Keqkuptimi epik mbi shtetin
Bardhyl Salihu
Në Kosovë dhe në Shqipëri vërehet përgjithësisht një keqkuptim shumë i madh në lidhje me definicionin e shtetit. Fatkeqësisht, shteti gabimisht kuptohet të jetë sinonim i tërë shoqërisë apo vendit. Shpesh bëhen thirrje që “të punohet për shtetin”, “të zhvillohet shteti”, etj., duke menduar që shteti është vetë populli i një vendi apo që mirëqenia e popullit varet disi proporcionalisht nga aktiviteti shtetëror.
Është e rëndësishme që kuptimi i shtetit të sqarohet në mënyrë që të bisedohet për politikë dhe ekonomi. Pa e njohur definicionin e drejtë, një diskutim i tillë ëshë i kotë sepse nuk lë hapësirë për kritikë të mirëfilltë të shtetit dhe shpalosje të alternativave tjera politike.
Mendoj që definicioni më i mirë i shtetit është formuluar nga teoricieni shoqëror dhe ekonomisti Hans-Hermann Hoppe. Sipas tij, shteti është monopolist territorial i vendimeve finale në konflikte (përfshirë konfliktet ku vetë bënë pjesë) si dhe konfiskues i pronës (zakonisht parave) të cilat i quan taksa dhe masën e të cilave e përcakton unilateralisht.
Për të qenë monopolist territorial, shteti e përdorë dhunën duke i cunguar fuqitë gjyqësore mbi individët apo grupet e individëve të cilët mundohen të ofrojnë shërbime të ndërmjetësimit të konflikteve. Për t’a konfiskuar pronën, shteti prapë e përdorë dhunën në kundërshtim me mos-pëlqimin e pronarëve. Po qe se pronarët do jepnin pëlqim për dhënien e pronës së tyre, përdorimi i dhunës nuk do të ishte i nevojshëm.
Shteti pra, është një institucion i cili ka monopol mbi dhunën dhe i cili me vetë ekzistimin i shkelë të drejtat pronësore të subjektëve të tij meqë për të ekzistuar duhet të ketë monopol territorial (për të marrë vendime) si dhe fuqi konfiskuese (që t’i mbulojë shpenzimet). Krahasimisht, shteti i ngjanë institucioneve tjera si kompave private apo organizatave, por me dallimin e madh që këto institucione nuk veprojnë me detyrim por në baza vullnetare. Në këtë kuptim, shteti ka ngjashmëri më të madhe me mafian, e cila gjithashtu vepron në baza detyrimore kundrejt subjektëve të saj.
Është e rëndësishme të kuptohet që ky definicion vlenë për çdo shtet në botë, jo vetëm për shtetet e korruptuara siç mund të keqkuptohet nga ky shkrim. Në shumicën e vendeve të botës shteti e ka formën e ndarë në tri degë të cilat priten të veprojnë ndaras por në fakt i ndajnë dy karakteristikat e shtetit: ekzekutivi (qeveria), legjislativi (kuvendi), si dhe gjyqësori.
Me qenë se shteti është pjesë e shoqërisë prej shumë shekujsh, njerëzit janë rritur me idenë që ky institucion është element integral dhe madje legjitim i shoqërisë. I përhapur është mendimi që për të pasur shoqëri funksionale duhet të ketë shtet. Këtë legjitimitet shteti e gëzon kryesisht—në dallim me mafian e cila nuk e ka përkundër veprimit ekzaktësisht të njëjtë—për shkak të monopolit shtetëror në sferën e edukimit. Duke pasur nën kontroll një mjet kaq të rëndësishëm, shteti e kalit popullin për të menduar që ekzistenca e tij nuk është vetëm e pashmangshme por edhe e domosdoshme. Aleatë të kësaj propagande shteti i ka një spektër të gjerë të intelektualëve të cilët në këmbim të të ardhurave nga shteti e mbrojnë atë në sytë e popullit.
Mbi të gjitha, shteti e nxitë popullin të mendoj që standardet e dyfishta etike vlejnë. Nëse një individ vjedhë apo detyron dikënd, ai shkelë të drejtat e tjetrit dhe duhet të dënohet; por nëse shteti e bënë të njëjtën gjë, automatikisht llogaritet i pafajshëm. Pra ajo çka është e palejueshme për të gjithë individët e botës, është krejtësisht e lejuar për shtetin.
