheshin në mënyrë të tillë që të mos luhateshin “me tepri” ndaj njëra tjetrës. Mekanizmi dështoi turpshëm dhe publikisht në 16 Shtator 1992 kur Mbretëria e Bashkuar nuk arriti të qëndronte brenda kufijve të marrëveshjes (ndonëse teoria “popullore” që spekulantë si Xhorxh Sororsi shkaktuan dështimin është e gabuar) dhe u tërhoq përfundimisht, ndërkohë që kufijtë e lejuar të luhatjes u zgjeruan një vit më vonë në 15% për shtetet e mbetura, një pranim i hapur i mos-efektivitetit të sistemit. Të tilla qenë fillimet aspak premtuese të euros që kemi sot.

Pikërisht në vitet ’70, ekonomisti i traditës austriake Friedrich August von Hayek hodhi dyshim mbi planin e unifikimit monetar. Në veprën e tij “Privatizimi i parasë” hidhen dyshime mbi mundësin e krijimit të një monedhe të përbashkët ashtu si dhe mbi efektet që një masë e tillë do sillte. Bashkimi Evropian dëshmoi që skepticizmi i Hajekut në rastin e parë ishte i pabazuar, pasi mejith performancën skandaloze të mekanizmit, dhe përkundër këshillave të shumë ekonomistëve (kryesisht në vendet me para më të fortë, si Gjermania), sërish euroja u krijua dhe është sot sovrane në Evropë.

Por ja që mosbesimi i Hajekut mbi performancën e monedhës së vetme u vërtetuan dhe gjasat janë që euroja nuk do ta festojë 20-vjetorin në asnjë vend, jo vetëm në Greqi apo Spanjë.

Ç’i propozonte Hajeku shteteve evropiane si alternativë ndaj asaj që më vonë do njihej si euroja?

Vendet e Tregut të Përbashkët, mundësisht me pjesëmarrjen e shteteve neutrale evropiane (dhe më vonë të shteteve amerikano-veriore) të marrin përsipër me anë të një traktati formal të mos ushtrojnë asnjë pengesë në territorin e tyre ndaj tregtisë së lirë të monedhave kombëtare të njëra-tjetrës (si dhe duke përfshirë monedhat e arit) si dhe ndaj ushtrimit të lirë të aktivitetit bankar për çdo institucion të liçensuar në ndonjërin prej shteteve.

Denationalisation of Money: The Argument Refined (1990), f.23

  

Shkurt: bashkëqarkullimin e lirë monedhave evropiane. Integrimi ekonomik evropian do ish arritur shumë më thjeshtë, shpejtë dhe pa kurrfarë pasojash negative nëse, në vend që të punohej për 20 vjet në unifikimin e detyruar monetar, vendet që sot bëjnë pjesë në Eurozonë thjesht të kishin eliminuar çdo pengesë për kryerjen e transaksioneve në monedhat e vendeve të tjera.

Ndonëse Hajeku nuk thellohet shumë tek pengesat qo do duheshin hequr, këtu mund të përmendim disa. Së pari, gjykatat në eurozonë do duhej të zbatonin kontrata dhe zhdëmtime në monedhën në të cilën vetë kontrata ishte hartuar (së paku për sa kohë kjo monedhë do ishte e një vendi tjetër të eurozonës). Ligjet e tenderit ligjor në eurozonë do duhej të zgjeroheshin për të përfshirë gjithë monedhat e tjera të grupit. Gjithashtu Bankave Qëndrore, qeverive si dhe çdo organizate tjetër publike do ti duhej ndaluar kategorikisht mbajtja e rezervave dhe kryerja e transaksioneve në monedhat e tjera të eurozonës (që ti biem shkurt, kjo do eliminonte mundësinë e manipulimit të kurseve të këmbimit). Kuptohet që çdo kufizim publik mbi kurset e këmbimit ose sasitë e lejuara për tregtim të këtyre monedhave do duhej eliminuar në çast. Së fundmi, siç shkuan Hajeku, liçensimi për aktivitet bankar në një vend të eurozonës do konsiderohej i vlefshëm në gjithë vendet (nga gjithë masat, kjo e fundit i është afruar më shumë realizmit).

Kështu, me dy-tre dyshime ligjore që nuk do kërkonin më shumë se pak javë, kontinenti do kish përfituar një sistem monetar efiçent, të integruar dhe konkurrencial. Çfarë ndryshimi nga euroja artificiale dhe e dështuar!

Sigurisht që propozimi i Hajekut, i menduar si një test praktik i planit të tij më të gjerë për konkurrencën e pastër monetare, as që u vu në rrefene. Qëllimi i vërtetë i unifikimit monetar nuk ishte optimizmi i sistemit monetar evropian, dhe as integrimi ekonomik i kontinentit, por qendërzimi i pushtetit tek eurokratët në Bruksel dhe favorizimi i klimës oligopoliste në kontinent. Dhe plani i Hajekut nuk do kishte realizuar asnjërin prej këtyre qëllimeve.

Tashmë është tepër vonë për ta zbatuar atë në formën e tij origjinale: monedhat e vjetra të eurozonës janë zhdukur një herë e mirë, dhe nuk mund të ringjallen dot. As Greqia që po çirret për të rikthyer Dhraminë nuk do ta bënte dot këtë edhe sikur ti lejohej. Eurozona tashmë është e dënuar të vuajë rrugën e inflacionit deri në fund.

Shpresa ama egziston akoma për ne të tjerët, pjesën e Evropës që nuk është në eurozonë. Britania, Zvicera, Norvegjia, Danimarka, Suedia, Turqia e në përgjithësi Evropa Lindore mund dhe duhet të zbatojnë një variant të planit Hajekian pa u vonuar. Dështimi i turpshëm i euros nuk duhet të shpjerë në braktisjen e ëndrrës së integrimit monetar, e as në rikthimin në nacionalizëm monetar në vendet tona. Me pak vullnet dhe largpamësi, me fare pak ndryshime ligjore që nuk do kërkonin veç një traktat mes gjithë vendeve evropiane (e, përse jo, më tej!), do realizonim atë që eurokratët janë përpjekur të bëjnë për 20 vjet, e megjithatë kanë dështuar.

Madje dhe vetë eurozona do përfitonte shumë nga përfshirja në një traktat të tillë. Për vende si Greqia, Spanja, dhe ndofta Portugalia dhe Italia nuk ka më ç’të behet. Edhe pa euron një popullsi me mendësi etatiste si ajo e këtyre vendeve do sjellë shpërthimin e borxhit, herët ose vonë. Por për vendet e tjera, një formë konkurrence monetare do bënte shumë punë, dhe ndofta do i jepte kohë të tejkalonin vështirësitë buxhetore. Do ishte në fakt tragjedi e madhe nëse vende liberale si Estonia të shihnin ekonominë në rënie të lirë për shkak të euros.

Koha ka treguar që skepticizmi i Hajekut mbi projektin e monedhës së përbashkët ishte më se i justifikuar. Me pak vullnet, koha mund të na tregojë nëse besimi i tij tek integrimin monetar evropian qe po aq i justifikuar. Evropa ka ende kohë për të shpëtuar një ide të mirë nga duart e burokracisë.