Uncategorized

Eurozona në krizë, BE-ja në udhëkryq

Bardhyl Salihu

Kur po shkruaja para 8 muajsh që Euros i ka filluar fundi, nuk prisja që për këtë periudhë të shkurtër të zhvilloheshin ngjarjet kaç shpejtë. E ja që momenti ka ardhur. Përveç tragjedisë greke, Spanja, Portugalia, Italia, Irlanda, Belgjika, Holanda, Sllovenia dhe rishtazi Mbretëria e Bashkuar janë futur në recesione ekonomike.

Nëse para 8 muajsh largimi i së paku një vendi nga Eurozona ka qenë i dukshëm vetëm në perspektivë, tani ai është në prag të bërit realitet. Por cilat janë rrugët që BE-ja mund t’i ndjekë dhe për cilat ka prirje të zgjedhë më shumë?

Greqia: në rënie të lirë

Se qeveria greke është në krizë fiskale të tmerrshme nuk i ka bërë përshtypje popullit grek, i cili vazhdimisht kërkon t’i mbajë afër beneficionet e majme shtetërore pa u lodhur fare që ato janë në kundërshtim të thellë me realitetin ekonomik. Zgjedhjet parlamentare të 6 majit në Greqi goditën rëndë partitë e mëdha të cilat e kishin pranuar kërkesën e Brukselit për shkurtimet buxhetore të planifikuara në marrëveshjen për ndihmën financiare, kurse shpërblyen partitë e majta (SYRIZA, Lindja e Artë, dhe Partinë Komuniste) që e kundërshtuan atë.

Në anën tjetër, Brukseli është vënë në një pozitë tejet të vështirë. Duke dëshiruar fuqishëm që Greqia të mos largohet nga Eurozona, Brukseli është i gatshëm të jetë i durueshëm me grekët, gjithmonë duke shpresuar që përfaqësuesit e rinj do t’i përmbahen marrëveshjes. Përndryshe, kanë premtuar që Greqisë nuk do t’i jepet ndihma e kushtëzuar.

Po qe se Brukseli e tërheqë ndihmën, grekët nuk do të kenë alternativë përpos të tërhiqen nga Eurozona. Arsyeja për këtë është e thjeshtë: Qeveria është në borxh të madh dhe e vetmja mënyrë për t’i përmbushur obligimet ndaj qytetarëve të etur është duke ri-instaluar Dhrahminë si monedhë e më pastaj duke i monetizuar ato borxhe. Monetizimi në zhargonin ekonomik nënkupton përmbushjen e obligimeve duke shtypur para.

Natyrisht, pasojat e një politike të tillë do të ishin pothuajse katastrofale: hiperinflacion dhe shkatërrim i rendit ekonomik në një shkallë shumë më të keqe se që po ndodhë tani.

Në anën tjetër, gjasat që Greqia t’i përmbahet marrëveshjes për ndihmë financiare duke pranuar t’i zvogëloj shpenzimet janë pothuajse zero. Prapa pamundësisë qëndron natyrisht populli grek i cili i është përgjigjur shkurtimeve nominale deri tani me protesta të ashpra, duke mos harruar dënimin e madh në zgjedhjet parlamentare. Shkurtimet “e vërteta”, ato që i kërkon Brukseli në këmbim për ndihmën financiare, do të kundërshtoheshin me vrer të atillë që mund të qonte lehtazi edhe në një luftë civile. Për më tepër, duket se këtë problem shoqëror veç e kanë kuptuar mirë partitë fituese dhe vështirë se do të shiten kur e dinë se nuk do të ketë vend për ta më në Greqi.

Çka nëse Brukseli është duke bërë blof dhe në realitet është i gatshëm ta ndihmojë Greqinë të mbetet në Eurozonë edhe nëse ajo nuk i pranon shkurtimet buxhetore? Një gjë e tillë do të ishte shumë e vështirë. Së pari, të gjithë krerët politikë do të turpëroheshin nga një koncesion i tillë të cilin vazhdimisht trumbetuan se nuk do ta pranonin. Së dyti, Greqia prapë do të mund ta vazhdonte zakonin e vjetër të përdorimit të Sistemit Monetar Evropian për t’i eksternalizuar kostot e shpenzimeve të saja në të gjithë Eurozonën siç ka bërë deri më tani e me ç’rast i ka akumuluar të gjitha këto borxhe. D.m.th., Greqia do të mbetej në Eurozonë por problemi i borxheve vetëm sa do të vazhdonte. Dhe së treti, do të vendosej një shembull tepër i keq (anglisht: moral hazard) për vendet tjera në krizë të cilat pastaj nuk do kishin fare nxitje t’i bënin shkurtimet e tyre buxhetore dhe do prisnin të njëjtin privilegj. Rezultati pra, do të ishte që Greqia të mbetej brenda, por me një kosto pothuajse astronomike për Eurozonën në afat të gjatë.