Nga kjo rrjedhë që në çdo shoqëri ekzistojnë dy klasa apo dy sfera të veprimit: ajo sunduese ku udhëheqësit e shtetit dhe ata që përfitojnë nga shteti janë të privilegjuar në fuqi dhe konfiskojnë nga të sunduarit të cilët të ardhurat e tyre i fitojnë me mjete ekonomike dhe vullnetarisht duke ofertuar produkte dhe shërbime në treg. Natyrisht, shumë individë lëvizin nga njëra sferë në tjetrën: dikush është i sunduar si qytetar produktiv i shoqërisë e më vonë mund të zgjedhet në ndonjë pozitë shtetërore me c’rast bëhet sundues sepse të ardhurat e tij i fiton nga detyrimi i subjektëve të shtetit dhe anasjelltas.
Kjo nënkupton që shumë larg nga mendimi i përhapur në Kosovë e Shqipëri, shteti nuk është partner por anti-tezë e popullit dhe shoqërisë. Shteti pra qëndron në kundërshtim me të drejtat dhe pronën e individit, përveç nëse individi është pjesë e shtetit.
Pse ky legjimitet? Në kohët e monarkive kur në krye të shtetit ishin mbretërit absolutë, legjimiteti shtetëror konsiderohej të vinte nga fuqitë hyjnore. Mbreti thuhej të ishte i dërguar i Zotit dhe i dytë për nga rëndësia vetëm pas Tij. Në tandem me shtetin u rreshtuan institucionet fetare si Kisha Katolike sepse e panë mundësinë e madhe për zgjerim të fuqisë si dhe përfitim material nga konfiskimi shtetëror.
Me kalimin e kohës dhe me përmbysjen e monarkive si rezultat i sundimeve të egra shtetërore, format politike të organizimit të shtetit ndryshuan dhe bashkë me to ndryshuan edhe arsyetimet për legjitimitetin e shtetit. Sot ekzistenca dhe “nevoja” e shtetit arsyetohet prej një mori “problemesh” që gjoja nuk mund të zgjidhen nga bashkëveprimi i lirë i individëve dhe ofrimi privat i shërbimeve (apo siç njihet me fjalë tjera si “tregu i lirë”).
Këto probleme përfshijnë krijimin e një strukture ligjore në mungesë të shtetit, zbatimin e drejtësisë, ofrimin e shërbimeve të mbrojtjes, ofrimin e shërbimeve si rrugët, energjia elektrike, uji, etj., “përkujdesja” ndaj të varfërve, mbrojtja e ambientit, rregullimi i marrëdhënieve biznesore, “korrigjimi” i “dështimeve” të tregut, “korrigjimi” i “eksternaliteteve”, e shumë nevoja tjera të cilat supozohet që nuk mund të ofrohen nga tregu i lirë.
Për të pasur pra një debat të mirëfilltë për politikë dhe ekonomi, duhet të diskutohet në këto vija. Të kuptohet kush është shteti, si ka lindur, dhe cilat janë arsyetimet për ekzistimin dhe veprimin e tij. Të dëshmohen mangësitë e tregut dhe të tregohet që shteti është i nevojshëm për riparimin e tyre. Te diskutohet alternativa private dhe pse ajo nuk mundet të funksionoj në shërbim të nevojave të shoqërisë. Të diskutohen implikacionet që ekzistimi i shtetit i ka për të drejtat pronësore, të cilat siç e pamë, patjetër shkelen me vetë ekzistencën e tij.
Qëllimi i këtij artikulli nuk është të tentoj të dëshmojë që shteti jo vetëm që nuk është mekanizëm i korrigjimit por madje shkaktues i pjesës dërrmuese të problemeve politike e ekonomike, apo që vuan nga probleme strukturale të cilat e pamundësojnë arritjen e qëllimeve të synuara. Qëllimi është që të nxisë debate mbi politikën dhe ekonominë të cilat kanë kuptim dhe i referohen gjërave qartë, pa i bërë lëmsh me definicione të vorbullta të cilat humbin plotësisht kuptimin e ideve.