ekonomi

Fiat iustitia, et pereat mundus!

Etjon Basha

Nga deklarata e ‘bujshme’ dhe plotësisht e qytetëruar e prof. Rexhep Qoses,

T’i mbash me zor serbët e Kosovës dhe Shqiptarët e Luginës së Preshevës nën një shtet që nuk e duan është jo e drejtë dhe jo demokratike, që ndryshe mund të thuhet t’i mbash ata nën okupim[…]

Unë mendoj se për t’u zgjidhur përfundimisht çështja e Kosovës, duhet të zgjidhet edhe një brengë e brendshme në Kosovë, për t’u çliruar nga serbët e veriut dhe kush është interesuar nga këta serbë nga brendia e Kosovës, mund të kalojë atje, në veri dhe ajo pjesë t’i jepet Serbisë, ndërsa Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës. Do të thotë të bëhet shkëmbimi i territoreve, për të cilin opsion unë jam dakord[…]

Shqiptarët sivjet e kremtojnë 100-vjetorin e pavarësisë e duke e pritur atë mire, si kurrë herë më parë. Edhe pse ky ishte shekulli ynë, çështja shqiptare në Ballkan nuk është zgjedhur si duhet[…]

Kjo deklaratë padyshim që do shoqërohet me atë që anglo-saksonët konsiderojnë një ‘shitstorm’, por kujt po i prishet puna?

Është pa dyshim tejet e këndshme të shohësh që diktumi i famshëm që lufta është veprimtari imitative, dhe që sa më shumë zgjat aq më shumë nisin të imitojnë njëra-tjetrën palët, nuk qenka e vërtetë në çdo rast: Shqiptarët e Kosovës, megjith shekullin e luftës me shtetin Serb, mund të ngrihen moralisht mbi Serbët!

Nëse do dijmë të lëmë pas krahëve instiktet shoviniste fisnore që karakterizuan sundimin Serb në Kosovë e të pranojnë parimin e vetëvendosjes si të vetmen zgjidhje morale të problemeve në trojet Shqiptare (nisur nga vetë Shqipëria), atëherë realisht do kemi kuptuar thelbin e qytetërimit Perëndimor. Ju lumtë, profesor Qosja: për një çast thashë se isha i vetmi!