Në këtë pikë duket se dilemat janë pothuajse të zgjidhura. Greqia do ta refuzoj paketën e shkurtimeve buxhetore, Brukseli nuk do bëjë blof duke i dhënë prapë ndihmën financiare, dhe vendi do të përballet me borxhin duke e rikthyer monedhën e vjetër apo respektivisht, duke u larguar nga Eurozona.

Efekti domino?

Prapa dëshirës së fuqishme të Brukselit për ta mbajtur Greqinë në Eurozonë dhe në BE nuk qëndron dashuria për popullin grek apo “rëndësia ekonomike” e Greqisë (që mezi përbën 1% të BPV të Eurozonës), por rreziku që vendet tjera në krizë do ta përcjellin shembullin e saj. E nëse një gjë e tillë ndodhë, ipso facto edhe i tëri projekti politik i Bashkimit Evropian do të duhej të zbërthehej sepse përderisa BE-ja mund ta përballoj një largim, këtë nuk mund ta bëjë me një eksod.

Brukseli i frikohet këtij skenari për dy arsyeje: së pari, për shkak se qëndrimin popullor anti-BE në Greqi po e imitojnë edhe protestat popullore në vendet tjera si Spanja; dhe së dyti, për shkak se në shkencën politike dhe ekonomike veç ekziston një teori e famshme që po përfolët e që e mbështetë “zgjidhjen” e krizës së borxheve duke sugjeruar largimin e vendeve nga Eurozona dhe kthimin e tyre tek monedhat respektive.

Një mundësi tjetër për Brukselin mbetet të presë që Greqia të largohet e të dështoj t’i zgjidhë problemet e saj vet, duke i dhënë kështu mundësinë t’i rrahë krahët e vendeve tjera për t’ju treguar që pa të nuk ecin dot.

Rreziku natyrisht është që eksperimenti grek nuk do t’i japë rezultatet e këqija aq shpejtë. Në anën tjetër, jo të gjitha vendet tjera në krizë do t’i interpretojnë si të tilla, e disa madje as nuk do të dëshirojnë t’i kenë parasysh.

Fatmirësisht për Brukselin, kriza e borxheve në vendet tjera nuk e ka arritur shkallën e Greqisë dhe diçka ende mund të bëhet. Përkundër Greqisë, vendet tjera kanë qenë deri diku më serioze në shkurtimin e shpenzimeve, edhe pse ende janë larg caqeve të vendosura. Gjithashtu, rezistenca popullore kundër shkurtimeve në këto vende ka qenë e ngjashme por jo aq e fuqishme sa ajo në Greqi. Për BE-në, këto detale të vogla mund të bëjnë dallim të madh në fund.

Por edhe këtu ekziston një udhëkryq: cilin drejtim duhet ta ndjekë BE-ja në qoftë se vendet tjera në krizë e arrijnë nivelin e Greqisë? E pamë që për BE-në blofi nuk është zgjidhje por vazhdimësi dhe madje zmadhim i problemit të borxheve. Në anën tjetër, ndihmesa e shteteve në krizë gjithnjë në rritje po bëhet gjithnjë më e vështirë. Kësaj i shtohet edhe një sentiment i padrejtësisë të cilin po e ndjenjë popujt kontribuues si gjermanët. Së fundi, monetizimi i borxheve të të gjitha këtyre shteteve në shkallë të gjerë (nëpërmes Eurobonove apo direkt) jo vetëm që nuk do të pranohej nga Gjermania si vendi më me ndikim, por edhe po qe se do pranohej do ta dërgonte të gjithë Eurozonën në kolapsin që Brukseli po mundohet ta shmang.

Rrugët e udhëkryqit janë të gjitha me shi, të errëta, dhe plotë gropa. Brukselit nuk i ka mbetur shumë hapësirë për të zgjedhur dhe vështirë se destinacioni përfundimtar do të jetë një vend ndryshe nga “Fundi i BE-së.”