“Internetifikimi” i Shqipërisë dhe përrallat socialiste
Etjon Basha
Uroj të dal i gabuar por po vërej gjithnjë e më shpesh – dhe ç’është më e keqja kryesisht te brezi më i ri – tendencën për të ri-glorifikuar gjysmë-shekullin e regjimit socialist të Hoxhës. Megjith të këqijat dhe ‘teprimet’ e tij, së paku Hoxha na paska qenë ‘lider dhe patriot’ dhe arritjet e regjimit në shumë fusha na qenkan ‘të padiskutueshme’.
Një nga këto fusha është elektrifikimi i vendit. Nostalgjikët dhe naivët vënë në dukje se si Hoxha e gjeti Shqipërinë një vend që nuk njihte rrymën elektrike dhe e la plotësisht të elektrifikuar, me hidrocentrale të mëdha dhe shtylla tensioni deri në fshatin më të humbur. Si mund të mohohet kjo arritje?
Ja që mohohet dhe me gojën plot madje! Për apologjistët e socializmit mjafton që pas 30 vitesh diktature vendi ishte i elektrifikuar, dhe as duhet vënë në refene koncepti i kostos oportune: a mund të ishte elektrifikuar vendi shumë më shpejt, lirë dhe pa zhurmë në mënyra të tjera?
Për ata që nuk e konceptojnë dot elektrifikimin veç si ndërmarrje kryekëput shtetërore që kërkon fonde gjigande, këshilloj të ushqejnë paksa fantazinë duke vërejtur një ‘fushatë’ tjetër po aq të rëndësishme që zhvillohet çdo ditë para syve tanë: “internetifikimi” i vendit.
Ku janë miliardat e shpenzuara nga shteti për të sjellë internetin në shtëpinë e çdo Shqiptari? Ku janë stacionet gjigande që na mundësojnë të lundrojmë në botën virtuale?

Ja që “internetifikimi” i vendit po behet jo me miliardat publike, por me fondet private të shoqërive. Gradualisht gjithnjë e më shumë shtëpi po e gjejnë të mundshme (në mos të domosdoshme) të lidhen në rrjet me kosto të arsyeshme: e gjitha pa bujë dhe zhurmë dhe mbi të gjitha pa skllavëruar shqiptarët që të punojnë me dhunë në këtë ‘fushatë’.
Duke vërejtur procesin e “internetifikimit” të vendit, është e qartë se si do mund të ish elektrifikuar Shqipëria në mungesë të regjimit socialist: shoqëri private do kishin nisur të ofronin transmetimin e energjisë së blerë jashtë. Fillimisht blerësit do qenë bizneset e mëdha në zonat kryesore urbane. Teksa gjithnjë e më shumë shoqëri do hynin në biznesin e shitjes (dhe gradualisht edhe prodhimit) së energjisë, kostoja do binte vijimisht dhe gjithmonë e më shumë shqiptarë do mund ti lejonin vetes rrymën elektrike në shtëpitë e tyre. I gjithë procesi do zhvillohej organikisht, pa planifikim qendror dhe duke i dhënë Shqipërisë rrjetin shpërndarës dhe prodhues më efektiv të mundshëm.
Ç ‘ndryshim nga super-impiantet e përbindshme që e lenë vendin pa rrymë çdo herë që vonon shiu! Ç’ndryshim nga super-digat që mund të varrosin në pak minuta të gjallë dhjetëra mijëra banorë të veriut nëse i teket ndonjë armiku të nesërm ti bombardojë! Ç ‘ndryshim nga monopoli i rehatshëm i KESh-it që na dhuron fatura të kripura e të pa-arsyetuara përmuaj! Ç ‘ndryshim nga situata qesharake ku pjesa më e madhe e vendit që nuk paguan asnjë qindarkë për rrymën dhe pretendon të subvencionohet nga pakica prodhuese e shqiptarëve është e gatshme të bllokojë rrugët kombëtare nëse i preket kjo ‘e drejtë’! Së fundmi, ç ‘ndryshim nga një rrejt elektrik i amortizuar nëpër fshatrat më të humbur, që me gjithë gjasat as do ekzistonin sot pa lëvizjet masive e të detyruara të popullsisë nga planifikuesit mirëdashës socialistë!
Shtrirja e internetit në Shqipëri është shembulli praktik i një ‘fushate’ në tregun (pak e shumë) të lirë: pa zhurmë, pa bujë, dhjetëra shoqëri ofrojnë shërbime të reja, më lirë, më shpejt, më mirë, me më shumë mundësi zgjedhjeje, derisa pas pak vitesh vendi zgjohet i “internetifikuar”, dhe askush nuk e kupton mirë se si ka ndodhur kjo mrekulli.
Me vjen te vjelle kur degjoj tentimet monstruoze, sidomos ne Kosove, per ta mbrojtur regjimin socialist te Enver Hoxhes ne Shqiperi. Nese dikush eshte i verber ndaj fakteve te pakontestueshme te shkaterrimit dhe prapambetjes qe ky njeri i solli shqiptareve, atehere cka mund t’i thuhet ketij te verbri? Eshte po aq e kote sikur te debatosh me dike qe thote se ekziston Babadimri/Babagjyshi.