Uncategorized

Idiotësi nacionaliste

Bardhyl Salihu

Me fillimin e kampionatit evropian të futbollit Euro 2012, koleksionit të gjerë të idiotësive nacionaliste në Kosovë i është rikthyer ideja që duhet të bëhet tifo vetëm për kombëtaret shtetet e të cilave e kanë njohur pavarësinë e Kosovës (p.sh. Anglinë, Gjermaninë, Portugalinë) kurse duhet të kundërshtohen kombëtarët e shteteve që janë kundër pavarësisë (p.sh. Spanja e Greqia).

Si tifoz i kombëtares spanjolle, më është thënë kjo kritikë vazhdimisht deri sa më është bërë bozë sepse një mendim i tillë nuk është asgjë tjetër veçse një reagim irracional i udhëhequr nga nacionalizmi patologjik që shqiptarët e Kosovës e ndjenjë në mungesë të kapitalit intelektual dhe mendimit të mirëfilltë për zhvillim dhe mirëqenie.

Nuk dua të thellohem në të këqijat e nacionalizmit si ideologji, e cila është thjeshtë nën-degë e Marksizmit (përderisa Marksistët e shohin botën si luftë të klasave, nacionalistët e shohin botën si luftë të kombeve), por dua të merrem drejtpërsëdrejti me kritikën e bërë.

Me ti lënë anash impulset irracionale e emocionale, e kuptojmë që kjo kritikë është formë e paskrupullt e kolektivizimit apo përgjithësimit. Sipas kësaj ideje, vetëm pse një individ e ndanë një karakteristikë me një tjetër, ai individ duhet gjithashtu të mbajë përgjegjësi për veprimet e tjetrit. Kështu pra, vetëm pse lojtarët spanjollë e ndajnë karakteristikën e të qenit spanjollë ashtu siç janë politikanët e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Spanjës, ata duhet gjithashtu ta ndajnë fajin për faktin që kjo Ministri nuk e ka njohur Kosovën.

Ekonomisti francez Frederic Bastiat ka qenë i famshëm, ndër tjera, për aftësinë e reduktimit të argumenteve kundërshtare në absurditet. Në frymën e tij, pra, unë mund të them që çdo shqiptar i Kosovës, nëse kritikët dëshirojnë të mbesin konsistent, duhet të fajësohet për politikat e Qeverisë së Kosovës. Çdo shqiptar i Kosovës, pra, qenka gënjeshtar, hajn, plaçkitës, e kriminel. Pse? Sepse duke qenë shqiptar, ai e ndanë këtë karakteristikë me Qeverinë e Hashim Thaçit, pjesa dërmuese e së cilës përbëhet gjithashtu nga shqiptarët.

Madje, unë mund të shkoj edhe një hap më tutje në frymën e reductio ad absurdum dhe të them që meqë të gjithë njerëzit në tokë e ndajnë karakteristikën e të qenit njerëzor, atëherë çdo njëri në botë është përgjegjës për veprimet e secilit njëri tjetër! Sa përfundim logjik paska kjo ide gjeniale!

A nuk qenka qesharake, pra, që kombëtarja spanjolle të fajësohet? A nuk duhet individi i cili i bënë aktet të jetë ai që mbanë përgjegjësi? Në cilën botë po jetojnë shqiptarët e Kosovës kur mendojnë që përgjegjësi për akte duhet të kenë edhe njerëzit të cilët nuk kane fare të bëjnë me aktin?

Madje, në rastin e Spanjës një kritikë e tillë bëhet edhe më qesharake kur dihet që një pjesë e madhe e 11 lojtarëve bazë janë katalanë e baskë, jo spanjollë, dhe si të tillë i përkasin etnive që vazhdimisht kanë kërkuar pavarësinë nga Spanja ashtu siç ka kërkuar Kosova pavarësinë nga Serbia. Pra, në vend që të kundërshtohen, lojtarët e Spanjës duhet të shihen si miq, etnitë e të cilëve kanë një problem të ngjashëm me të shqiptarëve në Kosovë, me të vetmin dallim që shteti i Spanjës u ka dhënë atyre autonomi të gjerë dhe nuk i ka përndjekur për t’i spastruar etnikisht (i vetmi faktor përndryshe i cili po i mbanë brenda Spanjës). Madje, në internet qarkullon fotografia (më sipër) e lojtarit të FC Barcelonës, Xavi Hernandez, i cili e nënshkruan një bluzë me flamurin e Kosovës që thërret për pranimin e Federatës së Futbollit të Kosovës në FIFA. Kurse Partia Katalane e Pavarësisë e ka përgëzuar Kosovën për pavarësinë e saj dhe ka ftuar katalanët të ndjekin shembullin tonë.

Por, thuhet në kundërshtim, a nuk është kombëtarja spanjolle “përfaqësuese” e Spanjës me himnin, ngjyrat, flamurin, e faktin që Federata e saj është institucion shtetëror mu ashtu si Ministria e Jashtme? A nuk duhet si “përfaqësuese” të mbajë përgjegjësi për veprimet e Ministrisë? Aspak. Sa duhet të jenë përgjegjës sportistet si Majlinda Kelmendi, që synojnë përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, për veprimet e Qeverisë së Kosovës? A duhet çdo person i cili e përfaqëson himnin, ngjyrat, flamurin dhe është i regjistruar në çfarëdo federate sportive në Kosovë të jetë përgjegjës? Nëse jo, atëherë as kombëtarja spanjolle nuk është. Faji kolektiv nuk ekziston.

Le të bëjmë tifo, pra, për arsyeje personale e të mos përdorim këtë argument të shëmtuar që kinse kemi përgjegjësi politike (që s’ekziston)  për të përkrahur një skuadër e për të kundërshtuar tjetrën. “Chill out”, siç thonë amerikanët, ulu dhe shiko futboll me një birrë në dorë.