ekonomi

Franc Ferdinandi i Austro-Hungarisë

Etjon Basha

Në frymën e festimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë, po sjell një artikull historik tejet interesant nga Kastriot Myftaraj tek gazeta Telegraf. Duke iu referuar trashëgimtarit të fronit Austro-Hungarez, Arqidukës Franc Ferdinand, Myftaraj shkruan (nënvizimet janë të miat):

«Ai e ktheu rrotën e historisë në dobi të shqiptarëve. Serbët e mësuan sigurisht se cili ishte njeriu që i dëboi nga Adriatiku dhe që atëherë e dënuan me vdekje Franc Ferdinandin. Vendimi terrorist u zbatua një vit e gjysëm më pas, në 28 Qershor 1914 në Sarajevë. Franc Ferdinandit ne i detyrohemi më tepër se çdokujt të huaji për krijimin e shtetit shqiptar. Por edhe 100 vite pas krijimit të shtetit shqiptar, ky njeri jo vetëm që nuk ka asnjë shtatore të ngritur në shenjë mirënjohjeje, por asnjë rrugë, asnjë shesh nuk mban emrin e tij. Në 18 Dhjetor 2013 është 150 vjetori i lindjes së Franc Ferdinandit, një ditë kjo që më tepër se Austria ka detyrimin ta celebrojë Shqipëria. Nëse në 28 nëntor Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë, kjo para së gjithash është meritë e Franc Ferdinandit, i cili meriton për këtë gjë të jetë qytetar nderi i Vlorës.»

Pse të mos shpresojmë që me njohjen e rolit jetik që Perandoria Austro-Hungareze luajti tek mbijetesa e kombit tonë, të rritet dhe mirëkuptimi i fryteve kulturorre të asaj Perandorie, nisur nga Shkolla Austriake e ekonomisë?

PS: Artikullit të Myftarajt mund vetëm ti shtoj komentin që, po të kemi parasysh që fqinjët tanë të dashur ende ruajnë një pllakë përkujtimore në Sarajevë në nderim të vrasësve që, bashkë me Arqidukën dhe bashkëshorten e tij përcollën edhe rendin e artë në Evropë, detyrimi i Shqipërisë për të nderuar Franc Ferdinandin është ende më i madh.