“Fondi i Punësimit”- I Padëshirueshëm Ekonomikisht
© Të drejtat autoriale i mbanë Gazeta Jeta në Kosovë
Bardhyl Salihu
Një anë pozitive e fushatës së fundit zgjedhore është përhapja e programeve politike. Kjo tregon që debati po largohet sadopak nga temat personale dhe amatore, duke u orientuar më shumë në politikat që duhet ndjekur për zhvillimin ekonomik të vendit. Njëri prej premtimeve më të mëdha është “Fondi i Punësimit”, pjesë e programit të PDK-së. Edhe pse PDK-ja nuk e ka të sigurt numrin e deputetëve të mjaftueshëm për formimin e qeverisë, megjithatë si fituese e zgjedhjeve tërheq vëmendje më të madhe drejt vlerësimit të programeve të saj.
Për “Fondin e Punësimit” (tutje Fondi) kam katër komente kryesore. I pari është që ka pak informata mbi të. Deri tani çka dihet është vetëm se Fondi do të jetë një skemë gjigante e subvencioneve që synon t’i krijojë 200,000 vende pune.
Fondi parashihet të ketë vlerë 1.5 miliard euro, pra më shumë se buxheti aktual i Kosovës. 500 milionë nga ajo vlerë do të ndahen për bujqësi; do të mbushet nga riatdhesimi i parave të privatizimit, nga burimet qeveritare (taksat dhe borxhi publik), edhe nga donatorët e huaj; si dhe do të menaxhohet “në mënyrë transparente”.
Në këtë përshkrim zyrtar të Fondit nuk ka informata se a është bërë ndonjë studim i fizibilitetit se si do të shpërndahen fondet, me çfarë kritere, kush do ta vendosë këtë, me çfarë strategjie do të tërhiqen investimet e donatorëve të huaj, si do të rriten të hyrat nga burimet qeveritare për ta mbyllur diferencën, e pyetje tjera të ngjashme që na japin një pasqyrë më të qartë.
Këtu madje po i përjashtoj pyetjet komplekse specifike, për shembull se si do të riatdhesohen paratë e privatizimit duke ditur problemin e pazgjidhur të pronësisë shtetërore me Serbinë.
Përveç mungesës së informatave më të hollësishme, ka pasur edhe kundërthënie apo paqartësi në qëndrimet e anëtarëve të PDK-së për Fondin, për shembull sa i përket vlerës totale e cila është proklamuar të jetë 1 edhe 1.5 miliard euro.
Komenti i dytë ka të bëjë me burimin e inspirimit për Fondin. Fondi u ngjan shumë disa politikave ndërhyrëse në ekonomi në ShBA si kundërpërgjigje ndaj “Depresionit të Madh”, të njohura bashkërisht si “New Deal” (shqip: Marrëveshja e Re).
“New Deal-i” është zbatuar nga presidenti Franklin D. Roosevelt prej vitit 1933 deri në përfundimin e Luftës së Dytë Botërore. Nëse propozimi i Fondit është me të vërtetë i bazuar në të, është mirë të sqarohet arsyeja pse, për shkak se “New Deal-i” nuk ka qenë i sukseseshëm dhe në shumë mënyra vetëm sa e ka zgjatur “Depresionin e Madh”.
Në vitin 1939, 6 vite pasi “New Deal-i” kishte hyrë në fuqi, rendimenti total i ekonomisë amerikane ishte 27% më i ulët sesa trendi që e kishte ndjekur deri para krizës, kurse investimi i përgjithshëm vetëm sa gjysma e atij që do duhej të ishte.
Ekonomia amerikane nuk e ktheu nivelin e investimeve të vitit 1929 deri në vitin 1941, kurse në zenitin e “New Deal-it” në vitin 1938 investimet neto ranë në vlerën negative 800 milionë dollarë.
