Uncategorized

Idiotësi nacionaliste, pjesa e dytë

Bardhyl Salihu

Einsteini famshëm kishte thënë: “Vetëm dy gjëra nuk kanë fund, universi dhe idiotësia njerëzore, dhe nuk jam i sigurt për të parën.” Ky citat më kujtohet sa herë lexoj ose dëgjoj për idiotësi të reja nacionaliste në Kosovë, të cilat me të vërtetë nuk kanë fund.

Më e reja në koleksionin e madh është kontradikta qesharake në mesin e ideve si ato të  Lëvizjes VETËVENDOSJE! të cilët në vete i ngërthejnë dy elementet më të këqija ideologjike: nacionalizmin dhe socializmin.

Nacionalistët dhe socialistët nuk heshtin së llomotituri idenë proteksioniste, klishe dhe të gabuar, që deficiti tregtar është i dëmshëm për Kosovën dhe që e vetmja rrugëdalje ekonomike për vendin është rritja e eksporteve. Në anën tjetër, ata kërkojnë bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Shumë mirë. Por, a nuk e dinë këta zotërinj që dy pozitat janë në kundërthënie të plotë me njëra tjetrën? Nëse deficiti tregtar qenka i dëmshëm, atëherë bashkimi me Shqipërinë dhe largimi i tarifave në mes dy vendeve do ta linte Kosovën ekonomikisht në një pozitë edhe më të keqe se sa që është tani. Apo mos ndoshta ata pranojnë që çmimi për bashkimin kombëtar të jetë dëmtimi ekonomik i njërës anë, në këtë rast, Kosovës?

Natyrisht, zotërinjtë nuk mund të struken prapa faktit që edhe Shqipëria do t’i largonte tarifat në rast të bashkimit sepse kjo nuk e ndryshon kritikën time: deficiti tregtar (i cili pas bashkimit nuk do të matej fare statistikisht) nuk do të kthehej në favor të Kosovës.

Nuk është thuajse zotërinjtë janë në kërkim të tregtisë së lirë; “vetëm largoj t’i barrierat, do t’i largojmë edhe ne.” Jo, jo, argumenti i tyre është që deficiti tregtar duhet të kthehet në suficit. E tani që po mendoj, sa më brengos kjo për deficitet tregtare në mes Prishtinës e Drenasit, lagjes Dardania e lagjes Ulpiana, Hasanit e Hysenit.

E njëjta vlen edhe për ata zotërinjtë tjerë që thërrasin për hyrjen e Kosovës në Bashkimin Evropian. Me largimin e barrierave tregtare në rast të hyrjes (që nuk do të ndodhë as në librat më fiktivë), Kosovës vetëm sa do t’i rritej deficiti përpos që një rritje e tillë, gjithashtu, nuk do të matej statistikisht.

E meqë jemi te proteksionizmi, nuk mund të lë pa cekur edhe kundërthënien tjetër e cila është aq e madhe sa që edhe nga vetë pikëpamja nacionaliste është e gabuar (pa vënë në funksion shkencën e ekonomisë). Ne konsumatorët ftohemi pa fund që të konsumojmë produkte vendore, të prodhuara nga ndërmarrësit shqiptarë, por asnjëherë nuk thirren prodhuesit e ndërmarrësit shqiptarë të prodhojnë produkte të mira e të lira.

Nga ku doli ky nacionalizëm i njëanshëm? Ju blini produkte vendore, pa marrë parasysh që serbi i bënë më mirë e më lirë, kurse prodhuesin mos e bezdisni. Le të jetë joefikas aq sa dëshiron; barra e patriotizmin nuk i bie ati në supe, atë e mbanë vetëm konsumatori. Ç’ideshë idiotike!