Uncategorized

Institucionet kanë rëndësi

Bardhyl Salihu

Momentalisht jam duke lexuar librin e ri të Daron Acemoglu dhe James A. Robinson, Why Nations Fail (shq: Pse kombet dështojnë), teza e të cilit është që dallimet botërore në nivelin e pasurisë rrjedhin nga institucionet në vend.

Institucionet nuk janë vetëm politike, ashtu siç përdoret termi në Kosovë. Ato mund të jenë edhe ekonomike, p.sh., në kuptimin e institucionit të pronës private. Autorët argumentojnë që institucionet politike i paraprijnë atyre ekonomike dhe si rezultat institucionet e mira krijojnë nxitje të mira ekonomike për tregti, novacion, dhe pasurim të kombeve.

Acemoglu dhe Robinson argumentojnë me sukses, për mendimin tim, që shpjegimet alternative për pasurinë e kombeve si ai gjeografik (që disa kombe janë më të pasura sepse kushtet gjeografike [si ato bujqësore] i kanë favorizuar), ai kulturor (që kultura i ka favorizuar), apo ai i “injorancës” (që disa kombe kanë pasur udhëheqës injorantë për politikat e duhura) nuk janë të mjaftueshme. Kritikën ndaj faktorit gjeografik do ja bashkëngjitja kritikës time ndaj euforisë në Kosovë për “nevojën” e zhvillimit bujqësor në vend.

Megjithatë, nuk pajtohem me idenë që këta tre faktorë duhet të përjashtohen plotësisht nga ekuacioni (nuk them që autorët e kanë bërë këtë) dhe jam i mendimit që kanë rol deri diku në përcaktimin e pasurisë së kombeve. Mirëpo, mendoj se roli i tyre është i zhvendosur në sfond; më shumë ndikues ndaj institucioneve politike që përcaktojnë ato ekonomike se sa ndaj vetë procesit të akumulimit të pasurisë.

Në mesin e shumë anekdotave interesante të thurura me teori që kanë kuptim, më bezdis përfundimi i tezës. Përderisa pajtohem plotësisht me tezën (që institucionet kanë rëndësi), nuk pajtohem me përfundimin (për mendimin tim jo-logjik) që institucionet e forta politike mund të formohen vetëm nga shteti, apo siç thonë autorët, “nga një shtet i centralizuar fort”.

Mendoj se veprat e shumta të autorëve Murray N. Rothbard, David D. Friedman, Brunce L. Benson, Edward Stringham, Roderick Long, e Robert Murphy kane dëshmuar që tregu është i aftë të krijojë dhe zbatoj ligje private me shumë efikasitet. Shembull elementar është Ligji i Tregtarit (ang: Law Merchant), i krijuar në Mesjetë në mënyrë spontane dhe me marrëveshje vullnetare në mes tregtarëve.

Megjithatë, përkundër kësaj bezdie me leximin e këtij libri interesant më janë kujtuar shumë raste nga jeta e përditshme të cilat dëshmojnë qartë tezën e rëndësisë së institucioneve.

Shembull konkret janë shqiptarët që jetojnë në diasporë të cilët e vizitojnë Prishtinën gjatë verës. Sjellja e tyre në Prishtinë në shumë raste dallon në mënyrë drastike me sjelljen e tyre në vendet e Perëndimit ku jetojnë e ku institucionet dallojnë gjithashtu.

Për shembull, në Prishtinë ata nuk i respektojnë rregullat e komunikacionit duke vozitur shpejtë, duke u parkuar gabimisht, apo duke hedhur mbeturina nga dritarja. Asnjërën nga këto nuk do guxonin ti bënin në vendin nga kanë ardhur.

Dallimin, natyrisht, e bënë fakti që në Prishtinë institucionet përgjegjëse për kontrollin e rrugëve janë aq të dobëta sa që ato nxisin sjellje të tilla. Në Perëndim, institucionet e mirëfillta për kontrollin e rrugëve nuk lejojnë sjellje të tilla dhe si rezultat nxisin qytetarët të jenë korrektë dhe të kujdesshëm në rrugë.

Këto dallime nuk rrjedhin nga gjeografia (dallimet gjeografike nuk pengojnë/ndihmojnë në ruajtjen e rrugëve), nga kultura (shqiptari nuk bëhet në mënyrë magjike i kulturuar kur shkon në Perëndim), e as nga injoranca (nuk mungon dituria që parkimi i gabuar e pengon komunikacionin). Këto dallime e kanë thelbin vetëm në një vend: tek rëndësia e institucioneve.

Prandaj mesazhi i librit mbetet i qartë: sa më shpejtë që kombet fillojnë me ndërtimin e institucioneve të forta si ato të pronës private, aq më shpejtë do të rrugëtojnë drejtë pasurisë.