Uncategorized

Grushti i parë i shtetit në shekullin e ri

Etjon Basha

Autori juaj kishte përgatitur një postim relativisht të gjatë me disa komente praktike dhe teorike mbi situatën e krijuar rreth Bankës së Shqipërisë. Mirëpo përtesa e pashmangshme e sezonit veror më shtyu të mos e postoja kur qe rasti dhe tashmë duket se ngjarjet kanë marrë të tillë rrjedhë që ai artikull nuk do ketë më shumë vlerë.

Mjafton të them që, për nga mënyra se si u “zgjidh” çështja e vjedhjes në Bankën e Shqipërisë , ajo doli tejet e dobësuar nga gjithë këto zhvillime dhe pavarësia e saj reale (në mos ajo formale) u cënua tepër si nga refuzimi I Guvernatorit për tu dorëhequr kur qe çasti ashtu dhe nga vendimi i turpshëm për arrestimin e tij (njëra nga këto ngjarje do qëndrojë gjatë në historinë moderne të Shqipërisë pasi shumëshka tjetër të jetë harruar dhe  pasionet e çastit të veniten).

Në kushtet kur në Shqipëri nuk gëzojmë konkurrencë të lirë monetare apo një Bankë Qendrore private, një Bankë Qendrore (relativisht) e pavarur është alternativa praktikë më e mirë. Kështu, duke prekur këtë pavarësi, gjithë kjo çështje ka cënuar jo pak qëndrueshmërinë financiare të Shqipërisë, përkundër deklaratave të përditshme që na sigurojnë për të kundërtën.

Le të urojmë që ekipi i ri drejtues të na sjellë një hop aq të madh cilësor me politikën e re monetare sa të kompensojë Shqipërinë për këtë humbje (mund të niset duke flakur politikën informale të fiksimit të kursit ndaj Euros dhe të adoptohet një farë programi stabilizimi të yield-eve nominale). Mirëpo më duhet të pranoj që nuk kam fort besim që ndonjë gjë e tillë do ndodhë.