Përderisa koha mesatare e rikuperimit nga shumica e recesioneve të kaluara në Amerikë ishte 2 vite, “New Deal-i” nuk e shëroi “Depresionin e Madh” as për 12 vite. Vendet tjera që u goditën nga Depresioni u rikuperuan më shpejt se ShBA-të, e cila në krahasim me Kanadën, për shembull, pati papunësi mesatarisht 5.9 pikë të përqindjes më shumë. Kjo gjendje ishte kryesisht rezultat i pasigurisë së krijuar nga “New Deal-i” për investimin privat. (Robert Murphy, The Politically Incorrect Guide to the Great Depression and the New Deal, ff. 102-12)
Rezultatet e dobëta të “New Deal” dëshpëruan edhe njërin prej arkitektëve të saj, sekretarin e Thesarit Henri Morgentau, i cili pranoi dështimin: “Kemi provuar të shpenzojmë para. Po shpenzojmë më shumë se kurrë më parë dhe nuk po funksionon. […] Pas tetë vitesh të kësaj administrate kemi po aq papunësi sa kur filluam […] Kurse tani edhe një borxh të madh!” (Burton Fulsom, Jr., New Deal or Raw Deal? How FDR’s Legacy Has Damaged America, f. 2).
Komenti i tretë është që Fondi si skemë gjigante e subvencioneve është ekonomikisht i dëmshëm për shkak se duke rishpërndarë pasurinë e dëmton motivin për të qenë produktiv.
Subvencionet janë marrje e parave nga një person apo biznes dhe dhënie e tyre te një person apo biznes tjetër. 85% e ekonomistëve në Amerikë pajtohen që subvencionet bujqësore janë të dëmshme për ekonominë, sepse i largojnë nxitjet e përfituesve të tyre të jenë më produktivë dhe të zhvillohen.
Kjo ndodh për shkak se bizneset me subvencione i kanë të hyrat e garantuara dhe nuk kanë nevojë të luftojnë për t’i fituar të hyrat nga konsumatori. Në fakt, zhvillohen pikërisht ato biznese të cilat për t’i fituar paratë e konsumatorit, duhet të jenë konkurrente në ofrimin e produkteve dhe shërbimeve cilësore me çmime të volitshme.
Në të njëjtën kohë, subvencionet i penalizojnë pikërisht bizneset produktive, sepse ato detyrohen të paguajnë për to, meqë gjenerojnë fitim më të madh dhe rrjedhimisht paguajnë më shumë taksa.
Pra, subvencionet krijojnë nxitje apo stimuj perversë, ku ata që janë produktivë penalizohen, kurse ata që dështojnë t’u shërbejnë konsumatorëve shpërblehen me para. Një analogji e mirë ilustrative është tabela e ekipeve në futboll. Nëse pikët e ekipit të parë i merren dhe u jepen ekipeve më të dobëta, rezulton që ekipi i parë të mos jetë më aq i motivuar të fitojë. Por as ekipi i dobët nuk do të jetë më i motivuar, sepse po merr pikë “falas”, pa qenë konkurrent.
Deri tani, Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë asnjë dëshmi që skemat e subvencioneve që i ofron tash e disa vite kanë pasur sukses në zhvillimin e bizneseve. Bizneset kanë përfituar, natyrisht, por sa janë më produktive në kuptim të rendimentit, cilësisë, punësimit, etj. ne krahasim me më parë? Ato kanë përfituar, por kanë mbetur kryesisht po ato biznese të pasuksesshme që kanë qenë.
Subvencionet janë shndërruar de fakto—siç ndodh gjithmonë dhe çdokund në botë—në shpërndarje të parave për grupet e ngushta të interesit dhe për ata të cilët kërcënojnë me protesta nëse nuk i marrin.
Subvencionimi i bizneseve për të krijuar vende pune nënkupton punësim artificial i cili nuk është i lidhur me prodhim apo ofrim të shërbimeve. Fondi thjesht do t’i paguajë bizneset që të punësojnë njerëz, pa marrë parasysh se a i duhen biznesit apo jo. Krahasimisht më mirë do të ishte sikur Qeveria t’i paguante këta të papunë drejtpërdrejt—së paku kështu do t’i kursente kostot administrative të menaxhimit të Fondit.
Përveç mundësisë së madhe për keqpërdorim nga zyrtarët që e menaxhojnë Fondin për shkak të korrupsionit që mbretëron në Kosovë, do të ketë tentim për keqpërdorim edhe nga ana e bizneseve të cilat do të gjejnë hapësira për ta manipuluar atë (p.sh. duke punësuar punëtorë, e pastaj duke i pushuar nga puna pasi të subvencionohen).
Së fundi, ideja për Fondin nuk është ide që i takon spektrit politik të qendrës së djathtë, të cilit PDK-ja shtiret se i takon. Një ide e tillë do t’i shkonte më shumë përshtati programit politik të Lëvizjes “Vetëvendosje”, e cila ka ide të majta që gabimisht theksojnë subvencionimin si metodë për ringjalljen industriale.