Uncategorized

Koment mbi kohën dhe hapësirën

Bardhyl Salihu

Nesër keni një udhëtim të rëndësishëm biznesi në Romë. Zgjoheni vonë dhe shihni që keni humbur aeroplanin.

Ndaluni dhe mendoni: si do të ndiheshit?

E ndizni televizorin dhe shihni që aeroplani me të cilin është dashur të udhëtoni është rrëzuar dhe që të gjithë udhëtarët në bord kanë vdekur.

Si do te ndiheshit pastaj?

Ky mendim më është sjellë një kohë të gjatë vërdallë në kokë por sot e kam definuar përfundimisht mesazhin e tij: që vlerësimi i situatave është peng i kohës dhe hapësirës.

Me 1 qershor, 2012 unë hyra në një test matematikor për punësim në bankën ProCredit në Kosovë. Testin dështova ta kaloja me sukses dhe natyrisht që u dëshpërova tepër me rezultatet e treguara.

Disa prej kandidatëve, duke përfshirë edhe mua, na u ofrua mundësia e dytë për të hyrë në test (sigurisht për shkak se elementet tjera si edukimi e përvoja profesionale qenë atraktive për bankën). Me të hyrë në test për herë të dytë e kalova me sukses dhe sot që po mendoja për të isha i lumtur që kisha dështuar herën e parë.

Meqë herën e parë vetëm një kandidat kishte kaluar, po të isha ai, prapë nuk do të mund të punësohesha pa pritur edhe grupin tjetër (atë në të cilin u testova për herë të dytë) për t’u bashkangjitur në mënyrë që të zhvillohej intervista grupore e paraparë për fazën pas testit. Pra, në rrafshin kohor nuk do të përfitoja asgjë.

Në anën tjetër, nuk do t’i kisha njohuritë e fituara që erdhën vetëm si rezultat i vendimit për të mësuar më shumë pas dështimit në testin e parë. Këto njohuri janë të rëndësishme për testin e ardhshëm që do të mbahet si dhe për ri-testimet e vazhdueshme që ProCredit i bënë stafit.

Mesazhi i këtyre dy anekdotave, pra, është që vlerësimi i çdo situate mund të ndryshoj nga pozitivi në negativ me ndryshimin e kohës dhe hapësirës në të cilën bëhet ky vlerësim. Edhe rastet identike, duke ndryshuar pikëpamjen, mund të duken të kundërta.

A është kjo arsyeje për nihilizëm e subjektivizëm radikal apo për shpresë në situatë të keq kurse kujdes në të mirë, i mbetet lexuesit ta gjykoj vet.